HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-18 17:05:09
A+ A- Printo artikullin



Ati i Shenjtë, Kishës aziatike: Shpallni Jezusin në çdo mjedis!



Përhapni drejtësinë dhe paqen në Filipine e në Azi! Me këto fjalë u drejtohet Papa në një videomesazh pjesëmarrësve në Konferencën mbi Ungjillizimin e Ri, që mbyllet sot në Manila, pas punimeve dyditore. Rreth pesëmijë delegatë, që vinin edhe nga Taivani, Vjetnami, Brunei, Malajzia, Tajlanda e Mjanmari, i janë përgjigjur ftesës së kishës vendore për një ballafaqim mbi sfidat e ungjillëzimit, në Vitin e Fesë
Që nga skutat ku struket mjerimi e deri tek karriget e parlamentit, nga shtretërit e spitaleve tek katedrat universitare: hapësira e shpalljes së Ungjillit është e pafundme, sikurse e pafundme është Azia, ku Kisha përjeton pranverë e përndjekje.
“Mos u lodhni së përçuari mëshirën e Atit tek të varfrit, të sëmurët, të braktisurit, të rinjtë dhe familjet. Bëjeni Jezusin të njohur për botën e politikës, të sipërmarrjes, të kulturës, shkencës, teknologjisë dhe mediave sociale. Lejojeni Shpirtin Shenjt të përtërijë krijimin e të sjellë drejtësinë dhe paqen në Filipine e në kontinentin e madh aziatik, që e kam për zemër”.
Papa Françesku u drejtohet me ngrohtësi përfaqësuesve të kishës aziatike, të pranishëm në mbledhjen e madhe të Manilës, të cilët i kanë vënë vetes tri detyra: të krijojnë një “përjetim të Hyjit” në kontekstin e sfidave të mijëvjeçarit të ri, të përforcojnë lidhjet dhe bashkimin mes katolikëve dhe të krijojnë burime frymëzimi e drejtimi, të mbrujtur me shpirtin e ungjillëzimit të ri. Të gjitha këto pikësynime marrin bekimin e Papës:
“Shpresoj që me këtë konferencë të mund të njihni edhe një herë praninë e dashur të Jezusit në jetën tuaj, të mund të doni edhe më shumë Kishën e t’ua përçoni Ungjillin të gjithë njerëzve me përvuajtëri e gëzim. Shpirti Shenjtë vepron gjallërisht në ju. Kisha e Krishtit është e gjallë!” – përfundon Papa.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama