HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-10-17 18:00:50
A+ A- Printo artikullin



“In hoc signo”: një vepër muzikore kremton 1700-vjetorin e Ediktit të Milanos



Në të gjithë botën vazhdon të kremtohet 1700-vjetori i Ediktit të Milanos, por natyrisht, dokumenti me të cilin perandori Kostandin i jepte fund persekutimit të të krishterëve në vitin 313, përkujtohet më shumë në tokën ballkanase, e pikërisht në Serbi, ku ai lindi. Nishi, vendlindja e perandorit, ishte kohët e fundit teatër kremtimesh ekumenike, organizuar nga Kisha Katolike e nga ajo ortodokse, por edhe në qytete të tjera të Serbisë, Edikti i tolerancës fetare ka qenë protagonist veprimtarish të shumta. Më 8 tetor, në Beograd, u shfaq për herë të parë vepra muzikore “In hoc Signo”, shkruar nga regjizori serb Dejan Miladinovic e vënë në muzikë nga mjeshtri drejtues i Kapelës Papnore Muzikore Lateranense, imzot Marko Frizina. Për këtë vepër, të dëgjojmë vetë imzot Frizinën, në mikrofonin tonë:
Në 15 tabllo përvijohet jeta e Kostandinit, sidomos rëndësia e tij – si historike, ashtu edhe kulturore – në përcaktimin e krishterimit si risi, si shpresë për perandorinë e për botën e lashtë.
Cilat kanë qenë vështirësitë në vënien në muzikë të një vepre të tillë, e cila – ndoshta – ju ka kërkuar një impenjim jo të paktë ekumenik?
Opera i ngjan shumë veprave të mëdha lindore, sllave… Prandaj është vepër monumentale: skena të mëdha korale e dramatike, sepse edhe historia që trajton është dramatike. Unë vetë kam dashur t’i jap një shije në përkim me traditën e muzikës liturgjike të Kishës ortodokse, nga njëra anë, pranë botës ballkanike e ortodokse, nga ana tjetër, me elemente të këngës gregoriane, të muzikës perëndimore. Më shumë se mbi vështirësitë, do të flisja mbi përpjekjet për ta gjetur këtë pikë takimi, sidomos në disa skena. Për shembull, ka një skenë të madhe për Këshillin e Nikesë, ku dëgjohet Besojma e kënduar në greqisht e latinisht, këngë që mbivendosen. Në fund, i gjithë kori këndon së bashku të dyja këngët, pasi është çasti kur bashkohen dy shpirtrat e krishterimit të lashtë, zanafillë e fesë sonë.
Simboli kostandinian i rëndësishëm si për katolikët, ashtu edhe për të ortodoksët, është Kryqi…
Vërtet, titulli “In hoc signo” do të thotë “Nën shenjën e Kryqit”. Skena kryesore, që gjendet në fund të aktit të parë – Beteja e Urës Milvio, vizioni i Kryqit të Kostandinit – përshkruhet shumë mirë. Ai çast nuk është fillimi i vizionit të Kostandinit, por, mund të themi, mbërritja; pjesa e parë e veprës përshkruan si arrihet tek pjekuria, me të cilën Kostandini kupton rolin themelor të të krishterëve në perandori. Jam takuar me autorin serb, si të ishim dy eksplorues, që kanë parë gjëra të ngjashme e plotësuese; shkëmbyem mendime, ide, emocione e shprehëm të njëjtën fe: besimin në Kryqin e Krishtit, në Hirin e Tënzot, në shpresën, në Kishën. Arti mund të jetë vërtet mjet dialogu.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama