HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-19 14:37:00
A+ A- Printo artikullin



Nëna jonë Terezë, 10 vjet pas lumnimit



10 vjet më parë, më 19 tetor 2003, gjatë një kremtimi madhështor kryesuar nga Papa Gjon Pali II në Bazilikën e Shën Pjetrit, shpallej e Lume Nëna jonë Terezë, e para grua shqiptare e ngritur në nderimin më të lartë, atë të elterit, duke e lartuar kështu edhe Shqipërinë, bijë e së cilës ishte dhe popullin shqiptar, gjakun e të cilit kishte ndër rrema.
Po e kujtojmë me këto radhë, shkëputur nga shkrimi më i freskët, që i kushtohet, botuar në të përjavshmen “Miracoli” – “Mrekulli”, numri i parë i së cilës doli të dielën e kaluar, me rastin e vizitës së Zojës së Fatimës tek Papa e iu shpërnda falas qindra mijëra besimtarëve nga të katër anët e botës, mbledhur rreth Zojës së Mrekullueshme, si atë ditë të 19 nëntorit, kur mbarë bota i kishte sytë tek portreti i Nënë Terezës, gjithnjë me buzë në gaz, në fasadën e Bazilikës së Popujve, simbol i paqes, i përkushtimit, i vëllazërisë. Asaj, si samaritanit të mirë, iu besua misioni të shpallë dashurinë e pafundme të Jezusit për njerëzit, për çdo njeri. Shpirt i mbushur me dritën e Krishtit, e përflakur nga dashuria për Të, kishte një dëshirë të vetme: “Të shuante etjen e dashurisë së Zotit për shpirtrat”.

Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në një familje thellësisht fetare, ku mbretëronte dashuria. Më e vogla ndër fëmijët e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Ganxhe Anjeze.
E ëma, e mbetur vetëm, me tre fëmijë në ngarkim pas vdekjes së t' et, kishte një karakter të ëmbël, por të vendosur, që ndikoi shumë mbi personalitetin dhe orientimin e ardhshëm të Nënë Terezës.
Më 1928, në moshën 18 vjeçare, me dëshirën për t’u bërë misionare, e la shtëpinë për të shkuar në Institutin e Zojës së Bekuar, i njohur si Motrat e Loretos, në Irlandë. Mori emrin motër Mari Tereza. Në dhjetor u nis për në Indi. Arriti në Kalkutë më 6 janar 1929.
Motër Tereza mori kushtet e para rregulltare në maj 1931 dhe kushtet e përjetshme më 24 maj 1937. U bë Vasha e Jezusit për amshim. Që nga ajo kohë ajo u quajt Nënë Tereza. Pasi mori kushtet e para, dha mësim në Shkollën e Shën Marisë në Entali të Kalkutës dhe, më 1944 u bë drejtoreshë e shkollës. Ishte e njohur për bamirësi, altruizëm, guxim, aftësi për punë të rënda, talent natyror për organizim, dhe besnikëri e gëzim për jetën e shuguruar.
Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren nga Kalkuta në Darjeling për ushtrimet shpirtërore të përvitshme, Nënë Tereza mori nga Zoti atë që është quajtur “frymëzimi” “thirrja brenda thirrjes”: “Kam etje! Kam etje!”- dëgjonte zërin e Krishtit që i fliste. Që nga ajo ditë, etja e Jezusit për dashuri dhe shpirtra zuri rrënjë në zemrën e saj, dhe dëshira për ta shuar këtë etje për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër, u bë forca tërheqëse e jetës së saj.
Pasi mori lejet e nevojshme, më 17 gusht 1948 ajo la kuvendin e Loretos, veshi sarin e grave të varfëra indiane dhe hyri në botën e të varfërve. Me të u bashkuan nxënëset e dikurshme të shkollës së Shën Marisë dhe më 7 tetor, Kongregata e re e Misionareve të Bamirësisë u vendos zyrtarisht në Kryedioqezën e Kalkutës. Brenda një kohe të shkurtër, Nënë Tereza hapi shkollat e para të mjerimit dhe qendrat shëndetësore në shumë vende të qytetit.
Dekreti i Papës Pali VI më 1 shkurt 1965 e inkurajoi Nënë Terezën ta zgjerojë misionin për të varfërit e çdo kontinenti, ndërsa thirrjet shtoheshin vazhdimisht.
Me qëllim që t’u përgjigjej më mirë nevojave fizike dhe shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë, më 1963; më 1976 degën kundruese të motrave, më 1979 Vëllezërit Kundrues dhe më 1984 Etërit Misionarë të Bamirësisë. Duke ndarë me të përshpirtërinë, shumë laikë u bënë Bashkëpunëtorë për të Sëmurët dhe të Vuajturit, Misionarë laikë të Bamirësisë. Më 1981 ajo filloi Lëvizjen Corpus Christi për Meshtarët.
Në vitin 1997, Motrat e Nënë Terezës numëronin rreth 4 mijë anëtare të shpërndara në 610 degë në 123 vende të botës. Në mars 1997 ajo bekoi pasardhësen e saj të sapozgjedhur si Eprore të Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë.
Më 5 shtator, jeta tokësore e Nënë Terezës mori fund dhe ajo “shkoi në shtëpinë e Zotit”. Varri i saj në Shtëpinë Mëmë shpejt u bë vend shtegtimi dhe lutjeje për njerëz nga të gjitha fetë, për të varfër e të pasur.
Në përgjigje të kërkesave të panumërta si nga hierarkia, ashtu edhe nga besimtarët e mbarë botës, Kongregata për Çështjet e Shenjtorërve lejoi fillimin e Çështjes së Lumnimit dhe të Kanonizimit të Nënë Terezës në Kryedioqezën e Kalkutës, në më pak se dy vjet pas vdekjes. Procesi dioqezan vazhdoi nga 26 qershori 1999 deri më 15 gusht 2001. Dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Nënë Terezës u miratua nga Papa Gjon Pali II më 20 dhjetor 2002.
Bijat e bijtë e saj shpirtëror vijojnë punën në jetimore, strehë për të gërbulurit, për pleqtë, vajzat-nëna, njerëzit në fill të mortjes. 5000 shtëpi të Kongregatës, themeluar nga e Lumja shqiptare, hapin portat ditë-natë për çdo njeri, që troket në ta, në sa dega mashkullore kryen të njëjtin shërbim në 600 shtëpi, përhapur në të katër anët e botës. Pa folur, këtu, për mijëra vullnetarë e laikë të përkushtuar, që çojnë përpara veprën e kësaj Gruaje, me ndërmjetësimin e së cilës u bënë shumë mrekulli, duke nisur nga shërimi i hinduistes Monika Besra, që i hapi rrugën e lumnimit.
Grua sa e vogël, aq e madhe, ndikoi fuqimisht mbi fatin e mijëra njerëzve, në të katër anët e botës, duke ecur mbi gjurmët e Jezusit.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama