HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-31 17:48:17
A+ A- Printo artikullin



Vizitat e Papëve në Varrezën monumentale të Veranos



Nesër, 1 nëntor, në orën 16.00, Papa Françesku do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve, pranë hyrjes së Varrezës monumentale të Veranos, në Romë.
Në përfundim të kremtimit, do të ketë një çast lutjeje për të vdekurit, pasuar nga bekimi i varreve. Me Atin e Shenjtë do të bashkëkremtojnë kardinali mëkëmbës, Agostino Valini dhe barinj të tjerë të dioqezës së Romës.

Kjo ngarje përkon me 20-vjetorin e vizitës së fundit të një pape në varrezën romake. Më 11 nëntor 1993, Gjon Pali II shkoi për herë të fundit në Verano, ku kremtoi Meshën Shenjte në Solemnitetin e Të Gjithë Shenjtorëve.
Benedikti XVI nuk ka shkuar asnjë herë në këtë varrezë, por ka kremtuar Meshën në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve të Romës, në vitin 2008.

Po shënojmë këtu listën e papëve, që shkuan në Verano, si dhe disa hollësira, lidhur me historikun e Varrezës së Veranos, e famshme në mbarë botën, sa për personalietetet nga të gjitha fushat, që presin aty zgjimin, aq edhe për vlerat artistike.

Piu XII, më 19 korrik 1943, vizitoi lagjen e Shën Lorencit, pas bombardimit të Romës nga trupat aleate. Në përfundim të vizitës, bekoi viktimat, vendosur në Sheshin e Veranos. Sot këtë vizitë e përkujton një shtatore, që lartohet në Parkun e Veranos. Monumenti u ngrit më 19 korrik 1967, nga lexuesit e gazetës “Il Tempo”, në shenjë devocioni e mirënjohjeje për Papën, që mbeti në kujtesë breznish me krahët hapur, lartuar nga qielli, si Kryq i gjallë, në gjunjë, në prag të Bazilikës së të Shuemëve gjysëm të rrënuar nga lufta.

Gjoni XXIII e vizitoi Veranon dhe Kishën e Shën Karlit në Korso, më 3 nëntor 1959.

Pali VI, më 2 nëntor 1963, kremtoi Meshën Shenjte në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve të Romës. Me këtë rast pati thënë: “(...) Të shuemët na mësojnë vlerën e lartë të jetës së sotme e të asaj, që vjen pas. Eshtrat e tyre flasin e tregojnë sa e brishtë është koha; ndërsa kujtimi i tyre, i meritave, i mirësisë, që treguan sa qenë gjallë e, sidomos, i shpirtit të tyre të pamort, na tregojnë cilat janë të mirat që ne, në sa vijojmë të jetojmë mbi dhe, duhet t’i vlerësojmë edhe më shumë, në gjurmët e mësimeve e të shembujve të tyre (...)”.

Gjon Pali II e kremtoi Meshën Shenjte në Varrezën e Veranos 12 herë: më 1 nëntor 1979 - 1980 – 1983 – 1984 – 1985 – 1986 – 1988 – 1989 – 1990 – 1992 – 1993 dhe më 2 nëntor 1987 (më 1 Papa Vojtila kryesoi disa Lumnime në Bazilikën e Shën Pjetrit)
Më 1 nëntor 1981, kremtoi Meshën Shenjte në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve të Romës.
Në nëntor 1982 ishte për shtegtim apostolik në Spanjë, prej këndej, nuk mundi të kremtojë në Verano.
Më 1 nëntor 1991 e kremtoi Meshën Shenjte në Varrezën romake të Prima Porta
Pas vitit 1993, per arsye shëndeti, Papa Vojtila ia besoi detyrën e kremtimit të Meshës Shenjte në Verano, mëkëmbësit të tij, asokohe kardinali Kamilo Ruini.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama