HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-10-28 15:10:29
A+ A- Printo artikullin



Papa Qendrës Televizive Vatikanase: të jeni skuadër, që përhap shpresën dhe aromën e Ungjillit



Skuadër, e thirrur për t’i shërbyer Papës dhe Kishës, me një stil të veçantë, nga i cili duhet të varet gjithçka: nga zgjedhjet editoriale, tek palimpsestet, apo tërësia e transmetimeve të programuara nga emitentja. Me këtë sy e shikon Papa punën në Qendrën Televizive të Vatikanit, punonjësit e së cilës, së bashku me familjet e tyre, i priti në audiencë, me rastin e 30-vjetorit të themelimit të organizmit.RealAudioMP3

Në autostradën globale të komunikimit, që prej 30 vjetësh QTV zë një korsi të preferuar dhe e përshkon me shpejtësi, e mbështetur nga ritmi i ethshëm i risive teknologjike, pikarritje e sfidë njëherësh.
Por gjithçka, me një orientim të saktë, kujtoi Papa Françesku në praninë e 150 vetëve, që e ndiqnin në Sallën Klementine, për t’i shërbyer, me përhapjen e figurave televizive të Papnisë, kauzës së Ungjillit:
“Jini profesionistë në shërbim të Kishës. Puna juaj është tepër cilësore, e kështu edhe duhet të jetë, në përkim me detyrën, që ju është ngarkuar. Por aftësia juaj profesionale duhet të jetë gjithnjë në shërbim të Kishës, në gjithçka: në regjistrim, në regji, në zgjedhjet editoriale, në administrim… Gjithçka duhet bërë me stilin e në perspektivë të Kishës, të Selisë së Shenjtë. Është e nevojshme që komunikimi i QTV-së të dijë të çojë tek shikuesit, tek besimtarët e ‘largët’, aromën dhe shpresën e Ungjillit”.
E lindur 30 vjet më parë me dëshirën e Gjon Palit II, Qendra Televizive e Vatikanit ka për drejtim e mision, pohoi Papa Françesku, perspektivën ungjillore, në një sektor, si mediatiku, ku një perspektivë e tillë nuk përfillet, ose injorohet. E për t’ia dalë mbanë, është i nevojshëm një grup i bashkuar e plot përgjegjësi:
“Luani si skuadër. Suksesi i baritorisë së komunikimit mund të arrihet, duke krijuar lidhje, duke përkuar në realizimin e projekteve, ndarë në një sërë subjektesh, duke bashkuar në një, qëllime e forca. E dimë se kjo nuk është aspak e lehtë, por nëse e ndihmoni njëri-tjetrin për të punuar në skuadër, puna juaj do të jetë dëshmi e bashkimit”.
Duke i falënderuar anëtarët e QTV-së jo vetëm për aftësitë e larta profesionale, sot, theksoi, të njohura në mbarë botën, po edhe e kryesisht, për gatishmërinë dhe maturinë, “që ia dëshmojnë çdo ditë e me të cilën e shoqërojnë”, Papa Françesku iu drejtua me vëmendje e delikatesë edhe familjeve të punonjësve të këtij sektori kaq të vështirë:
“…sepse, siç e kujtoi drejtori, imzot Viganò, e jetojnë kalendarin javor të veprimtarive të Papës! Është flijim jo i paktë, mendoj, e prandaj jo vetëm që ju jam mirënjohës, por ju siguroj edhe se lutem për ju të gjithë e, në mënyrë të posaçme, për fëmijët tuaj. Papa nuk dëshiron ta rëndojë jetën e familjes, e? Prandaj ju falënderoj për durimin”.
Përshëndetjen e fundit ua drejtoi miqve që, vërejti, bëjnë pjesë, në mënyra të ndryshme, në familjen e QTV-së. Të vetëm, përfundoi, nuk mund të bëjmë shumë, por së bashku mund të vihemi në shërbim të mbarë botës, duke e përhapur vërtetësinë dhe bukurinë e Ungjillit, deri në kufijtë më të largët të tokës.







Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama