HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-29 12:12:29
A+ A- Printo artikullin



Papa: shpresa e krishterë është dinamike e jep jetë, të lirohemi nga klerikalizmat e rehatia



Shpresa nuk është optimizëm i thjeshtë, por pritje me zjarr e zbulesës së Birit të Zotit. Kështu tha Papa Françesku, në meshën e paradites në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se të krishterët duhet të largohen nga klerikalizmat e rehatitë, pasi shpresa e krishterë është dinamike e jep jetën.
Duke marrë shkas nga fjalët e Shën Palit Apostull, në leximin e parë të liturgjisë së sotme, Papa Bergolio foli për veçoritë e shpresës së krishterë, që e bëjnë atë krejtësisht të ndryshme nga të tjerat. I krishteri, nënvizoi, jeton ndërmjet shpresës e skllavërisë së kësaj bote, por është shpresa ajo, që nuk e zhgënjen kurrë. Gjithsesi, pranoi Ati i Shenjtë, shpresa nuk kuptohet lehtë, pasi shpesh e ngatërrojmë me optimizmin:
“Shpresa nuk është optimizëm, nuk është aftësia për t’i parë gjërat pozitivisht e për të ecur kështu, përpara. Jo, ai është optimizëm, nuk është shpresë. Takojmë njerëz, që u shndrisin sytë, pozitivë… e kjo është gjë e mirë, por nuk është shpresë! Nuk është e lehtë ta kuptojmë ç’është shpresa. Thuhet se është më e përvuajtura e tri virtyteteve (feja, dashuria, shpresa), sepse fshihet brenda jetës. Feja shihet, ndjehet, dihet ç’është. Dashuria tregohet me vepra, dihet ç’është. Po çfarë është shpresa? Për t’iu afruar pak, mund të themi, së pari, se shpresa është rrezik, është virtyt i rrezikshëm. Siç thotë Shën Pali, ajo është pritje plot zjarr që Biri i Hyjit t’i zbulohet botës. Nuk është iluzion”.
Të kesh shpresë, theksoi Papa Françesku, do të thotë të jesh gjithnjë i prirur drejt këtij gëzimi, që na mbush shpirtin e na bën të qeshë zemra. Shën Pali thotë se shpresa e krishterë nuk është optimizëm, por më shumë se kaq. Është diçka krejt e ndryshme. Të krishterët e parë, kujtoi Ati i Shenjtë, e pikturonin me anën e spirancës: shpresa ishte spiranca, spirancë e fiksuar në bregun e Jetës së Përtejme. S’bëjmë tjetër, veçse shkojmë drejt kësaj spirance:
“Më vjen në mendje pyetja: ku jemi ankoruar ne, secili prej nesh? A e kemi hedhur spirancën në bregun e atij oqeani kaq të largët, apo në lagunën artificiale, që e kemi krijuar vetë, me rregullat tona, me sjelljet e oraret tona, me klerikalizmat e me qëndrimet kishtare e jo kishtare? A jemi të ankoruar aty? Gjithçka e rehatshme, gjithçka e sigurtë, eh? Por ajo nuk është shpresë”.
Pastaj, Shën Pali na jep edhe shembullin e shpresës: lindjen e një fëmije. Kur një nënë shtatzënë pret lindjen e fëmijës, vërejti Papa, e kupton më mirë shpresën në dinamikën e pritjes për të dhuruar jetën. Nuk shihet dikimi i Shpirtit Shenjt, por të gjithë e dimë se është i pranishëm e punon:
“Një gjë është të jetosh në shpresë, sepse përmes shpresës u shëlbuam, e tjetër gjë është të jetosh si i krishterë i mirë, por jo më shumë. Të jetosh në pritje të zbulesës së Hyjit, apo të jetosh në rregull me Urdhërimet e Tënzot; të jesh i ankoruar në bregun e përtejmë, apo i parkuar në lagunën artificiale. Më shkon mendja tek Maria, vajzë e re… Pasi e ndjeu se ishte nënë, sjellja e saj ndryshoi e shkoi [te Elizabeta], e ndihmoi e i thuri lavde Zotit. Kur një grua mbetet shtatzanë është grua, por jo vetëm: është nënë. E shpresa ka diçka prej kësaj. Na e ndryshon qëndrimin: jemi ne, por nuk jemi ne; jemi ne, që kërkojmë përtej, që e hedhim përtej spirancën”.
Papa Françesku e përfundoi homelinë, duke përshëndetuar një grup meshtarësh meksikanë, të pranishëm në meshë me rastin e 25-vjetorit të shugurimit meshtarak. Lutjuni Zojës, nënës së shpresës, u tha Ati i Shenjtë, që të jetoni si priftërinj të shpresës, duke e dhuruar shpresën e krishterë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama