HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-10-21 15:12:53
A+ A- Printo artikullin



Një lloj i vetëm në origjinën e njeriut? Ndizet debati pas publikimit të një studimi në “Science”



Origjina e njeriut vjen nga një specie e vetme. Kjo është hipoteza bazë e studimit të botuar në revistën amerikane shkencore “Science” (Shkenca) pas gjetjes së pesë kafkave, në Dmanisi të Gjeorgjisë – njerëz, që duhet të kenë jetuar 1,8 milion vjet më parë. Deri tani, mendohej se pas dukjes së species “Homo” rreth 2,5 milion vjet më parë, kanë ndjekur njëra-tjetrën në kohë specie të ndryshme, të gjitha të zhdukura, përveç “Homo sapiens”, origjina e njeriut të sotëm. Në të vërtetë, sipas paleontologëve të Muzeut Kombëtar Gjeorgjian në Tbilizi, në bazën e procesit evolutiv të njeriut qëndron një specie e vetme. Grupet e ndryshme të njerëzve janë variacion i llojit, në varësi të kushteve natyrore apo gjenetike. Studimi i ri, nëse verifikohet plotësisht, e ndryshon krejtësisht historinë e evolucionit të njeriut. Interesant, e konsideron studimin drejtori i Institutit Shkenca dhe Fe në Universitetin Papnor “Regina Apostolorum”, atë Rafael Paskual, i cili gjithsesi, mendon se ai duhet thelluar më tej. Ta dëgjojmë:
Duket se këto pesë kafka të gjetura në Dmanisi i përkasin së njëjtës periudhë dhe paraqesin morfologji shumë të ndryshme ndërmjet tyre. Kjo do të thotë se nuk jemi para specieve të ndryshme, por para individëve me morfologji të ndryshme, që i përkasin së njëjtës popullsi, pra, së njëjtës specie apo lloji.
Kjo do të thotë se në botë kanë ekzistuar njëkohësisht njerëz, që pavarësisht se në pamje ishin të ndryshëm, i përkisnin të njëjtit lloj. Si ndryshon teoria e evolucionit?
Pikë së pari, duhet të kemi parasysh karakteristikën kryesore të shkencës: duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Këto teori janë akoma të papjekura, në kuptimin se nuk është e thënë që ky propozim të jetë përfundimtar. Nëse mund të shprehemi kështu, jemi akoma në një kantier, ku ende punohet. Prandaj, nuk i duhet dhënë rëndësi të tepruar e nuk duhet vënë gjithçka në diskutim. Por pa dyshim, studimi shkon në drejtimin e origjinës së njeriut nga një “Burim” i vetëm.
Që për të krishterin është Zoti, pavarësisht nga rruga që ka zgjedhur për ta sjellë njeriun mbi Tokë. Ky zbulim, që ka nevojë për hulumtime të mëtejshme, sa vlen për dialogun ndërmjet fesë e shkencës?
Mendoj se ka rëndësi, sepse gjendemi sërish përballë çështjes themelore të origjinës së njeriut. E këtu duhet të bëj një sqarim: para pak ditësh lexova një artikull në një gazetë mjaft të përhapur italiane. Opinionisti thoshte se Kisha mbështet projektin e origjinës së njeriut nga një inteligjencë sipërore, por nuk është tamam kështu. Në mendimin e Kishës është e pranishme edhe shkenca, që nuk ndodhet në konflikt me fenë. Natyrisht, ka disa interpretime që e përjashtojnë origjinën hyjnore e nuk përputhen me mësimet e fesë, prandaj me to s’mund të jemi dakord. Por, të mbështesësh tezën se ekziston një plan i Zotit, i cili deshi ta krijojë njeriun dhe për këtë përdori një proces evolucioni, të studiueshëm nga shkenca, nuk është aspak kontradiktore. Problemi lind kur shkenca pretendon ta përjashtojë “a priori” ndërhyrjen e Hyjit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama