HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-02 14:02:53
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit - e diela XXXI gjatë vitit



Këtë të shtunë Kisha përkujton vëllezërit e motrat, që kanë kaluar nga kjo jetë. Shtegu drejt amshimit, që ka hapur Krishti, me misterin e vdekjes dhe të ringjalljes, kalon përmes tingujve të ëmbël të lutjes së Kishës, për të gjithë ata udhëtarë, që i dhanë lamtumirën jetës së kësaj bote. RealAudioMP3
Një lutje mesjetare, që këndojnë hebrenjtë, me rastin e vitit të ri hebraik, thotë:
Në kryeditën e vitit është shkruar
E në ditën e shpagimit është vulosur
Sa do të ikin e sa do të lindin,
kush do të jetojë e kush do të vdesë,
kush do t’i njohë ditët gjer në fund e kush jo,
Kush vdes prej ujit e kush prej zjarrit,
Kush prej shpatës e kush prej bishave,
Kush prej urisë e kush prej etjes,
Kush prej tërmetit e kush prej murtajës,
Kush i zënë për fyti e kush i vrarë me gurë
Kush do të prehet e kush do të endet
Kush do të ketë paqe e kush mundime
Kush do të lartësohet e kush do të poshtërohet
Kush do të pasurohet e kush do të varfërohet.
Por, pendesa, lutja e drejtësia e kthejnë vendimin e rreptë.
Kujtimi i besimtarëve të vdekur mbështetet fort mbi antropologjinë biblike. Në kapitujt e parë të librit të Zanafillës lexojmë dy pyetje që vijnë nga Hyji dhe e shoqërojnë pandarë ecjen e njeriut. E para i drejtohet Adamit, pasi kishte shkelur porosinë hyjnore, dhe ishte fshehur nga turpi e frika: “Ku je?” (Zan 3,9). E dyta i drejtohet Kainit, pasi kishte vrarë të vëllanë: “Ku është vëllai yt, Abeli?”.
Këto pyetje lindin pas humbjes së miqësisë së njeriut me Hyjin, pas hyrjes së errësirës në ekzistencën njerëzore dhe pas fillimit të pasigurisë. Kur shkëputet nga Hyji, njeriu humbet orientimin e vet, e zë frika dhe përpiqet të strehohet në siguritë e veta të rreme: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq, e u fsheha” (Zan 3,10). Pasi humb miqësinë me Hyjin, për shkak të frikës e turpit, pra për shkak të mëkatit, njeriu mbyllet në vetvete dhe humb miqësinë edhe me njerëzit e tjerë. Por Hyji nuk e lë kurrë vetëm njeriun, prandaj e pyet: Ku je? Ku është vëllai yt? Mund të themi lirisht se pa këto pyetje të Hyjit, pa fjalën e tij që i drejtohet pareshtur njeriut, nuk do të kishte jetë, ose, më saktë, kërkimi i kuptimit të jetës do të ishte shumë më i mundimshëm, nëse jo i pamundur. Njeriu e ka humbur miqësinë me Hyjin, por Hyji nuk dorëzohet përballë gabimit njerëzor.
Adami i përgjigjet pyetjes së parë të Hyjit, duke përshkruar ekzistencën e tij të mjerë: “Kam frikë dhe turp. U fsheha”. Jeta e njeriut është e shënjuar nga frika e turpi. Është bërë e ngushtë sa ngushtësia e nevojës për t’u fshehur. E ngushtë, sepse bie nën vendimin e pashmangshëm që buron nga mëkati: “Pluhur je e në pluhur do të kthehesh” (Zan 2,19). Madhështia dhe mjerimi njerëzor janë kaq pranë dhe larg me njëri-tjetrin sa jeta dhe vdekja.
Kaini i përgjigjet pyetjes së dytë, duke përshkruar marrëdhëniet mes njerëzve, të tronditura nga frika e smira: “Pse, a mos jam unë rojtari i tim vëllai?”. Njeriu i mbyllur në vetvete humb çdo vetëdije për përgjegjësinë që ka dhe shikon tjetrin si pengesë dhe kërcënim.
“Ku je ti?”, “Ku është vëllai yt?”. Këto pyetje nuk mund të zgjidhen nga njëra-tjetra. Asnjëra nuk e merr përgjigjen e plotë pa tjetrën. Tërë historia e zbulimit hyjnor në Besëlidhjen e Vjetër lakohet në drejtimin e përgjigjes që presin këto pyetje. Megjithatë, me gjithë pedagogjinë hyjnore të Besëlidhjes së Vjetër, njeriu nuk ia ka dalë ta ndriçojë vetë errësirën e ekzistencës së vet, të dëmtuar nga humbja e miqësisë me krijuesin.
Pyetjet e Hyjit, drejtuar njeriut, e kanë gjetur përgjigjen vetëm në Krishtin. Krishti është i vetmi njeri që ka zbritur atje ku gjendet Adami i fshehur, ka zbritur në thellësitë e errësirës njerëzore, në ligështinë e mëkatit, ka hyrë brenda frikës e turpit tonë, për t’i thënë njeriut fjalët mrekullueshme, fjalët e lirisë e të jetës: “Të janë falur mëkatet!”. Pyetjes së Hyjit që thotë: “Ku je?”, njeriu sot mund t’i përgjigjet: “Në Krishtin”. Në Krishtin njeriu shkëlqen edhe një herë e nuk ka më as frikë as turp. Nuk është më nën pushtetin e vdekjes, sepse Ai e ka mundur vdekjen.
Në Krishtin e gjen përgjigjen edhe pyetja tjetër: “Ku është vëllai yt?”: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë. (...) Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua ” (Mt 25,35-36.40).
Në shestimin Hyjnor, njeriu është ngjizur si i ngjashëm me Hyjin. Hyji është marrëdhënie, është lidhje dashurie. Edhe njeriu është marrëdhënie, lidhje dashurie, që, falë misterit të Krishtit, nuk zgjidhet as nga vdekja. “Ku je ti” dhe “ku është vëllai yt?” Ne jemi në Krishtin e në Krishtin janë edhe vëllezërit e motrat tona të vdekur, sepse, siç thotë shën Pali: “Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8, 38-39).
Lutja për vëllezërit e motrat e vdekur, që liturgjia katolike na propozon sot, është shenja e kësaj lidhjeje të fortë të të gjithë njerëzve në Krishtin, që as vdekja nuk mund ta zgjidhë.
***************************************
Jemi në të dielën e XXXI gjatë vitit dhe leximet biblike na udhëheqin drejt kuptimit më të thellë të dashurisë së Hyjit, që është themeli i ekzistencës: “Ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar – thotë leximi i parë nga libri i Urtisë. – Si do të mbeste në jetë ndonjë send, po të mos doje ti. Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishte thirrur ti në jetë?”. Urtia e vërtetë e njeriut qëndron në kërkimin e dashurisë së Hyjit. Ajo është burimi i së mirës. Gjithë krijimi s'është tjetër, veç rrëfim i kësaj dashuire. Edhe vuajtja njerëzore mund të lexohet si udhë dashurie, që shpie drejt shpëtimit: “Pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot” – vijon urtia.
Ungjilli i sotëm na tregon pikërisht kthimin e një mëkatari tek Hyji, në takimin me Krishtin, sepse në Krishtin dashuria e Hyjit na është zbuluar plotësisht, si dashuri që i shpëton mëkatarët. E shën Pali na thotë, në leximin e dytë: “Lutemi për ju, që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet...”. Është thirrja e dashurisë që sjell shpëtimin. Ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit, që na paraqet liturgjia në këtë të diel XXXI gjatë vitit...
*******************************
Kjo copëz nga Ungjilli sipas Lukës gjendet në fillin e tregimeve, që përshkruajnë udhë e Jezusit drejt Jeruzalemit.RealAudioMP3
Jeruzalemi përbën momentin qendror të kumtit ungjillor, jo vetëm sepse është qyteti i Davidit dhe jo vetëm për rëndësinë e tij në historinë dhe përshpirtërinë e Izraelit, por sepse aty do të gjykohet Krishti. Në gjykimin e Krishtit do të shihet qartë se ai ka ardhur për të zënë vendin e mëkatarëve. Ungjilli sipas Lukës na tregon se krerët e priftërinjve, anëtarët e këshillit të lartë dhe populli i tha Pilatit: “Këtë vrite e na liro Barabën”. Dhe vijon: “Baraba ishte i burgosur për shkak të një kryengritjeje e për vrasje” (Lk 23,18-19). Jeruzalemi është qyteti i Hyjit dhe, në gjykimin e Krishtit, Hyji do të zbulojë se i do mëkatarët dhe merr përsipër të keqen e tyre, për t’i shpëtuar nga vdekja, nga vdekja e amshuar.
Nëse mbajmë parasysh këtë horizont ungjillor dhe këtë të vërtetë themelore të lajmit të mirë, kemi mundësinë për të kuptuar më qartë kalesën e Ungjillit të sotëm. Jezusi kalon nëpër Jerihon, një qytet i rëndësishëm, që sot njihet si më i lashti i botës. Është i rrethuar nga shumë njerëz dhe është e vështirë ta takosh. Siç ndodh shpesh nëpër tregimet ungjillore, edhe në tregimin e sotëm Luka kalon nga takimi i Jezusit me turmën, tek takimi me një njeri të veçantë. Po, Jezusi u flet të gjithëve, por, çfarë është më e rëndësishtme, Jezusi i flet secilit. Jezusi nuk ka ardhur për të sjellë përgjigje të përgjithshme dhe përgjithësuese. Çdo njeri ka historinë e vet, brengat dhe shpresat e veta. Dashuria gjithëpërfshirëse e Hyjit preket në mënyrë konkrete kur përjetohet si dashuri personale. Kjo është arsyeja pse Zakeu vrapon dhe, në një farë mënyre, bëhet qesharak, në këtë copëz të Ungjillit sipas Lukës. Ai “dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël”. Zakeut nuk i mjafton një takim i përgjithshëm me Jezusin, nuk e kënaq mësimi i përgjithshëm, sepse, po, është i barabartë me të tjerët, por është edhe i veçantë nga të tjerët, prandaj “U lëshua me vrap përpara, shkoi e hipi në një fik, për ta parë, sepse andej do të kalonte”. Le të mbajmë gjithmonë parasysh horizontin e Jeruzalemit, gjykimin e Jezusit. Ai dënohet për të gjithë, por Luka dëshiron të na tregojë se dënohet në vend të Barabës, që ishte kryengritës dhe vrasës. Zakeu përshkruhet sot si tagrambledhës e pasanik.
Në veprimet e Zakeut vihet re nevoja e ngutshme e tij për ta takuar Jezusin personalisht. I duhet një fjalë e Jezusit që ka të bëjë vetëm me të. Nuk i intereson më mendimi as gjykimi i të tjerëve. Nuk ka dert që bëhet qesharak, vetëm ta shohë vetë, me sytë e vet. Ndoshta ai e di se është tashmë qesharak dhe se, duke pranuar këtë gjendje të veten, mund ta kapërcejë atë në takimin me Krishtin.
Një detaj tjetër interesant i tregimit të sotëm thotë se Zakeu hipi në një fik, për ta parë, “se andej do të Kalonte” Jezusi. Kjo na tregon se ai e ka ndjekur me vëmendje Jezusin, se është përpjekur për të kuptuar nga kalon udha e tij e se, në këtë udhë, ka një mënyrë për ta takuar, prandaj “u lëshua me vrap”.
Sikurse Zakeut nuk i mjafton takimi jopersonal me Krishtin, as Krishtit nuk i mjafton takimi jopersonal me turmën që e rrethon. Luka na paraqet dy plane paralele: njëri i zhurmshëm, gumëzhitës, i përgjithshëm, popullor, në qendër të të cilit gjendet Jezusi; tjetri i qetë, gati i heshtur, i veçantë, personal, në qendër të të cilit nuk gjendet vetëm Jezusi, por edhe Zakeu, madje asnjëri nuk është në qendër, sepse njëri është në njërin skaj e tjetri është në skajin tjetër. Në qendër është turma dhe historia e atyre të dyve e përfshin të gjithë turmën. Personalja nuk e përjashton universalen, por e përfshin. Jezusi shikon lart dhe i flet: “Zake, zbrit shpejt!”.
Ka diçka të përbashkët në ritmin e Zakeut dhe të Jezusit. Zakeu u lëshua me vrap e Jezusi i thotë: zbrit shpejt. Ngutja e Zakeut është edhe ngutja e Jezusit. Sikurse Zakeu digjet për një fjalë nga ana Jezusi, edhe Jezusi digjet për t’ia thënë atë fjalë. Është nxitimi i bukur për shëlbim, nxitimi që të sjell ndër mend daljen e hebrenjve nga Egjipti, kur Hyji i thotë popullit të vet ta hajë shpejt darkën e pashkëve, sepse Hyji shpjeton për të na shpëtuar.
Nëse, nga njëra anë, ngutja e Jezusit për të takuar Zakeun i përgjigjet ngutjes së Zakeut për shpëtim, nga ana tjetër, qetësia e Jezusit themelon qetësinë e shpirtit të njeriut të shpëtuar: “Më duhet të vij e të rri në shtëpinë tënde!”. Përkthimi më i saktë i fjalisë që thotë Jezusi do të ishte: më duhet të mbetem në shtëpinë tënde. Zakeu nk shpëton falë një fjale që i thotë Jezusi duke kaluar rrugës. Ai shpëton, sepse Jezusi rri vetë me të përgjithmonë, lidhet me njeriun në mënyrë personale dhe të pazgjidhshme. Ky është misteri i madh i mishërimit. Vetëm kush e pranon Krishtin në mënyrë personale e gjen shpëtimin dhe përfshin në këtë takim të gjithë turmën, të gjithë njerëzimin. Por, kush nuk e përjeton personalisht bekimin e takimit me Zotin, kush nuk e ndjen nevojën e ngutshme personale për fjalën e tij, kush zgjedh të fshihet pas opinionit të përgjithshëm, rrezikon të mbetet përjashta, si ata, që në Ungjillin e sotëm thotë: “Ktheu të rrijë te një mëkatar!”.
Po, Jezusi kthen të rrijë tek mëkatari, sepse “Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shëlbojë atë që pati humbur”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama