HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-23 14:33:32
A+ A- Printo artikullin



P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Hyji Atë



Në qendër të reflektimit të 17-të të ciklit kushtuar Katekizmit të ri të Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit, është “Hyji Atë”. Pse e quajmë Hyjin Atë e cilat janë tiparet e Atit të amshuar? Na e shpjegon jezuiti, atë Dariush Kovalçik.RealAudioMP3

“Besoj në Hyjin Atë”, dëshmojmë në krye të Besojmës. Po pse duhet ta quajmë Hyjin tonë “Atë”? Katekizmi na thotë se në Besëlidhjen e Vjetër Hyji quhej “Atë”, falë krijimit të universit e Besës së lidhur nga Hyji me popullin e Izraelit. Nga njëra anë Atësia Hyjnore është zanafillë parësore e transhendente, ndërsa nga ana tjetër, kujdes plot dashuri për njerëzit (cfr KKK 238-239).

Por para së gjithash, ne e quajmë Hyjin ‘Ati ynë’ sepse Jezusi na e zbuloi Hyjin si Atë: “Askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e atij, që Biri dëshiron t’ia zbulojë”. (Mt 11, 27).
Jezusi na e zbulon Hyjin, Atin e amshuar, na zbulon vetveten, si Bir i lindur në amshim nga Ati, e pastaj na zbulon Shpirtin Shenjt, dashuri e amshuar ndërmjet Atit e Birit.

Jezusi na zbulon edhe se atësia hyjnore ndaj njeriut nuk qëndron vetëm në veprën e krijimit. Ajo shprehet kryesisht në projektin, që na bën “pjesëtarë të jetës hyjnore” (2 P1,4). Ati tokësor i jep birit natyrën njerëzore, Ati i amshuar dëshiron të na bëjë pjesëmarrës të natyrës së Tij hyjnore. E ky është për ne Lajmi i Mirë. Shën Pali pohon se kemi marrë shpirtin e bijve, e “nëse jemi bij, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, të thirrur për të marrë pjesë në lumninë e Tij” (Rm. 8,17).
Fakti që Hyji është Atë, nuk ka të bëjë fare me seksin mashkullor. Hyji Atë nuk është mashkull. Hyji është Hyj. Prej këndej mund të themi se në atësinë e tij është edhe amësia. Gjon Pali II, duke interpretuar shembëlltyrën e djalit plangprishës, pati thënë: “Ati i mëshirshëm i shembëlltyrës, duke u lartuar mbi natyrën njerëzore, përmban në vetvete të gjitha tiparet e atësisë e të amësisë”. Hyji i amshuar është burim e zanafillë e gjithë atësisë dhe e amësisë së vërtetë, që i gjejmë në gjithësi.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama