HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-22 14:47:22
A+ A- Printo artikullin



Papa Gjon Pali II foli edhe në gjuhën shqipe



Gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II foli disa fjalë e fraza në gjuhën shqipe, sigurisht shumë më tepër sesa përmbajnë të tre dokumentet e para të shqipes së shkruar. Ndonëse poliglot i mirënjohur, që i bënte menjëherë të vetat gjuhët kryesore të botës, me dy prej tyre nuk e pati aspak të lehtë: me gjuhën hungareze dhe me atë shqipe. Kishte vështirësi posaçërisht për shqiptimin e bashkëtingëlloreve të dyfishta, të ‘th’-së për shembull. Megjithatë, provoi e ia doli mbanesh t’i linte trashëgim popullit shqiptar disa nga urimet më të përzemërta, që i janë drejtuar ndonjëherë, duke nisur nga urimet e përvitshme për Pashkë e për Krishtlindje, formuluar gjithnjë në formën: “Për shumë vjet Pashkët” dhe “Për shumë vjet Krishtlindjen”.
Ja disa prej shprehjeve përshëndetëse e uruese shqip, gjatë shtegtimit të Papës Vojtila në Shqipëri:
Fjala e tij e parë drejtuar shqiptarëve niste me përshëndetjen shqip:“Zoti President!
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe të Parlamentit! Të nderuar vëllezër Ipeshkvij!
Anëtarë të shquar të Trupit Diplomatik!Vëllezër e motra shqiptarë, fort të dashur!”.
Kjo në fillim të fjalimit, ndërsa në fund, “Edhe një herë ju përshëndes me gjithë zemër”.
Në Shkodër, pastaj, në homelinë e Meshës më të jashtëzakonshme, përjetuar ndonjëherë nga Katedralja e qytetit të Veriut, që provoi jo pak trandje historike:
“Vëllezër e motra, qoftë lëvduar Jezu Krishti!”.
Në përfundim: “Vëllezër e motra! Me të vërtetë kjo është dita e falur prej Zotit: të ngazëllohemi dhe të gëzohemi në të. Amen!”.
Në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, drejtuar nga ballkoni i kryeipeshkvisë popullit të martirizuar të Shkodrës, që e ndiqte në ekstazë, urata zhgjetore, që mund e duhet ta përsërisë çdo i krishterë shqiptar: “O Zoja e Shkodrës, Pajtorja e popullit shqiptar, lutu për ne!”.

Së fundi, në përshëndetjen e lamtumirës, Fjala e Gjon Palit II në gjuhën shqipe, drejtuar mbarë popullit shqiptar:
“Vëllezër e motra shqiptarë: ju pëshëndes përzemërsisht!”.Në përfundim të vizitës: “Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat!”.
Nuk duhen harruar, pastaj, edhe përshëndetjet e vazhdueshme drejtuar shtegtarëve shqiptarë, gjatë audiencave të ndryshme, kur gardhi i hekurt ra e më në fund shumë besimtarë e jo besimtarë, më veti e me grupe, të shoqëruar edhe nga ipeshkvijtë e tyre, nisën të ndjekin në Sheshin e Shën Pjetrit e në Sallën e Palit VI, audiencat e Gjon Palit II, ëndërruar aq shumë gjatë viteve të ngujimit e të izolimit nga mbarë bota. Nuk mund të mos kujtojmë këtu shtegtimin e madh në Gjenacan, më 27. 05. 1995 dhe pritjen e përzemërt që u bëri Papa shtegtarëve në Vatikan. Kujtime të paharrueshme, të shpërndara në shiritat e arkivit të Radio Vatikanit e të Programit Shqip pranë kësaj Radio, Radio e Papës! Të cilat po i përfundojmë me bekimin e Gjon Palit II, në Sallën Klementina, në Vatikan, drejtuar shtegtarëve, që kishin ardhur për t’u takuar me Pajtoren e tyre, Zojën e Këshillit të Mirë e me Papën:
“Zoti e ruajtë Atdheun tuaj. Zoti e mbrojtë popullin shqiptar në mbarë botën!”.








Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama