HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-16 14:53:09
A+ A- Printo artikullin



Papa që pranon gabimin…



(përshtypjet e një interviste)
nga don Gjergj Meta
Këto ditë jam duke lexuar për herë të dytë, e ndërkohë po e përkthej për veten time, në kohën e lirë që kam mbrëmjeve pak si për hobby, intervistën e Papës Françesku dhënë revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica”, konkretisht drejtorit të saj Atë Antonio Spadaro S.J. Kjo intervistë ka nevojë të lexohet e rilexohet për t’iu përshtatur edhe vetë stilit të papës Bergoglio i cili thotë e rithotë mendimet e tija gjatë gjithë intervistës. Ndoshta është intervista më e mirë që ai ka dhënë apo do të japë edhe në të ardhmen e kjo për arësyen e thjeshtë se intervistuesi është edhe ai vetë një jezuit e arrin të hyjë në kuptimin më të thellë të fjalëve të Papës jezuit për të na shpjeguar më pas edhe kuptimin në të tjerëve. Por ka edhe gjëra të tjera që e bëjnë këtë intervistë unike në llojin e saj. Aty ne lexojmë të shkruar e zezë mbi të bardhë se kush është në të vërtetë Bergoglio e çfarë vizioni ai ka për Kishën. Kjo intervistë na ndihmon të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në Konklaven që ka zgjedhur Benediktin XVI e gjithashtu çfarë ka ndodhur gjatë Kongregacioneve që i kanë paraprirë Konklaves që zgjodhi Bergoglio-n. Etërit konklavistë, nëse duam t’i quajmë kështu kardinalët që kanë marrë pjesë në zgjedhjen e Papës, kanë dëgjuar, kanë shijuar e kanë zgjedhur, ndër shumë fjalë e fjalime, pikërisht fjalët e kardinalit Bergoglio si fjalët e duhura, vizioni i duhur për Kishën e ditëve tona. Te Bergoglio ata kanë parë njeriun e kohës së duhur (kairos) i cili me fjalën e tij, me mënyrën se si është paraqitur e duke e pas njohur edhe në veprimin e tij në Buenos Aires, janë bindur se e ka përnjimend.
Çdo paragraf i intervistës së tij, qoftë kur flet për Kishën, qoftë kur flet për jezuitët, kur flet për homoseksualët apo për meshtarët, gjithmonë vendos gishtin në plagë dhe afron Hyjin te njeriu, i lidh të dy e pasi i ka lidhur i lë vetëm të shijojnë lumturinë parriziake. Ai e din mirë funksionin e Kishës, të meshtarit, të ipeshkëvit, por në të njëjtën kohë ai e din se gjithnjë e më shumë këto të fundit duhet të zvogëlohen që të rritet Krishti, duhet dalëngadalë të tërhiqen e të lënë njeriun ballafaqas me Perëndinë e tij, cilido njeri qoftë ai, sado mëkate të ketë bërë, cfarëdolloj orientimi ideolgjik, seksual apo partiak ai të ketë, cfarëdo gjëndje civile të ketë, i martuar, i pamartuar, i divorcuar apo i rimartuar: “Nëse dikush kërkon Hyjin sinqerisht, kush jam unë për ta gjykuar…! – thotë Françesku”
Kjo intervistë i ngjan një Katedraleje të madhe, nga ato të mesjetës, ku ti hyn e në fillim të duket errësirë, ecën si duke u mbajtur në parmakë, por dalëngadalë nga fundi i Kishës vjen një dritë të cilën ti vendos ta ndjekësh e afrohesh gjithnjë e më shumë, kur papritur në fund të shfaqet një Pantokrator i madh i cili të përqafon e ai është vetë Krishti.
Bergoglio të prek me thjeshtësinë e rrëfimit të tij, sinqeritetin për jetën e tij, pranimin konkret të mëkatit të tij kur ishte epror provincial. Nuk e ka problem të pranojë se ka gabuar e se ka mësuar nga gabimet e tija. Po ashtu sikurse pranon që edhe Kisha është e shenjtë në trajtën e saj si populli i Hyjit, e pagabueshme kur popull e hierarki janë bashkë e po ashtu e gabueshme dhe mëkatare në gjymtyrët e saj. Po! Këtë e kemi dëgjuar shpesh, kohët e fundit, na e ka treguar edhe Papa Benedikti, por kësaj here kjo gjë merr tone më serioze. Kisha na shfaqet si një spital fushëbeteje ku ka gjithfarë të plagosurish që kthehen nga fronti, nga një betejë e madhe e ku ka nevojë për njerëz që dinë të mjekojnë plagët, të bëjnë ndërhyrjet urgjente e më pas të mendohet për të gjitha gjërat e tjerat. Kjo më solli ndërmend Spitalin ushtarak të Tiranës ku kam pasur mundësinë të shkoj shumë shpesh e të shoh se si aty vijnë gjithfarë rastesh e për të afërmit gjëja më e rëndësishme është të dalë mjeku e të thotë: është jashtë rrezikut për jetën. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse dikush të pranon, të merr në dorë e kujdeset për ty.
Kjo intervsitë mbetet një busull orientimi, jo vetëm për të kuptuar kush është Papa që po na udhëheq ne të krishterëvë katolikë, por edhe për të marrë vesh se çfarë mendon ai për Kishën, si mendon ta udhëheqë atë e drejt ku ajo duhet të shkojë për të qenë nusja e bukur e Krishtit e të shkëlqejë ende në këtë botën tonë. Nganjëherë më duket si intervistë e një famullitari me përvojë që u flet famullitarëve të tjerë. Në fakt kjo është një intervistë për njerëz që jetojnë çdo ditë jetën konkrete, nëna dhe baballarë, punëtorë, njerëz që përballen cdo ditë me jetën dhe me vuajtjet e tyre e së fundmi për meshtarë që kanë dëshirë të jetojnë cdo ditë në konkretësi jetën e tyre. Më duket tamam një intervistë për famullitarë në fillim të një viti baritor, linja udhëheqëse për një program baritor në përputhje me kohën dhe rrethanat. Sigurisht jo ushqim për akademikë apo kritikues hijerëndë që kurrë nuk buzëqeshin ose kur e bëjnë kjo është për marrina, që asnjëherë nuk janë të kënaqur me asgjë, që më shumë i shërbejnë furrikut të tyre se sa grigjës apo detyrës që kanë marrë përsipër.
Jemi në kohë të tjera: në kohën e një veprimi për Ungjillin, për shpalljen e fjalës së mirë të Hyjit me forcë dhe zell. Ky Papë po na prin drejt Krishtit, qëndra e jetës tonë: mos t’ia kthejmë fjalën!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama