HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-22 14:48:08
A+ A- Printo artikullin



"Tu es Christus": 12 poezi të të Lumit Gjon Pali II



1. Ndërgjegjja

Nuk mund t’i ndryshoj
unë fatet e botës!
S’jam unë që luftërat i shpall.
E s’di, jam unë me ty,
a ndoshta jam kundër teje?
S’mëkatnoj,
po gjithëkjo m’ trazon fort.

Pushkë prodhoj,
e më duket se s’dëmtojnë,
grimca që kullojnë gjak,
e s’vras asnjë njeri.

E pra, mund të krijoj një botë tjetër,
gjithë bashkë mund ta krijojmë
një botë që askush nuk e shemb,
s’e rrënon, s’e poshtëron, s’e gënjen...

Nuk është e bukur, e di,
bota që unë krijoj,
Mes jetës e vdekjes rri varur,
E pra s’jam unë që e shëmtoj.



2.Thjeshtësia jote

Pranë Teje rri,
e sytë t’i nguli:
në bebëz kryqëzohen
udhët yjore

e sytë e Tu
që krejt pa bujë,
zemrat sundon.
Merr dritë prej yjesh
e të mbush me dritë

Pranë teje rri,
ditën mendoj
kur dora jote,
thjeshtësia jote,
që në shplakë mban botën
do ta ndalë dritën
pezull mbi ne!



3 Kumbo, ti shpirti im!

Lumturinë time ty ta mblatoj, o Zot,
se shpirtin ma mbushe me tinguj.
Dy sytë e mi shkrihen me kaltërsinë,
që melodi pikon
në korda të zemrës këngëtare.

Këndo, ti shpirti im!
Në gojë s’ke veç një gjuhë
për të thënë vetëm një fjalë.
Këndo me të gjitha gjuhët,
lumninë engjëllore të Zotit!

Me ritëm tënd ma përkunde rininë.
Ma ndeze gjakun me kelkun e jetës,
E bekoj farën që më hodhe në shpirt:
Jam dhe pjellor i arave tua,
e shkëmb i fortë, që ti e skalit.

Do të ec pa dredhuar
ndër shtigjet e tua:
me zjarrin e mallit për jetë.
E himne për Ty do të këndoj!

Këndo, pra shpirti im,
lumninë e Zotit këndo,
në himnin
që kurrë s’ka mbarim.



4. Mrekullia e nënës

Mistershëm drita depërtonte,
në fillim,
e ëmbëlsisht rrezatonte
mendimin që prej kohe
e di si të vërtetë:
Se nëna ndjen
me sy edhe me duar
mbi foshnjën kur përkulet.

Ndrisnin e flisnin e këndonin
Fjalët përhumbur
në gji të mrekullisë;
bëheshin duar,
të miat shtrëngonin.
Ti kishe një emër.
Emri yt ishte Nënë.
E syri yt depërtonte
deri në zemrën e jetës.

E pra ti dukesh
si nënë mes nënash,
në familjet e varfëra,
që u mësove t’i duash.

Veç unë e dalloja dritën,
që i printe çapit tënd.
Nuk ishte drita ime,
unë s’kisha dritë për të dhuruar.

E pra, kur dola teje,
kur unë e ti u bëmë dy,
ma fale dritën tënde;
më mësove të vërtetën,
se nëna di të ndjejë
me sy edhe me duar,
kur përmbi djep përkulet.




5. Shpirt brenda shpirtit

Një herë unë veshin
mbi dhe e mbështeta,
e depërtova në thellësi,
atje ku lindin tingujt
që pastaj luajnë
mbi kordat tua tingëlluese
e zbresin në fund të shpirtit
e dalin përsëri e përhapen
në largësi.

Tingëllo, natyrë!
Jam grimca jote,
tingull në akord,
t’ frymëzimit tënd!
Shpirt brenda shpirtit.

S’i ndal korrentet të kalojnë
se mbartin me vete,
melodi.

Ti luaj me gjithë shpirt
mbi telat e harpës së dridhshme.
Me notat tua më prij,
më prij në të katër erërat.
T’tingëllojë në shark lahute
dhe kënga e shpirtit tim.
Oh! Tinguj, muzikë melodi,
Ti, i Gjithëpushtetshëm, harmoni!

Tingëllo natyrë!
Jam tingull këngëtar në akordin tënd
të frymëzuar.

S’i ndal korrentet të kalojnë
se mbartin me vete
melodi.

Hapësirën tënde e kam në shpirt,
në shpirt kam paqen tënde,
Paqen pa fund,
tingëllo....



6. Kënga e diellit të pashuar

Shpirti s’është fletë
që këputet e zhduket,
kur zverdhet gjethnaja.
Ecën gjithnjë drejt diellit,
larg e më larg, tek e padukshmja.
Elispi - gjithnjë më i hapët,
e rrethon:
kënga e diellit
me zjarr të pashuar.

Shpirti s’është pluhur.
Mund të dridhet rishtas,
kur dielli lind përsëri.
Gjethit s’i mjafton agu,
që kthehet mahnitshëm për ditë.

Vdekja është rrezja më e shkurtër
që shpresat i ndrin.
Sytë tu do të ngulen në shpirt
si dielli.
Do të çikin horizontin,
Pastaj do të bjerë muzgu.

Shpirti s’është gjethe,
s’e ndal shtegtimin e diellit.
Vjen dita, e zbret bashkë me të
në hark të perëndimit.
Atje e arrin, atje ndalet,
e diellit nuk i ndahet.
Këngës së diellit të pashueshëm.
Diellin e ndjek përsëri,
gjithnjë më larg,
drejt së padukshmes.
Vdekja
është rrezja më e shkurtë!



7. Fjalë

Bota është plot
me hije të fshehura:
s’kam frikë t’i padis,
t’i quaj me emër!
E fjalët e mia
nuk shuhen,
një forcë e pamposhtur i shtyn.
Nuk rrjedhin me vrull, porsi uji,
si gurët n’ rrokullisje nga mali.
Rryma të vrullshme mendimi
vërshojnë në mendimin tim.
Në reflektim më reshen,
me mijëra pikëza urtie.

Netëve pa yje
kërkoj thellësitë.
S’i fshihen dot syve
si drurët pas gjethimit,
si fshihet insekti,
pas perdesh kristali.

Në reflektim më reshen,
me mijëra pikëza urtie.
Netëve pa yje
kërkoj thellësitë...


8. Dashuri

Shpresoj se ju të gjithë,
dikush e gjithkush ju do fort,
ju ngroh, ju ndih e ju ndrin,
e zemrën jua mbush plot,
me zemrën e njerëzimit...

Njeriu duhet të kuptojë
së paku për një çast,
se zemra njerëzore ka etje,
se etja duhet shuar.

Se mund të kesh gjithçka
e të mos kesh hiç asgjë.

Pasje pa gëzim,
ditë pa jetë,
se re e harruar në qiell
e varkë e vetmuar në det!

Shpresoj se ju të gjithë,
dikush e gjithkush ju do fort,
ju ngroh, ju ndih e ju ndrin,
e zemrën jua mbush plot.

Jezusi zbriti mes nesh
me dashurinë e Zotit,
erdhi plot dashuri
e dashuri kërkon.

Se mund të kesh gjithçka
e të mos kesh hiç asgjë,
kur nuk ke dashuri.
Kur Krishtin në zemër s’e ke!


9 Dashuri e lumnuar

Kjo dashuri ma ndriti gjithçka,
gjithçka është për mua
kjo dashuri.
Prandaj dashurinë e dua
kudo lulëzon, sidomos,
kur lulet i çel në shpirtin tim.

E duke qenë se unë jam
hapësirë hapur rrymash,
e heshtur,
valën e qetë e kujtoj
që dritën zbulon nëpër hone,
e ndriçon shpirtin tim.

Në heshtjen e thellë
s’më shqetësojnë,
kujtimet e ditëve që shkuan.
Gjithçka ma shpjegon dashuria,
në dashuri gjej gjithçka.

10. Mirënjohje

E çka mund të t’jap, që rri kaq pranë meje
e më ndrin me gjuhë flakësh në shpirt
e rrahjet ritmon në zemër time?

Çka mund të t’jap për besimin,
që e mbyll në bebëz të ferishtes,
e bëhet lumturi
që hija e dhimbjes s’e prek?

Si mund të falënderohet deti
me valët që i shembëllejnë
betejave të mia të përditshme?
E dielli, si mund të falënderohet,
që s’më braktisi kurrë,
si s’e braktis kurrë ditën
në terr të natës së gjatë?

E çka mund të t’jap,
që rri kaq pranë meje...

E çka mund të t’ jap për dashurinë
që vë në zemër të ferishtes,
zemër që kurrë trishtimi
nuk e pushton?

Si mund ta falënderoj detin...

Ç’mund të të jap, që më mbron
e nuk më harron asnjë çast?
E si mund të kesh, Zoti im,
besim në një, si jam unë?

Si mund ta falënderoj detin...



11. Liria

Liria është betejë
që duhet luftuar çdo ditë.
Liria nuk pushtohet
një herë e përgjithmonë.

Liria është lufta më e rreptë,
luftohet ditë për ditë,
në djersë të ballit tënd,
në shpirt, në thellësi.

Liria paguhet shtrenjt,
me çmimin e vetvetes.
Gjithçka me fund ta kërkon,
se me fund gjithçka prap ta jep.

Liria është dhanti
që ta mbush zemrën plot
Por s’mund ta shijosh po s’luftove
deri në të fundmen pikë gjaku.

Flatra të kërkon, fluturime,
të sulesh drejt diellit me hov.
U ndale vetëm një çast,
Mjafton! E humbe lirinë.

Mbi flatra të peshon historia,
je shtyllë e plasaritur,
e një pallati të stërlashtë
që pret ta përtërish ditë për ditë.

Liria kushton shtrenjt...



12. Nanë

“Mbi vorrin tand të bardhë,
Shpërthejnë lulet e jetës.
Sa vjet, oh! Nanë, pa ty,
Se vjeta ngau mbas vjetës!

Mbi vorrin tand të bardhë,
Mbi rrasë, që randon fort,
Lulet losin me diell,
E jeta lot me mort.

Mbi vorrin tand të bardhë
O Nanë, dash’ni q’u shkim,
Fjollë kêmi flut’ron lutja:“Zot, jepja t’pasos’nin pushim!”.

Përmbajtja:
1. Ndërgjegjja
2. Thjeshtësia jote
3. Kumbo, ti shpirti im
4. Mrekullia e nënës
5. Shpirt brenda shpirtit
6. Kënga e diellit të pashuar
7. Fjalë
8 Dashuri
9. Dashuri e lumnuar
10. Mirënjohje
1. Liria
12. Nanë!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama