HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-18 15:31:10
A+ A- Printo artikullin



Vizionet politike e shoqërore të Nënë Terezës



Duke u shërbyer të varfërve, vuri në qendër të vëmendjes dinjitetin e njeriut, pa marrë aspak parasysh kushtet në të cilat jeton. Qëllimi i saj ishte ta përmbyste asimetrinë tradicionale të praktikave të ndihmës, shpesh poshtëruese, sepse të realizuara duke i parë të mjerët nga lart-poshtë. I varfëri e pranon ndihmën, po jo poshtërimin; i mungon buka, po jo dinjiteti. Në optikën e saj, lidhja ndërmjet atij, që dhuron e atij, që merr, duhet të jetë e barabartë, e bazuar mbi mirëkuptimin dhe respektin reciprok, mbi ndarjen jo vetëm të të mirave materiale, por edhe të atyre shpirtërore, duke përfshirë këtu kushtet e jetesës e stilin e të jetuarit. Nëse nuk jeton si të varfërit, na kujton, si mund t’i kuptosh?
Vëmendje të posaçme i kushtoi temës së izolimit shoqëror: sipas Nënë Terezës, sëmundja më e rëndë, nga e cila mund të vuajë njeriu, është përjashtimi nga radhët e shoqërisë, flakja, harresa, vetmia e tmerrshme, ndarja për së gjalli nga njerëzit e nga bota. Prandaj nismat e saj synuan gjithnjë të krijonin atmosferë miqësie, frymë bashkimi, që njerëzit e moshave, të kulturave, gjuhëve e feve të ndryshme të mos ndjeheshin kurrë vetëm, kudo që të ishin.
Përsa i përket fushës demografike, Nënë Tereza promovoi planifikimin e lindjeve me metoda natyrore, duke dënuar ashpër abortin dhe metodat e parandalimit të shtatzanisë, sa herë iu dha rasti të takohej me njerëz, që kishin në dorë frenat e botës. Mjafton të kujtojmë fjalimin, që mbajti, kur i dorëzuan Çmimin Nobel, në të cilin theksoi: “E ndjej se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpëdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës”. Prandaj, pati shtuar: “Nëse dëgjoni se ndonjë grua nuk do ta mbajë fëmijën e saj e dëshiron ta abortojë, përpiquni ta bindni të ma sjellë mua atë fëmijë. Unë do ta dua, duke parë në të shenjën e dashurisë së Hyjit” (Oslo, 10 dhjetor 1979). Prej këndej Nënë Tereza u zgjodh kryetare nderi e Lëvizjes për mbrojtjen e jetës në mbarë botën.
Përsa i përket temës së familjes, Nënë Tereza mbrojti qëndrimin e Kishës katolike, duke mbështeur edhe fushatat kundër divorcit, si për shembull, atë të Irlandës. Në të njëjtin vit, shkaktoi polemika të ashpra një intervistë, që rregulltarja nuk e kishte dhënë kurrë. Në shtypin anglez u botua pohimi, krejt i rremë, sipas të cilit Nënë Tereza e shikonte si bekim përfundimin e martesës së Dianës Spenser, pra, divorcin! Në sa e Lumja ka qenë gjithnjë kundër shpërbërjes së familjes, për martesën e pazgjidhshme, në përkim me atë formulë, që shqiptojnë bashkëshortët ditën e kurorëzimit të tyre, kur premtojnë se do të jenë gjithnjë bashkë, në shëndet e në sëmundje, në pasuri e në varfëri, në jetë e në vdekje!
Nënë Tereza ndikoi shumë në fushën e ekumenizmit e edhe të hapjes së dialogut me fetë jo të krishtera. Lidhur me këto tema na jep mësimin: “Zoti është një; Zot i të gjithëve. Prandaj ka rëndësi që secili të duket i barabartë para Tij”.
Vijon të na mësojë se duhet ta ndihmojmë induistin, të bëhen induist më i mirë; myslimanin, të bëhet mysliman më i mirë; katolikun, të bëhet katolik më i mirë. Besonte se puna e saj dhe e simotrave duhet të ishte shembullore për të gjithë njerëzit. “Kemi rreth vetes 475 shpirtëra, pohonte, prej tyre, vetëm 30 familje janë katolike. Të tjerat, induiste, myslimane, sikh... Njerëz me fe të ndryshme, por të gjithë të pranishëm në lutjet tona”.
Të shumta, vizionet politike të Nënë Terezës, që nuk e konsideronte veten murgeshë e jetës aktive. Përkundrazi, theksonte se ajo e simotrat ishin murgesha kundruese, që jetojnë ndërmjet njerëzve e që luftojnë me një armë të vetme, atë të lutjes!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama