HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-16 13:34:55
A+ A- Printo artikullin



P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: I Gjithëpushtetshmi



“I Gjithëpushtetshmi”, titullohet reflektimi i sotëm i ciklit kushtuar Katekizmit të ri të Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit. Pse? Të ndjekim shpjegimin e jezuitit, atë Dariush Kovalçik:

Katekizmi na kujton se “nga të gjitha epitetet hyjnore, në Besojmë përmendet vetëm gjithëpushteti i Hyjit” (KKK 268). Ne dëshmojmë: “Besoj në Tënzonë Atin e gjithëpushtetshëm”. Një nga Psalmet thotë: “Ai bën gjithçka i pëlqen” (Ps 115, 3). E në Librin e Urtisë lexojmë: “Ti ke dhimbsuri për të gjithë, sepse Ti mundesh!” (11,23).

Kjo nuk do të thotë se gjithëpushteti hyjnor është thjesht mundësi për të bërë gjithçka. Katekizimi saktëson: “Gjithëpushteti hyjnor nuk është aspak arbitrar” (KKK 271). Nëse Hyji është dashuri, siç thotë Shën Gjoni, atëherë epiteti i gjithëpushtetshëm duhet kuptuar si epitet dashurie. Zoti, që është dashuri, është i gjithëpushtetshëm jo në mundësinë për të bërë gjithçka. Është i gjithëpushtetshëm në dashuri.

Në këtë perspektivë mund të kuptohet pohimi paradoksal i Katekizmit: “Hyji Atë e zbuloi në mënyrën më misterioze gjithëpushtetin e tij në poshtërimin vullnetar e në Ngjalljen e Birit të vet” (KKK 272). Shën Pali thotë se Krishti i kryqëzuar është shkandull për hebrenjtë e marri për paganët, kurse për besimtarët, është fuqia e Hyjit e dija e Hyjit (Kor 1,22-25). Është fjala për pushtetin e dijen e dashurisë hyjnore.

Duke shikuar Krishtin e kryqëzuar shohim varfërinë, vartësinë, përvujtërinë, domethënë, shohim Zotin. Sepse dashuria është e varfër, e varur, e përvuajtur. Në të Shenjtnueshmen Trini secila nga tri Vetjet është absolutisht e varfër, sepse nuk ka asgjë të vetën, pa dy Vetjet e tjera. Secila Vetje varet nga të tjerat e përkulet për ta.
Në këtë ligështi të Zotit, jemi ne me ligështitë tona. Katekizmi na kujton se falë fesë, mund të lumnohemi “nga ligështitë tona, për të tërhequr mbi ne pushtetin e Krishtit” (KKK 273). Si Shën Pali, që dëgjoi fjalët e Jezusit: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia ime duket plotësisht në ligështi”(2 Kor 12,9).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama