HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-19 14:24:17
A+ A- Printo artikullin



Festa e shën Terezës së Avilës dhe 10 vjetori i pranisë së motrave karmelitane – Nënshat



Në vendin historik të dëshmisë dhe qëndresës së fesë së popullit tonë në Nënshat, është kremtuar festa e Shën Terezes së Avilës dhe 10 vjetori i pranisë së Motrave Karmelitane të zbathura. Në meshën e udhëhequr nga Ipeshkëvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me 15 meshtarë të kësaj dioqeze, morën pjesë besimtarë të shumtë nga famullitë e ndryshme të zonës. Në fillim të fjalës së tij, Ipeshkëvi i vendit shprehi falenderimet ndaj Zotit për rritjen e familjes Karmelitane në Dioqezën e Sapës, sikurse është prania e motrave Karmelitane të Zbathura që prej 10 viteve, prania e motrave Karmelitane minore të Shtëpisë së Bamirësisë që prej një viti, dhe ardhja e etërve Karmelitanë, të cilët do të vijnë në fund të këtij muaji. Feja na ka hapur zemrat që të mund ta njohim Zotin dhe me të të jetojmë. Ne kemi nevojë për Zotin, për atë Zot që na e tregoi fytyrën e na e hapi zemrën për Jezu Krishtin. Ndaj të gjithë ne si bij të kishës duhet ta përjetojmë takimin me Zotin.
Duke vazhduar më tej, ipeshkvi theksoi se shumë personalitete me emër të madh në histori, por edhe njerëz të zakonshëm me emër të vogël e kanë provuar mrekullinë e takimit me Hyjin. Kështu, edhe Shën Tereza e Avilës, themeluese e urdhërit rregulltar të Karmelitaneve këmbëzbathura ishte shenjte dhe mësuese e kishës, ishte organizatore e aftë dhe mistike e madhe shpirtërore, pa harruar kujdesin e veçantë në reformimin e jetës rregulltare.
Themelimi dhe misioni 10 vjeçar i Kuvendit të Motrave Karmelitane në Nënshat.
Ishte viti i Shenjtë Jubilar i jashtëzakonshëm 2003 që përkoi me kremtimin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbërit, kur Dioqeza e Sapës përmes hirit dhe bekimit të Zotit themeloi Kuvendin e Parë Kontemplativ të Motrave Karmelitane. Një begati kjo për Kishën dhe vendin tonë të larë me gjakun e martirëve të fesë. E pikërisht, këtu në themelet e vjetra të Ipeshkvisë së vjetër të Sapës, nën udhëheqjen i ish ipeshkvit, në atë kohë Mons. Dodë Gjergjit (sot ipeshkvi i Kosovës), dhe bamirësve u bë i mundur ndërtimi i karmelit. Me mbylljen solemne të klauzurës më 29 shtator 2013, kanonikisht është themeluar karmeli i parë në historinë e kishës në Shqipëri. Ditët kalojnë njëra pas tjetrës dhe ja ku u bënë 10 vite që këto motra jetojnë në bashkësinë e Klauzurës, një jetesë kjo brenda këtij manastiri, brenda këtij territori. Jeta e motrave karmelitane karakterizohet kryesisht nga lutja ku, ditë e natë ofrojnë jetën e tyre të lutjes-miqësisë shpirtërore me Jezusin për Kishën në Shqipëri, për vëllezërit meshtarë dhe për mbarë besimtarët; është e gërshetuar prej jetës në bashkësi dhe në vetmi. Jeta me Zotin vazhdon edhe në bashkimin motëror. Sikurse kanë dy orë soditje në ditë, kanë të gërshetuar edhe dy orë argëtim, kjo është koha kur ato lirshëm mund të bisedojnë dhe shkëmbejnë përvojat shpirtërore. Në rrezatimin e heshtjes, përqendrimit, gëzimit, motrat kryejnë të gjitha punët që bëhen në një familje. Shtatë orë në ditë ato i kanë të caktuara orar për lutje, si dhe katër orë i kanë në dispozicion për vizita. Përgjatë orarit të vizitave, ato janë të lejuara të takojnë edhe familjarët dhe të afërmit e tyre, por gjithmonë sipas rregullit të klauzurës. Falë thirrjes së Zotit përveç shtatë motrave të para që erdhën në fillim, thirrjet janë shtuar, dhe numri ka arritur në 11 motra, 4 prej të cilave kanë marrë kushtet e para pikërisht në Karmelin në Nënshat, nën kujdesin e Ipeshkvit të vendit Imzot Lucjan Avgustini.RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama