HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-25 13:30:45
A+ A- Printo artikullin



Deklaratë e ipeshkvisë së Prizrenit mbi fjalimin e kryeministrit turk Erdogan



ADMINISTRATURA APOSTOLIKE E PRIZRENIT
ADMINISTRATIO APOSTOLICA PRISRIANENSIS

Prishtinë, 24 tetor 2013Deklaratë
Dje në Kosovë, që në agim, ishte një ditë e bukur me diell, e thuajse po e përgatiste ngjarjen e mesditës, kur pritej inaugurimi i terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, një ngjarje që duhet të na gëzojë të gjithëve. Prania e autoriteteve të larta shtetërore të Kosovës, të Shqipërisë, të shtetit të kompanisë investuese, dhe autoriteteve tjera politike, kulturore dhe ekonomike, vetëm sa e rritën solemnitetin e kësaj ngjarje të rëndësishme. Kjo ngjarje edhe njëherë dëshmojë se Kosova përditë e më shumë po arrin të krijojë marrëdhënie të mira ndërshtetërore me shumë shtete, pa kompleksin lindje-perëndim.
Dihet tashmë, se, në vendin tonë, në të kaluarën, janë përplasur qytetërime dhe kultura, janë “matur” forca dhe janë ndarë përfitime. Është mirë që tani Kosova të jetë një vend ku qytetërimet takohen, ku kulturat gërshetohen, ku dominon forca e ideve dhe ku formësohen qëllimet e së mirës së përbashkët, për gjithë popujt.
Mirëpo, sikur në fund të çdo dite bie muzgu dhe errësira i vë nën pushtetin e vetë gjitha gjërat, ashtu ndodhi dje pasdite në Prizren, ku doli në pah ligështia nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqve (“vëllezërve të disave”) dhe dëshira e kryeministrit turk Erdogan që të jetë padroni i shqiptarëve. Kjo e la një hije të keqe mbi bukurinë e ditës së djeshme.
Ka një kohë prej kur autoritetet e ndryshme të Turqisë, provokojnë me ide neootomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenunit shqiptar. Mirëpo, me fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të heshtur.
Porse, fjalimi i djeshëm i z. Erdoganit në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zâ padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen.
Derisa dëgjoja këtë fjalim, mu kujtue fjalimi i ngjashëm ogurzi në Fushë Kosovë, para më shumë se dy dekadave, ku me një dalldisje e tillë triumfaliste, nxitej masa me shpresa të rrejshme. Por, ne e dimë dhe jemi dëshmitarë se sa të këqija dhe sa mjerime ka bartë në vete koha dhe përvoja jonë njerëzore, që atëherë e deri te liria jonë.
Mbi të gjitha dua t’i them tri gjëra:

    Popujt vëllazërohen dhe miqësohen, personat krijojnë vëllazëri dhe miqësi, por secili rri zot në shtëpi të vet. Ne mund të quhemi vëllezër, por kur vëllezërit e teprojnë, dinë t’i thonë njëri-tjetrit “ti n’shpi tane, unë n’shpi teme”.
    Është e vërtetë që e ardhmja duhet të mësoi nga e kaluara, si “magistra vitae” (mësuese jete), që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. Në anën tjetër, është më se e vërtetë, se popujt e qytetëruar, po edhe populli ynë në tërësi, e di fort mirë, se askush s’ka arritur të ndërtojë të ardhme të ndritur, me të kaluarën. E sidomos kur e kaluara ka qenë e hidhur, e dhimbshme dhe e padrejtë. Kthimi i verbër në të kaluarën, nuk është gjë tjetër veç se fundi i ecjes drejtë së ardhmes.
    Vetëdija e shqiptarëve dhe prijësve të urtë të këtij populli, sakrifica shumëshekullore e popullit në përgjithësi, qëndresa stoike dhe konsekuente e shumë prelatëve, pas shumë përpjekjeve të paraardhësve të Erdoganit, s’kanë lejuar kurrë që Kosova të jetë Turqi, por e kanë nxjerrë nga aty. Edhe nëse hipotetikisht do të ndodhte një gjë e tillë, jam i sigurte që këto forca, të akumuluara ndër shekuj, prapë do ta nxjerrin nga atje. Nëse z. Erdogan dëshiron ta bëjë Turqinë të jetë si Kosova, europiane, demokratike dhe tolerante, vend ku etnitë gëzojnë të gjitha të drejtat, ku toleranca mes besimtarëve është e bollshme, ku .... edhe mund të bëhet. Bile ajo edhe duhet të jetë e tillë, por Kosovë s’mund të bëhet kurrë.

Në fund të fundit, e gjithë kjo ishte dje. Sot, prapë është një ditë e mirë dhe me diell, e, pasi dimri po afrohet, duhet të bëhemi gati ta përballojmë atë deri në pranverë!
Imzot Dodë Gjergji,
Ipeshkëv




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama