HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-10-18 16:05:39
A+ A- Printo artikullin



Ati i Shenjtë Françesku: të mos i harrojmë priftërinjtë e murgeshat në shtëpitë e pushimit, strehë të vërteta shenjtërie!



Moisiu, Gjon Pagëzuesi, Shën Pali. Papa Françesku e përqendroi homelinë e Meshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, mbi këto tri figura, duke nënvizuar se të tre u pushtuan shpesh nga akthe të tmerrshme, po Zoti nuk i lëshoi kurrë dore. E duke menduar, më pas, për shumë priftërinj e murgesha, që jetojnë në shtëpitë e pushimit, i ftoi besimtarët t’i vizitojnë, sepse këto shtëpi janë tempuj të vërtetë të shenjtërisë apostolike.

Agu e muzgu i udhës apostolike të Shën Palit Apostull. Papa Françesku mori shtytje nga leximet e ditës, për t’u ndaluar tek këto dy skaje të jetës së krishterë. Në fillim të jetës apostolike, vërejti, duke komentuar Ungjillin e sotëm, dishepujt ishin të rinj, të fuqishëm, e edhe djajtë iknin të tmerruar, pasi dëgjonin predikimet e tyre. Ndërsa Leximi i parë, vijoi Ati i Shenjtë, na flet për Shën Palin në hapat e fundmë të shtegtimit të tij tokësor:
“Apostulli ka një fillesë të lumnueshme, entuziaste, me Zotin në shpirt, apo jo? Por nuk iu kursye as muzgu, perëndimi. E unë ndjehem mirë, kur kujtoj fundin e Apostullit… Më vijnë në mendje tri ikona: Moisiu, Gjon Pagëzuesi e Pali. Moisiu është prijësi i popullit të Hyjit, i guximshëm, njeri që lufton me armiqtë e edhe me vetë Zotin, për të shpëtuar popullin: i fortë! E në fund mbetet vetëm, mbi Malin Nebo, duke kundruar Dheun e Premtuar, pa mundur të hyjë në të. Nuk mundi të hynte në premtim. E as Gjon Pagëzusit, në çastet e fundit, nuk iu kursyen ankthet”.
Gjon Pagëzuesit, vijoi Papa, iu desh të përballojë edhe një ankth dyshimtar, që e turbulloi fort e të përfundojë nën thundrën e një sundimtari të ligshtë, të dehur e të korruptuar, nën pushtetin e zilisë së një gruaje të përdalë e të tekave një valltareje. E edhe Shën Pali Apostull, në Leximin e parë, na flet për ata, që e braktisën, e dëmtuan rëndë, duke iu kundërvënë predikimeve të tij. Rrëfen se në gjykatore nuk pati pranë asnjë njeri. Të gjithë e lanë vetëm. Por, vijon Shën Pali, Zoti nuk më lëshoi dore. E pata gjithnjë pranë. Më dha forcë për ta çuar deri në fund kumtimin e Ungjillit:
Ky është Apostulli i madh, i cili me jetën e tij bën atë, që thoshte Gjon Pagëzuesi: ‘Duhet që Ai të rritet e unë të ulem!’. Apostull është ai, i cili jep jetën, që Krishti të rritet. E në fund perëndon kështu... E kështu edhe Pjetri, me premtimin: ‘Kur të motnohesh, do të të çojnë atje, ku nuk dëshiron të shkosh’. E kur mendoj për përendimin e Apostullit, kujtoj me gjithë zemër ato shenjtërore plot aromë jete apostolike e shenjtërie, që janë shtëpitë e pushimit të priftërinjve e të murgeshave: priftërinj të mirë e motra të mira, të plakur, me barrën e vetmisë mbi supe, duke pritur të vijë Zoti e të trokasë në portën e zemrës së tyre. Këto janë tempujt e vërtetë të apostolicitetit e të shenjtërisë, që kemi në Kishë. Të mos i harrojmë, e?”.
Nëse shikoj më në thellësi, vijoi Papa, këto vende janë mrekullisht të bukura. Dëgjoj shpesh të flitet për shtegtime në shenjtëroret e Zojës, të Shën Françeskut, të Shën Benediktit, për shumë shtegtime:
“Por pyes nëse ne, të krishterët, kemi dëshirë të bëjmë një vizitë, shtegtim të vëretetë, në këto shenjtërore të shenjtërisë e të apostolicitetit, që janë shtëpitë e pushimit të priftërinjve të motrave? Një nga ju më thoshte, ditë më parë, se kur shkonte në një vend misioni, vizitonte varrezat e kundronte të gjithë varret e misionarëve të vjetër, meshtarë e murgesha, në atë rrëmaj, prej 50, 100, 200 vjetësh, krejtësisht të panjohur. E më thoshte: 'Po të gjithë këta mund të shpallen shenjtorë, sepse ajo që vlen, është pikërisht shenjtëria e përditshme, shenjtëria e të gjitha ditëve’. Në shtëpitë e pushimit, këto murgesha e këta priftërinj e presin Zotin pak a shumë si Shën Pali: me një farë trishtimi, natyrisht, por edhe me paqe, me fytyrë të ndriçuar nga një gëzim, që buron nga shpirti, në pritje”.
Do të na bëjë mirë ne të gjithëve, përfundoi Papa, të mendojmë për këtë etapë të jetës së Apostullit, për muzgun e perëndimin e Tij e ta lusim Zotin:
“Mos i lësho dore, o Zot, të gjithë ata që, në këtë çast, bëjnë hapin e fundit mbi këtë tokë; ndihmoi të thonë edhe një herë të vetme: ‘Po, o Zot, dua të ec pas teje!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama