HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-31 17:55:40
A+ A- Printo artikullin



Drita e fesë V



Feja është besëlidhje. Ajo zë fill nga fakti se Hyji i flet njeriut, i drejton fjalën e vet. Për këtë arsye, shën Pali thotë se feja ”lind nga dëgjesa” (Rm 10,17). Njohja nëpërmjet fjalës, atëherë, ”është gjithmonë njohje personale, që e dallon zërin, i çelet atij me liri të plotë dhe e ndjek me bindje” (n. 29).
Meqë është e lidhur me dëgjesën, feja është e lidhur edhe me rrjedhën e kohës, për të cilën ka nevojë fjala për të dalë e për t’u përvetësuar, prandaj ajo është edhe rrugëtim. Në këtë rrugëtim, njeriu e ndjek fjalën me dëgjesë. Dëgjimi dhe dëgjesa e njeriut kundrejt fjalës mbështetet në dashurinë, prandaj feja lidh njohjen me dashurinë.
Njohja, nga ana e vet, mëton të rrokë të vërtetën, ose, të paktën, synon një gjë të tillë. Filozofia greke është përballur pandarë me njohjen e së vërtetës dhe i është drejtuar asaj jo aq me anë të dëgjimit, sa me anë të vështrimit. Vështrimi bën të mundur rrokjen e menjëhershme e të plotë të realitetit, prandaj njohja është vështrim, pamje e plotë. Drita që vjen nga lart dhe e shndrin realitetin, nuk i lë kohë njeriut të mendohet para tij, sepse e vë përballë të vërtetës në mënyrë të padiskutueshme.
Enciklika thotë se dëgjesa dhe pamja nuk e përjashtojnë, as e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Botëkuptimi biblik, i themeluar mbi dëgjesën dhe kohën, që ajo kërkon për një përgjigje personale, nuk bie ndesh me botëkuptimin grek, të themeluar mbi pamjen: “Besëlidhja e Vjetër i ka ndërthurur të dyja llojet e njohjes, sepse, pas dëgjimit të Fjalës së Hyjit, lind dëshira për të parë fytyrën e tij. Në këtë mënyrë ka qenë e mundur të zhvillohej dialogu me kulturën helene, dialog që i përket zemrës së Shkrimit të Shenjtë” (n. 29).
Edhe Besëlidhja e Re është plot me shembuj, ku dëgjimi dhe pamja bashkëveprojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ka raste kur njerëzit besojnë dhe vendosin të shkojnë pas Jezusit kur e dëgjojnë si flet, por ka edhe raste kur besojnë dhe vendosin ta ndjekin pasi shohin si vepron. Në Krishtin, thotë Papa, bashkohen dëgjesa dhe pamja: “Falë këtij bashkimi me dëgjesën, të vështruarit bahet ndjekje e Jezusit dhe feja shfaqet si rrugëtim i vështrimit, gjatë të cilit sytë mësohen të shohin në thellësi” (n. 30). Dëgjesa dhe pamja bëhen një gjë e vetme në Krishtin, sepse Ai është Fjala e mishëruar, fjala që mund të dëgjohet e të shikohet njëkohësisht, prandaj, “e vërteta, që na çel feja, është e vërteta, që ka si qendër takimin me Krishtin, kundrimin e jetës së Tij, ndjesinë e pranisë së tij” (n. 30). Feja e krishterë është oculata fides, fe që shikon.
Papa shkon edhe më tej, kur thotë se Krishti, jo vetëm ka bashkuar dëgjesën e vështrimin, por e ka bërë edhe të prekshme të vërtetën, sikurse thotë Letra e Parë e Shën Gjonit: “Çfarë dëgjuam, pamë e prekëm me duart tona nga Fjala e jetës...” (1,1). Në misterin e mishërimit të Krishtit, njohja e së vërtetës është bërë e mundur prej dashurisë dhe e vërteta na ka prekur: “Me mishërimin e tij, me ardhjen mes nesh, Jezusi na ka prekur dhe, nëpërmjet Sakramenteve, na prek edhe sot; në këtë mënyrë, duke na shndërruar zemrën, na e ka bërë të mundur e na e mundëson ta njohim e ta pranojmë si Birin e Hyjit. Me anë të fesë mund ta prekim e të marrim fuqinë e hirit të tij” (n.31). Feja, që është njohje me anë të vështrimit, dëgjesës dhe prekjes, na bën dalë-ngadalë të njëtrajtshëm me Krishtin. Sa më shumë të bëhemi të njëtrajtshëm me të, aq më shumë bëhen sytë tanë të përshtatshëm për ta parë.
E vërteta, që njohim me anë të fesë, është e vërteta e dashurisë së Hyjit. Në shpalljen e kësaj të vërtete ndodh takimi i Ungjillit me kulturën helene. Duke qenë se filozofia greke shprehte kërkimin më të imtësishëm të së vërtetës me anë të arsyes, kisha e hershme hyri në dialog me filozofinë greke, me qëllim që Ungjilli, duke kaluar përmes kategorive të saj, të mund të mbërrinte tek sa më shumë njerëz. Që atëherë, feja dhe arsyeja kanë dialoguar së bashku në traditën kishtare në mënyrë pothuajse të pandërprerë.
Sot arsyeja ka prirjen ta përjashtojë mundësinë e njohjes së të vërtetës absolute, nga frika e totalitarizmave, që mund të lindin nga një qasje e tillë. E vërteta e fesë na çliron nga kjo frikë, sepse na shfaqet si dashuri dhe dashuria nuk detyron askënd, madje është themeli i lirisë. Dashuria, nga njëra anë, na shfaqet si fytyra e mirëfilltë e së vërtetës, e, nga ana tjetër, na shtyn ta njohim të vërtetën edhe më shumë. Për këtë arsye nuk na lejon të bëhemi të mbyllur e fanatikë, por përherë mendjehapur e kërkimtarë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama