HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-21 15:11:31
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku pret luteranët: T’i kërkojmë falje njëri-tjetrit e të përparojmë në dialogun ekumenik



Të vijojmë rrugën tonë të “dialogut e të bashkimit”, u tha Papa Françesku luteranëve në audiencën e paradites me delegacionin e Federatës Luterane Botërore dhe me përfaqësuesit e komisionit për bashkimin luterano-katolik. Papa theksoi se, pavarësisht nga vështirësitë dhe mospërkimet, nuk duhet të heqim dorë nga angazhimi dhe nga lutja për bashkim.
Dialogu teologjik, lutja me besnikëri dhe bashkëpunimi vëllazëror: këto janë tri pikat që Papa Françesku mendon se janë themelore, për të përparuar në dialogun dhe në marrëdhëniet mes luteranëve dhe katolikëve. Duke vënë theksin tek “ekumenizmi shpirtëror”, Ati i Shenjtë tha:
“Ky përbën, si me thënë, shpirtin e ecjes sonë drejt bashkimit të plotë, dhe na lejon të shijojmë që tani ndonjë fryt të tij, edhe pse jo krejtësisht të pjekur. Në atë masë në të cilën i afrohemi me shpirt të përvuajtur Zotit tonë Jezu Krishtit, jemi të sigurt se afrohemi edhe me njëri-tjetrin dhe, në atë masë në të cilën do t’i kërkojmë Zotit dhuratën e bashkimit, të jemi të sigurt se Ai do të na marrë për dore e do të jetë prijësi ynë”.
Pastaj Papa kujtoi dy përvjetore domethënës: 50-vjetorin e dialogut teologjik dhe, mbi të gjitha, pesëqindvjetorin e reformës në 2017. Është e rëndësishme, shtoi Papa, “të ballafaqohemi, përmes dialogut, rreth realitetit historik të Reformës, rreth rrjedhojave të saj e përgjigjeve që iu dhanë”:
“Katolikë e luteranë mund të kërkojnë falje për të këqijat që i kanë bërë njëri-tjetrit dhe për fajet që kanë para Hyjit. Së bashku mund të gëzohen për nostalgjinë për bashkim, që Zoti ka zgjuar në zemrat tona, dhe për faktin se Ai në bën të shikojmë përpara me shpresë”.
Në dritën e rrugës së bërë gjatë këtyre dekadave dhe të “shembujve të shumtë të bashkësisë vëllazërore mes luteranëve e katolikëve”, vijoi Papa, “jam i sigurt se do të dimë ta çojmë përpara dialogun dhe bashkimin”. Këtë, tha Papa, mund ta bëjmë “duke u përballur edhe me çështjet themelore, sikurse edhe me mospërkimet që lindin në fushën antropologjike dhe etike”:

“Sigurisht, vështirësitë nuk mungojnë e nuk do të mungojnë. Do të ketë ende nevojë për dialog, për mirëkuptim të ndërsjellë, por nuk duhet të kemi frikë! E dimë mirë – sikurse na e ka përsëritur disa herë Benedikti XVI – se bashkimi nuk është pikë së pari fryt i përpjekjeve tona, por i veprimit të Shpirtit të Shenjtë. Atij duhet t’ia hapim zemrat me besim, që të na prijë në rrugët e pajtimit dhe të bashkimit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama