HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-16 14:54:20
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: “Laiciteti” (Emisioni XXVI)



“Laiciteti” është sot në qendër të emisionit të 26-të të rubrikës “Te gurra e besimit”. Po e nisim përsëri me një pyetje: “Ç’do të thotë laicitet?”. Ka mënyra e mënyra për ta kuptuar e për ta jetuar laicitetin, mënyra që, nganjëherë, i kundërvihen njëra-tjetrës.
Për ta kuptuar si duhet domethënien e laicitetit e për ta shpjeguar vështrimin që ka marrë sot, duhet të kujtojmë zhvillimin historik të konceptit. Laiciteti, i lindur për të dalluar besimtarin e thjeshtë të krishterë, që nuk i përket as klerit e as urdhërave rregulltare, gjatë Mesjetës mori kuptimin e ndeshjes ndërmjet pushteteve civile e hierarkive kishtare; në kohët moderne, kuptimin e përjashtimit të fesë dhe të simboleve të saj nga jeta publike, përmes kufizimit të tyre në mjediset private e të ndërgjegjes individuale. Ndodhi kështu që termi i laicitetit mori kuptim ideologjik të kundërt, me atë që kishte në zanafillë.
Në të vërtetë sot laiciteti kuptohet si përjashtim i fesë nga mjediset e ndryshme të shoqërisë. Madje i caktohet edhe kufiri: ai i ndërgjegjes individuale. Laiciteti na u shprehka në ndarjen e plotë të Shtetit nga Kisha, duke mos pasur, kjo e fundit, asnjë të drejtë të ndërhyjë në tematikat, që kanë të bëjnë me jetën dhe sjelljen e qytetarëve. Laiciteti na kërkoka edhe përjashtimin e simboleve fetare nga vendet publike, të caktuara për zhvillimin e veprimtarisë së bashkësisë politike: nga zyrat, shkollat, gjykatat, spitalet, burgjet etj etj. Mbi bazën e këtyre mënyrave të ndryshme të konceptimit të laicitetit, flitet sot për mendim laik, moral laik, shkencë laike, politikë laike. Në të vërtetë, mbi bazën e një konceptimi të tillë, është vizioni i jetës, i mendimit, i moralit pa fe; një vizion, në të cilin nuk ka vend për Zotin, për misterin, që qëndron mbi arsyen e pastërt, për ligjin moral të vlerës absolute, që është në fuqi në çdo kohë e në çdo situatë. Vetëm në se kuptojmë mirë këtë, mund të kuptojmë, pastaj, sa të rënda janë problemet që fshihen pas një termi si laiciteti, që duket sikur është bërë simbol cilësues i pas-modernizmit, posaçërisht, i demokracisë moderne.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama