HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-27 14:19:53
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës: 28 tetor - 3 nëntor



Më 28 tetor është festa e Shën Simonit e Judës, apostuj. Shën Simoni është njëri ndër dy apostujt me emrin Simon, që, bashkë me dhjetë të tjerët, Jezusi i thirri dhe dërgoi në botë për të shpallur lajmin e mirë. Për Simonin e parë, që mori emrin Pjetër e u martirizua në Romë, dimë shumë, nga ungjijtë, Veprat e Apostujve dhe letrat e tij. Për Simonin tjetër nuk kemi dëshmi të hershme, përveç tregimit të thirrjes. Dimë se ishte nga Kana, se, para thirrjes, i përkiste një grupi antiromak, të ashtuquajturit “zelltarët”, dhe se u martirizua me sharrim, prandaj është pajtori i sharrëtarëve.
Shën Juda është vëllai i një tjetër apostulli, Jakobit, dhe njihet në Ungjill si Tadeu, që do të thotë “me kraharor të gjerë”, ndoshta për të treguar cilësinë e zemërgjerësisë. Ai e pyeti Jezusin: “Zot, për ç’arsye na zbulohesh neve e jo botës?” . Jezusi i përgjigjet: “Nëse dikush më do, do ta zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë. Do të vijmë tek ai e do të bëhemi një gjë e vetme”. Dashuria, si themeli i bashkimit mes të krishterëve, është karakteristikë e përhershme e tij, sipas dëshmisë së Besëlidhjes së Re. Shën Juda na ka lënë edhe një letër të shkurtër në të cilën kritikon ata të krishterë që mbjellin ndasi.
Më 29 tetor përkujtohen shën Ermelinda e Shën Maksimiliani. Shën Ermelinda jetoi në shekullin VI, në territoret ku është sot Belgjika. Për shkak të lidhjes së ngushtë shpirtërore me Krishtin, braktisi pasurinë e familjes të cilës i përkiste dhe iu kushtua lutjes.
Më 30 tetor përkujtohet shën Gjermani i Kapuas, ipeshkëv. Ai braktisi begatinë e familjes dhe iu kushtua lutjes në vetmi, por u emërua ipeshkëv në Kapua dhe, pa lënë pas dore besimtarët e vet, iu kushtua në mënyrë të frytshme çështjes së bashkimit të të krishterëve, të ndarë për çështje doktrine.
Më 31tetor përkujtohet shën Kuintini, shenjt parisian i shekullit të gjashtë, i njohur për një jetë të paqortueshme, pavarësisht tundimeve të forta të jetës oborrtare, ku bënte pjesë.
Më 1 nëntor është festa e të gjithë shenjtërve. Thirrja për shenjtëri është thirrja e çdo njeriu. Në përgjigjen ndaj saj, përmbushim planin e Hyjit, për shkëlqimin e lavdisë së Tij, në njeriun që e krijoi në përngjasimin e vet. Falë misterit të vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, Hyji ka hapur për njerëzit dyert e lavdisë së amshuar. Ata që janë pastruar në misterin e pashkëve të Birit të Hyjit dhe kanë kaluar nga kjo jetë, gëzojnë lumninë e Parrizit. Kisha tokësore shikon me gëzim e shpresë kishën qiellore, në këtë festë madhështore.
Më 2 nëntor përkujtohen të gjithë besimtarët e vdekur. Me dashuri për të gjithë ata që kanë kaluar nga kjo jetë, i kërkojmë Atit të amshuar, me anë të lutjes e të eukaristisë, të hapë dyert e lumnisë së Tij për të gjithë ata, që ende presin takimin me Trininë e Shenjtë.
Më 3 nëntor është e diel. Festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama