HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-22 15:35:36
A+ A- Printo artikullin



Papa: Hyji nuk na shpëton me dekret



Kundrimi, afria, begatia. Rreth këtyre tri fjalëve e ndërtoi homelinë Papa Françesku në meshën e paradites në Shtëpinë e Shën Martës. Papa ritheksoi se Hyji nuk mund të kuptohet vetëm me anë të inteligjencës dhe se “sfida e Hyjit” qëndron tek “përzierja” e tij në jetën tonë, për të shëruar plagët tona, pikërisht siç ka bërë Jezusi.
Për të hyrë në misterin e Hyjit nuk mjafton inteligjenca, por duhen “kundrimi, afria e begatia”. Papa mori shkas nga leximi i parë e liturgjisë së sotme, nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve dhe tha se Kisha, kur dëshiron të na thotë diçka mbi misterin e Hyjit, përdor vetëm një fjalë: mrekullisht. Ky mister, nënvizon Papa, është një mister i mrekullueshëm:RealAudioMP3
“Kundrimi i misterit, këtë që na thotë këtu Pali, mbi shpëtimin tonë, mbi shëlbimin tonë, kuptohet vetëm në gjunjë, në kundrim. Jo vetëm me anë të inteligjencës. Kur inteligjenca do të shpjegojë një mister, gjithmonë – gjithmonë! – çmendet. Kjo ka ndodhur në historinë e Kishës. Kundrimi: inteligjencë, zemër, gjunjë, lutje… të gjitha bashkë. Të hysh brenda misterit! Kjo është fjala e parë që ndoshta do të na ndihmojë”.
Fjala e dytë, që na ndihmon të hyjmë brenda misterit, tha Ati i shenjtë, është “afria”. “Një njeri ka bërë mëkatin – theksoi – një njeri na ka shpëtuar”. Është Hyji afër nesh!” Në vijim Papa tha se Hyji është afër historisë sonë që nga momenti i parë, kur thirri Atin tonë Abrahamin dhe eci me popullin e vet. Kjo shihet edhe me Jezusin, që bën punën e zejtarit, të zdrukthëtarit:
“Shëmbëllimi, që më vjen mua, është ai i infermierit, i infermieres në një spital: i shëron plagët një nga një, por me duart e veta. Hyji përfshihet, përzihet në mjerimet tona, u afrohet plagëve tona e i shëron me duart e veta. Për të pasur duar, është bërë njeri. Kjo është puna e Jezusit, vetëm e tija. Një njeri ka bërë mëkatin, një njeri vjen për ta shëruar. Afria. Hyji nuk na shëlbon vetëm me një dekret, me një ligj. Na shpëton me butësinë, na shpëton me ledhatimet, na shpëton me jetën e vet, për ne”.
Fjala e tretë, vijon Papa, është: begatia. Ku qe i shumtë mëkati, hiri qe i begatë. Secili prej nesh ka mjerimet e veta, që i njeh mirë e janë të shumta. Por, sfida e Hyjit është fitorja, shërimi i plagëve, siç bëri Jezusi. Madje edhe më shumë: sfida e Hyjit është dhënia e dhuratës së begatshme të dashurisë së Tij, të hirit të Tij. Në këtë mënyrë, na kujton Papa, kuptohet parapëlqimi i Jezusit për mëkatarët:
“Në zemrën e këtyre njerëzve, mëkati ishte i shumtë. Por Ai u dilte para me begatinë e hirit dhe të dashurisë e tij. Hiri i Hyjit fiton gjithmonë, sepse Ai jep veten e vet, afrohet, na përkëdhel, na shëron. Pikërisht për këtë arsye, por, ndoshta disave nga ne nuk na pëlqen ta themi këtë, megjithatë, ata që janë më afër zemrës së Jezusit janë më mëkatarët, sepse ai shkon e i kërkon, i thërret të gjithë: ‘Ejani, ejani!’. Kur i kërkojnë shpjegim, thotë: ‘Po ata që janë mirë me shëndet, nuk kanë nevojë për mjekun? Unë erdha për të shëruar, për të sjellë shpëtimin”.
Disa shenjtër, përfundoi Papa, thonë se njëri prej mëkateve më të shëmtuara është dyshimi: të dyshosh për Hyjin. Por, pyet, si mund të dyshojmë për një Hyj kaq të afërt, kaq të mirë, që parapëlqen zemrën tonë mëkatare? Këtë mister nuk është e lehtë ta kuptojmë, nuk kuptohet mirë me anë të inteligjencës, prandaj ndoshta mund të na ndihmojnë këto tri fjalë: kundrimi, afria, begatia. Ai është një Hyj, që fiton gjithmonë me begatinë e hirit të tij, me butësinë e tij, me pasurinë e mëshirës së vet.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama