HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-10-25 16:08:26
A+ A- Printo artikullin



Papa uron që familjet e krishtera të jenë bashkësi dashurie. Prindër, luani me fëmijët tuaj, porositi



Familjet e krishtera njihen nga besnikëria, nga dëshmia e nga dëshira për t’ia hapur rrugën jetës së re. Këtë pohoi Papa Françesku në audiencën e sotme me Këshillin Papnor për Familjen, anëtarët e të cilit i priti me rastin e mbledhjes plenare të dikasterit vatikanas. Papa vuri theksin mbi përmasën komunitare të familjes, e cila duhet vlerësuar, në një kohë kur sundon prirja për të mbivlerësuar të drejtat individuale. Nga ana e të pranishmëve, Papën e përshëndeti kryetari i dikasterit të familjes, imzot Vinçenco Palia.

Bashkësi personash, ku mësohet për të dashur; bashkësi fytyrash e njerëzish, që dialogojnë, flijohen për njëri-tjetrin, mbrojnë jetën e, posaçërisht, atë që është më e brishtë. Papa Françesku e skicoi kështu, fytyrën e familjes së bashkuar e cila, shtoi, mund të përkufizohet, pa e tepruar fare, “motor i botës dhe i historisë”. Familja, vijoi, është vendi ku njeriu bëhet i vetëdijshëm për dinjitetin e vet e, nëse merr edukatë të krishterë, edhe për dinjitetin e çdo njeriu, në mënyrë të posaçme, të njeriut të sëmurë, të ligshtë, të papërfillur:
E gjithë kjo është bashkësia-familje, që duhet njohur si e tillë, aq më tepër sot, kur mbizotëron kujdesi dhe mbrojtja e të drejtave individuale. Prandaj bëtë shumë mirë, që i kushtuat vëmendje të veçantë Kartës së të Drejtave të Familjes, paraqitur pikërisht 30 vjet më parë, më 22 tetor 1983”.
Familja, ripohoi Ati i Shenjtë, bazohet mbi martesën. E në vijim nënvizoi se bashkëshortët e krishterë dëshmojnë se martesa, si sakrament, është baza mbi të cilën formohet familja:
Martesa është si sakramenti i parë, në të cilin njeriu zbulon vetveten, kupton vetveten, në lidhje me të tjerët e në lidhje me dashurinë, që mund ta marrë e mund ta japë. Dashuria bashkëshortore e familjare vë në pah me qartësi thirrjen e njeriut për të dashur në mënyrë të pashoqe e përgjithëjetë. Tregon edhe se provat, flijimet dhe krizat e çifteve, ashtu si të vetë familjes, janë kalimtare, e ndihmojnë të ecë në rrugën e së mirës, të së vërtetës, të bukurisë”.
Në martesë, vërejti Ati i Shenjtë, bashkëshortët i dhurohen plotësisht njëri-tjetrit, pa asnjë kusht: ndajnë bashkë të mira e të vështira, dhurata e flijime, duke u mbështetur gjithnjë në Provaninë e Hyjit. E këtë përvojë, shtoi Papa, të rinjtë mund ta mësojnë nga prindërit e gjyshërit. Është përvoja e besimit në Zotin dhe e besimit në njëri-tjerin, por edhe e shenjtërisë, sepse shenjtëri do të thotë edhe dhurim besnik e flijim i përditshëm. Papa vuri theksin edhe mbi dy faza të jetës familjare: mbi foshnjërinë dhe pleqërinë:
“Një shoqëri, që i braktis fëmijët e i lë pas dore pleqtë, cungon rrënjët e veta edhe errëson ardhmërinë e vet. Sa herë braktiset një fëmijë e harrohet një plak, bëhet jo vetëm një akt padrejtësie, por sanksionohet edhe dështimi i plotë i kësaj shoqërie. Kujdesi për të voglin e të motnuarin flet për zgjedhjen e rrugës së qytetërimit”.
Kisha, që kujdeset për fëmijët e për pleqtë, vuri në dukje Papa, bëhet nënë e breznive të besimtarëve e, njëkohësisht, i shërben shoqërisë njerëzore, duke e ndihmuar të zbulojë atësinë e amësinë e Zotit. ‘Lajmi i mirë’ i familjes, vijoi Ati i Shenjtë, është pjesë tejet e rëndësishme e ungjillëzimit, që të krishterët mund t’ua kumtojnë të gjithëve. Mund ta komunikojnë, shtoi, me dëshminë e vetë jetës së tyre, posaçërisht në shoqëritë e shekullarizuara. Familjet vërtet të krishtera, vërejti më tej, njihen menjëherë nga besnikëria, duresa, dëshira për t’i hapur rrugën jetës së re, respekti për të moshuarit:
Sekreti i gjithë kësaj dëshmie, është prania e Jezusit në familje. T’ua propozojmë, prandaj, të gjithëve, me respekt e guxim, bukurinë e martesës e të familjes, ndriçuar nga drita e Ungjillit! E prej këndej, t’u afrohemi me vëmendje e dashuri familjeve, që kalojnë çaste të vështira; atyre, që detyrohen të largohen nga vatrat; që copëzohen; që nuk kanë strehë, as punë, ose që vuajnë për shkaqe nga më të ndryshmet; bashkëshortëve në krizë e atyre, që ndahen. Duam të jemi pranë të gjitha familjeve”.








Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama