HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-14 18:11:19
A+ A- Printo artikullin



Oborri i Jobesimtarëve: Në Berlin tema e lirisë përballë Hyjit



Përvoja e lirisë, me Hyjin e pa Hyjin. Kjo është tema e etapës gjermane të Oborrit të Jobesimtarëve, strukturë e Këshillit Papnor për Kulturën, që ka si synim dialogun me kë nuk i përket asnjë besimi fetar.
Pas Parisit, Stokholmit dhe Barcelonës, e ka radhën një tjetër qytet në përballje me shekullarizimin: Berlini. Besimtarë e jobesimtarë do të dialogojnë mbi temën e lirisë, në metropolin që lirinë e ka përjetuar në mënyrë të veçantë qysh para rënies së murit dhe revolucinit të 1989, siç u shpreh Imz. Zollitsch (Coliç): “Bëhet fjalë për thellësinë e humanizmit etik”.
Kryetari i ipeshkvinjve gjermanë radhiti tematikat rreth të cilave do të shtjellohet dialogu: humanizmi etik, madhështia e fesë në Hyjin, liria e artit dhe e së bukurës, hiri dhe dinjiteti i natyrës njerëzore dhe i devocionit.
Pyetjes a është Hyji themeli dhe caku i lirisë njerëzore apo armiku dhe kundërshtari i saj më i madh, iu përgjigj:
“Ka shumë kohë që ateistët dhe besimtarët nuk gjenden më në llogore të kundërta. Tani çështja është të mos tregohen më gjëra të pavërteta për njëri-tjetrin, të kuptohen më mirë jetët e të tjerëve, gjestet dhe realizimet e lirive të tyre.
Në spitalin “La Charité”, ndër më të njohurit në Evropë, do të shqyrtohet marrëdhënia e shkencës me etikën. Edhe këtu shtrohet një pyetje: a është njeriu krijesë krijuese e Hyjit, apo shestues i vetvetes? Pastaj, në Deutsches Theater të Berlinit, do të shqyrtohet marrëdhënia e fesë me artin dhe feja në skenë, ndërmjet respektit, blasfemisë dhe lirisë artistike. Në Bode Museum dialogu ndërmjet besimtarëve e jobesimtarëve do të shfaqet simbolikisht me anë të procesionit të të rinjve, që do të takohen në një pikë të përbashkët. Imz. Zollitsch e ka përmbledhur me këto fjalë qëllimin e Oborrit:
“Oborri i jobesimtarëve” ka si qëllim të vërë në dukje pasurinë dhe thellësinë e fesë katolike, të shprehë vlerësimin për qëndrimet e jobesimtarëve, por edhe të shohë tek feja gjurmët e mosbesimit.”
Pas Berlinit, në prill, e kanë radhën Republika Çeke dhe Washingtoni. Më vonë, në Romë, do të flitet për solidaritetin sipas etikës laike dhe fetare.
I pyetur rreth ”Oborrit të jobesimtarëve”, pas të cilit u zhvillua intervista e Papa Françeskut me Eugenio Scalfar-in, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit Atë Federico Lombardi u përgjigj: “Siç e ka thënë vetë Scalfari, përmbajtja e dialogut është miratuar dhe, për këtë arsye, është besnike”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama