HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-24 14:35:21
A+ A- Printo artikullin



Drita e fesë IV



Kapitulli i dytë i enciklikës Drita e fesë shtron pyetjen mbi rolin që ka feja në përpjekjen e njeriut për të kuptuar jetën dhe realitetin. Për të arritur tek kuptimi i realitetit, duhet sqaruar koncepti i së vërtetës, që në kohën tonë është në krizë. Shkruan Papa: “Theksimi i lidhjes së fesë me të vërtetën është sot më i domosdoshëm se kurrë, pikërisht për shkak të krizës së të vërtetës që po përjetojmë. Në kulturën bashkëkohore dallohet prirja për të pranuar si të vërtetë vetëm të vërtetën teknologjike: është e vërtetë ajo që njeriu arrin të ndërtojë e të masë me anë të dijes së vet, është e vërtetë sepse funksionon dhe kështu e bën jetën më të lehtë e më të kolljashme.” (n. 25). Dija shkencore nuk sjell domosdo kuptmin e thellë të realitetit, prandaj enciklika mbështetet tek vargu i profetit Isaia, që në hebraisht thotë: “Nëse nuk do të besoni, nuk do të qëndroni”. Në greqisht ky varg është përkthyer kështu: “Nëse nuk do të besoni, nuk do të kuptoni” (Is 7,9). Kuptimi i realitetit vjen përmes besimit, fesë.
Në fillim Papa sqaron se përkthimi në greqisht i fojles hebraike qëndroj me foljen kuptoj, jo vetëm nuk e tradhëton domethënien fillestare të fjalës hebraike, por jep përmbajtjen e saj të vërtetë. Ushtria e Izraelit duhet të besojë tek Hyji, për të qëndruar ndaj kundërshtarit. Meqë Hyji është i besueshëm, është e arsyeshme të kesh fe në Të, ta mbështesësh sigurinë tënde mbi Fjalën e Tij: “Qëndresa, që i premton Isaia mbretit, kalon përmes kuptimit të mënyrës si vepron Hyji e të unjësimit që i jep Ai jetës së njeriut dhe historisë së popujve” (n. 23). Ky citim biblik na kujton edhe se “feja, pa të vërtetën, nuk na shpëton, nuk i bën të sigurt hapat tanë. Mbetet një përrallë e bukur, projektimi i dëshirave tona për lumturi, diçka që na kënaq vetëm në atë masë në të cilën duam të gënjejmë veten” ( n.24). Prandaj, “pikërisht falë lidhjes së brendshme që ka me të vërtetën, feja mund të ofrohet si dritë e re, më e madhe se llogaritë e mbretit, sepse sheh më larg, sepse kupton mënyrën si vepron Hyji, që i rri besnik besëlidhjes dhe premtimeve të veta” (n. 24).
E vërteta, megjithatë, duhet të dalë nga horizonti i ngushtë i kuptimit vetjak të saj, duhet të çlirohet nga kafazi subjektiv, që krijohet nga kushtet rrethanore të një njeriu apo të një grupi të caktuar, dhe duhet kundruar në horizontin e madh, që përfshin edhe subjektin, edhe grupin, edhe një periudhë kohe të caktuar. Enciklika na kujton se “e vërteta e madhe, e vërteta që shpjegon tërësinë e jetës vetjake dhe shoqërore, shihet me dyshim. A nuk qe ky mëtimi i totalitarizmave të mëdha të shekullit të kaluar: e vërteta, që e impononte konceptimin e vet global për të shtypur historinë konkrete të individëve?” (n. 25)
Nëse horizonti i madh i kuptimit të së vërtetës hidhet poshtë, për shkak të nevojës për të pranuar si të vërtetë vetëm atë që është e vërtetueshme personalisht, rrëshqasim domosdo në relativizëm. Cila është, atëherë, rruga për t’u hapur ndaj së vërtetës së madhe, pa asgjësuar njeriun?
Kjo pyetje na çon drejt njohjes me anë të fesë. Shën Pali na thotë se “Besohet me zemër” (Rom 10,10). “Zemra, në Bibël, është qendra e njeriut, ku ndërthuren të gjitha përmasat e tij: trupi dhe shpirti; brendia e njeriut dhe hapja e tij ndaj botës e ndaj të tjerëve; intelekti, vullneti dhe dashuria. Mirëpo, nëse zemra mund të mbajë të lidhura këto përmasa, kjo ndodh sepse ajo është vendi ku i hapemi së vërtetës e dashurisë dhe lejojmë të na prekin e të na shndërrojnë në thellësi. Feja e shndërron tërë njeriun, pikërisht sepse ajo është e hapur ndaj dashurisë” (n. 26).
E veçanta e të kuptuarit me anë të fesë, pra, gjendet pikërisht në këtë forcë, që ka feja, për të bashkuar të gjitha përmasat e ekzistencës, pa dëmtuar asnjë grimcë të saj. Përkundër çdo të vërtete ideologjike, që mohon larminë e përvojave vetjake të së vërtetës së madhe, feja i mundësion njeriut të shikojë horizontin e madh të së vërtetës dhe ecjen drejt tij, si çlirim nga kufizimet e të vërtetave të vogla mekanike dhe shkencore.
Feja lidh dashurinë me të vërtetën: “Nëse dashuria nuk ka lidhje me të vërtetën, i nënshtrohet luhatjes së ndjenjave dhe nuk e kalon provën e kohës. (...) Pa dashurinë, e vërteta bëhet e ftohtë, pavetore, shtypëse për jetën konkrete të njeriut. E vërteta që kërkojmë, ajo që i jep domethënie ecjes sonë, na ndriçon, kur të prekemi nga dashuria” (n. 27).
Dashuria, pra, është mënyra për ta njohur të vërtetën pa e përdorur për të ushtruar pushtet dhe pa u shtypur nga pushteti i saj. Feja na jep këtë kuptim të së vërtetës, sepse është njohje përmes dashurisë.RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama