HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-05 13:27:39
A+ A- Printo artikullin



Intervista e Papës Françesku me Atë Spadaron: Çfarë do të thotë “Të kesh të njëjtat ndjenja me Kishën”



Ndalem tek tema e Kishës e përpiqem të kuptoj çfarë do të thotë saktësisht për Papën Françesku “të kesh të njëjtat ndjenja me Kishën”, gjë për të cilën shkruan Injaci në Ushtrimet shpirtërore. Papa përgjigjet pa ngurrim, duke marrë shkas nga një shëmbëllim.
“Shëmbëllimi i Kishës, që më pëlqen, është ai i popullit të shenjtë besnik të Hyjit. Këtë përkufizim e përdor shpesh dhe është ajo e dokumentit Lumen gentium, numri 12. Përkatësia tek një popull ka vlerë të madhe teologjike: Hyji, në historinë e shëlbimit, ka shpëtuar një popull. Nuk ka identitet të plotë, pa i përkitur një populli. Askush nuk shpëtohet vetëm, si individ i izoluar, por Hyji na tërheq tek vetja, duke mbajtur parasysh rrjetin e ndërthurur të marrëdhënieve personale, që lindin në bashkësinë njerëzore. Hyji hyn në këtë dinamikë popullore”.
“Populli është subjekt. Kisha është populli i hyjit në rrugëtim, nëpër histori, me gëzime e dhimbje. Të kesh të njëjtat ndjenja me Kishën, pra, për mua do të thotë të jesh brenda këtij populli. Tërësia e besimtarëve është e pagabueshme kur beson, dhe e shfaq këtë infallibilitas in credendo të veten (pagabueshmëri kur beson), me anë të ndjesisë së mbinatyrshme të fesë së të gjithë popullit që rrugëton. Ja, kjo është ajo çfarë unë kuptoj sot si “pasje e të njëjtave ndjenja me Kishën”, për të cilën flet Injaci. Kur dialogu ndërmjet njerëzve, Ipeshkvinjve dhe Papës shkon në këtë rrugë dhe është i sinqertë, atëherë ka ndihmën e Shpirtit të Shenjtë. Pra, nuk është ndjenja e teologëve”.
“Eshtë njësoj si me Marinë: nëse dëshiron të dish kush është, pyet teologët; nëse dëshiron të dish si mund ta duash, duhet të pyesësh popullin. Edhe Maria, nga ana e vet, e deshi Jezusin me zemrën e popullit, siç lexojmë në Magnificat. Pra, as që duhet menduar se “të kesh të njëjtat ndjenja me Kishën” lidhet vetëm me ndjenjat e pjesës së saj hierarkike”.
Papa, pas një momenti heshtjeje, bën një saktësim të prerë, për të shmangur keqkuptimet: “Dhe, natyrisht, duhet të ruhemi fort e të mos mendojmë se kjo infallibilitas e të gjithë besimtarëve, për të cilën flas në dritën e Koncilit, është një formë populizmi. Jo, është përjetimi i “nënës së shenjtë Kishë hierarkike”, siç e quante shën Injaci, i Kishës si Popull i Hyjit, barinjtë e populli bashkë. Kisha është tërësia e popullit të Hyjit”.
“Unë e shoh shenjtërinë e popullit të Hyjit, shenjtërinë e tij të përditshme. Ka edhe një “klasë të mesme të shenjtërisë”, në të cilën të gjithë mund të marrim pjesë, ajo për të cilën flet Malégue”.
Papa i referohet Joseph Malégue-ut (Zhozef Maleg), shkrimtarit francez që ka për zemër, i lindur në 1876 e vdekur në 1940. I referohet veçanërisht trilogjisë së tij të papërfunduar Pierre noires. Les Classes moyennes du salut (Gurët e zinj. Klasat e mesme të shëlbimit). Disa kritikë francezë e patën quajtur “Prusti katolik”.
Unë shoh shenjtërinë e popullit të durueshëm të Hyjit - vijon Papa: një grua që rrit fëmijët, një burrë që punon për të çuar bukën në shtëpi, të sëmurët, priftërinjtë e moshuar, që kanë shumë lëndime, por që ruajnë buzëqeshjen, sepse i kanë shërbyer Zotit, murgeshat që punojnë shumë dhe që e jetojnë shenjtërinë në fshehtësi. Kjo është, sipas meje, shenjtëria e përbashkët. Unë e lidh shpesh shenjtërinë me duresën: jo vetëm me duresën si hypomoné , pranimi i ngjarjeve dhe rrethanave të jetës, por edhe si qëndresë për të vijuar rrugën, ditë për ditë. Kjo është shenjtëria e asaj që Injaci quante Iglesia militante (Kisha militante). Kjo ka qenë shenjtëria e prindërve të mi: e tim ati, e nënës sime, e gjyshes sime Rozë, që më ka ndihmuar shumë. Në Breviar mbaj testamentin e gjyshes Rozë dhe e lexoj shpesh: për mua është si një lutje. Ajo është një shenjtore që ka vuajtur shumë, edhe moralisht, dhe ka ecur përpara gjithmonë me guxim”.
“Kjo Kishë me të cilën duhet të kemi të njëjtat “ndjenja” është shtëpia e të gjithëve, jo një kapelë e vogël, ku mund të hyjnë vetëm pak njerëz të zgjedhur. Nuk duhet ta katandisim kuptimin e Kishës universale në një strofull, që shërben për të mbrojtur mediokritetin tonë. E kisha është Nënë, - vijon -. Kisha është e begatë, duhet të jetë e tillë. Shiko, kur më bien në sy sjelljet negative të shërbestarëve të Kishës apo të të shuguruarve e të të shuguruarave, gjëja e parë që më vjen ndër mend është: “ja një beqar i regjur”, ose “ja një lëneshë”. Nuk janë as etër, as nëna. Nuk kanë qenë të zotët t’i japin jetën dikujt. Përkundrazi, për shembull, kur lexoj jetën e misionarëve salezianë, që kanë shkuar në Patagoni, lexoj historinë e jetës, të frytshmërisë”.
Edhe një shembull nga këto ditë: pashë se gazetat kanë folur shumë për telefonatën që pata me një djalë që më kishte shkruar një letër. E kam marrë në telefon, sepse ajo letër ishte shumë e bukur, shumë e thjeshtë. Për mua ky ka qenë një moment frytshmërie. Vura re se ishte një i ri që po rritet, ka njohur një atë, e kështu i tregon diçka nga jeta e vet. Ati nuk mund t’i thotë “nuk më bëhet vonë”. Kjo frytshmëri më ndihmon shumë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama