HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-22 17:10:30
A+ A- Printo artikullin



Imzot Myler flet për martesën, familjen dhe kujdesin baritor ndaj të divorcuarcve



Martesa mes një burri e një gruaje të pagëzuar është një sakrament që prek realitetin personal, social e historik të njeriut. Me këtë pohim hapet artikulli i Imz. Mylerit, botuar në numrin e sotëm të gazetës “Osservatore Romano”. Nga leximi i Ungjillit sipas Markut, Mateut e Lukës del se pakti, që lidh ngushtë e në mënyrë të ndërsjellë bashkëshortët, është themeluar nga vetë Hyji dhe është shenjë e besëlidhjes së Krishtit me Kishën, që ndërmjetëson hirin e këtij pakti. Edhe Etërit e Kishës dhe Koncili i Trentos e kanë përjashtuar divorcin dhe martesën e dytë, duke përjashtuar nga sakramentet të ndarët e rimartuar. Për më tepër, kanonistët e kanë quajtur “praktikë shpërdoruese” praktikën e Kishës Lindore, që lejon divorcin, në bazë të zemërgjerësisë baritore, për rastet e vështira, dhe i hap rrugën martesës së dytë apo të tretë. Imzot Myler thotë se kjo është çështje ekumenike që nuk duhet nënvlerësuar. Kushtetuta baritore Gaudium et Spes, fryt i Koncilit II të Vatikanit, rithekson se martesa është institucion i qëndrueshëm, ”i themeluar mbi të drejtën hyjnore dhe që nuk varet nga vendimet e njeriut”. Pazgjidhshmëria bëhet, falë sakramentit, “shëmbëllimi i dashurisë së Hyjit për popullin e tij dhe i besnikërisë së Krishtit ndaj Kishës”.
Të njëjtën doktrinë mbi martesën e ripohojnë edhe dokumentet e vona të Kishës, të firmosura nga Gjon Pali II e Benedikti XVI, si Familiaris Consortio (1981) e Sacramentum Caritatis (2007), letra e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, e botuar në vitin 1994, dhe mesazhi i Sinodit të 2012 mbi ungjillëzimin e ri. Në të gjithë këta dokumente thuhet se të krishterët e ndarë e të rimartuar nuk mund të marrin kungimin, sepse jeta e tyre bie në kundërshtim me dashurinë që bashkon Krishtin me Kishën dhe që shprehet më së miri në eukaristi.
Megjithatë, të gjitha dokumentet e përmendur, flasin për kujdesin baritor ndaj të divorcuarve të rimartuar, me qëllim që të kuptojnë se qëndrimi ndaj tyre nuk ka si synim diskriminimin, por besnikërinë absolute ndaj vullnetit të Krishtit. Një tjetër aspekt, që thekson Imzot Myler në artikull, është ai i nevojës për të vërtetuar vlefshmerinë e martesës në kohën tonë, kur kuptimi i saj bie ndesh me kuptimin që ka kisha për këtë sakrament: “Aty ku nuk është e mundur të shihet qartë mosqenia e martesës së mëparshme, - shkruan Prefekti – është e mundur zgjidhja në rrëfim dhe kungimi eukaristik, nëse bashkëshortët jetojnë bashkë si miq, si vëlla e motër”. Artikulli thekson edhe se duhen shmangur bekimet e lidhjeve të parregullta. Marrëdhënia e qëndrueshme dhe e gjatë është në përkim me natyrën shpirtërore e morale të njeriut: “Martesa është diçka më shumë se ndjenja e instinktit. Ajo është, në thelb, përkushtim. Në dashurinë bashkëshortore dy veta i thonë njëri-tjetrit me vetëdije e vullnet të lirë: ‘Vetëm ty e ty përgjithmonë’. Kisha nuk mund ta gjykojë martesën me kriteret pragmatiste të kohës sonë, sepse martesa e të pagëzuarve ”ka karakter sakramental dhe përfaqëson një realitet të mbinatyrshëm”.
Në artikull, Imzot Myler pranon se ka situata në të cilat bashkëjetesa martesore bëhet praktikisht e pamundur, siç mund të jenë rastet e dhunës fizike apo psikologjike. Në këto kushte të dhimbshme, “Kisha ka lejuar gjithmonë që bashkëshortët të mund të ndaheshin e të mos jetonin më bashkë”, me kusht që lidhja martesore “të mbeste e qëndrueshme para Hyjit” dhe bashkëshortët e ndarë të mos ishin të lirë të martoheshin derisa njëri prej tyre të ishte gjallë.
Artikulli prek edhe argumentin se çështja e marrjes së kungimit për të divorcuarit e rimartuar duhet të jetë diçka që u përket ndërgjegjes së tyre. Ky argument nuk është i vlefshëm, thotë Imzot Myler, sepse pavlefshmërinë e martesës së mëparshme nuk duhet ta shpallin vetë palët e ndara, por autoriteti gjyqësor i Kishës.
Arsyetimit se sjellja njerëzore nuk mund të përshtatet gjithmonë me një ligj të caktuar, edhe kur ky është i vlefshëm, nuk është i mjaftueshëm për ta vënë në dyshim pazgjidhshmërinë e sakramentit, sepse e drejta martesore është e drejtë hyjnore.
As përmendja e mëshirës hyjnore, si argument për të trajtuar ndryshe çështjen e martesave të dështuara, nuk është i mjaftueshëm, sepse rrezikon të shtrembërojë vetë shëmbëllimin e Hyjit: “Mëshira e Hyjit nuk është një lirim nga urdhërimet e tij dhe nga mësimet e Kishës, shpjegon Imzot Myler, sepse misterit të Hyjit i përkasin edhe shenjtëria dhe drejtësia, veti që nuk duhet të mbesin të fshehura.
Duke përfunduar Imzot Myler thotë se kujdesi baritor ndaj të divorcuarve të rimartuar nuk duhet kufizuar vetëm tek çështja e kungimit, sepse ka të tjera mënyra për t’u bashkuar me Hyjin, si feja, shpresa, dashuria, pendesa e lutja.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama