HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-01 17:47:38
A+ A- Printo artikullin



Papa kremtoi meshën në varrezat e Veranos në Romë: ta shohim me shpresë perëndimin e jetës. Lutje për emigrantët e vdekur në shkretëtirë e në det



Nga varrezat e Veranos në Romë, ku Papa kremtoi meshën, duke filluar nga ora 16.00, Ati i Shenjtë përvijoi profilin e shenjtorëve, jo vetëm të atyre, që nderohen në elter, por edhe të shumë burrave e grave, emrat e të cilëve, ndoshta, nuk do të shqiptohen kurrë në liturgjinë tokësore të Kishës, por janë të shkruar në librin e jetës, pranë Zotit. Papa Françesku shkoi në këto varreza monumentale, 20 vjet pas vizitës së fundit të një pape, të të Lumit Gjon Pali II. Benedikti XVI nuk shkoi kurrë në Verano, por në vitin 2008 kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve, ngjitur me varrezat, me rastin e 1750-vjetorit të martirizimit të shenjtit diakon. Papa i parë, që shkeli në këto varreza, qe Piu XII pas bombardimit anglo-amerikan në lagjen e shën Lorencit, më 19 korrik 1943, para 70 vjetëve.RealAudioMP3
Pikërisht, në këtë vend, të mbrujtur me histori, Papa Françesku shpjegoi sot, me tri pika – siç e ka bërë zakon tashmë – ç’do të thotë të jesh shenjt. Ata që janë ndarë nga kjo jetë para nesh, tha ai, janë në Qiell, pranë Zotit. E jo për meritat e tyre:
“Ata shpallin se nuk u shëlbuan për veprat e tyre – megjithëse kanë bërë vepra të mira! – por u shëlbuan nga Zoti: shëlbimi i takon vetëm Zotit… është Ai që na shpëton, Ai që na merr për dore në fund të jetës sonë, si një atë i mirë, e na çon në Qiell, ku janë paraardhësit tanë… Është gjaku i Krishtit që na ka shfajësuar, na ka hapur dyert e Qiellit”.
E duke vazhduar komentin e leximeve liturgjike të sotme, Papa Françesku e tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve drejt Birit të Zotit. Ai është shpresa jonë, tha. Ne të gjithë e mbajmë shpresën në gjakun e Krishtit, derdhur edhe për ne, në mënyrë që kur të shkojmë tek Ati Qiellor të jemi të denjë për ta parë, ashtu siç është Zoti në të vërtetë:
“Sot, pikërisht në ditën e Shenjtorëve e para ditës së të Shumëve, është e nevojshme të mendojmë pak për shpresën: për atë shpresë, që na shoqëron në jetë. Të krishterët e parë e përshkruanin shpresën si spirancë, sikur jeta të ishte një spirancë e ankoruar në bregun e përtejmë e të gjithë ne, duke shkuar atje, duke mbajtur në duar litarin… është imazh i bukur kjo shpresa! Ta kemi zemrën të ankoruar, aty ku ndodhen të afërmit tanë: ku janë paraardhësit, ku janë shenjtorët, ku është Jezusi. Ku është Zoti!”
E shpresa nuk zhgënjen, vazhdoi Papa. Ajo është si tharmi, që e mbush shpirtin plot, pavarësisht nga çastet e vështira të jetës. Shpresa në Jezu Krishtin na bën të ecim më lehtë, më shpejt, na e pastron zemrën:
“Në këtë çast muzgu, secili prej nesh mendon për perëndimin e jetës: ‘Si do të jetë perëndimi im?’ Imi, yti, yti, i atij tjetrit… A e shoh me shpresë? A e shoh me gëzimin, që ma dhuron Zoti? Kjo është sjellje e krishterë. E kjo na jep paqe. Sot është ditë gëzimi, i një gëzimi të qetë, të paqtë. Të mendojmë për sa e sa vëllezër e motra, që na kanë paraprirë në këtë udhë, të mendojmë për perëndimin tonë, kur të vijë. Të mendojmë edhe për zemrën tonë e ta pyesim veten: ‘Ku është ankoruar zemra ime?’ E nëse nuk e kam hedhur mirë spirancën, ta ankorojmë atje, në atë breg të përtejmë, duke ditur se shpresa nuk zhgënjen, sepse Zoti Jezus nuk zhgënjen”.
Në fund, Papa Françesku, duke u lutur për gjithë të shumët, iu përgjërua Zotit për emigrantët e vdekur në shkretëtirën e Nigerit, por edhe për gjithë të tjerët, që humbasin jetën në përpjekjen për të mbërritur në Evropë:
“Dua të lutem veçanërisht edhe për këta vëllezër e motra, që këtyre ditëve, gjetën vdekjen ndërsa kërkonin lirinë, një jetë më të denjë. I kemi parë fotografitë, tmerrin e shkretëtirës, kemi parë detin, ku shumë janë mbytur. Lutemi për ta. E lutemi edhe për ata, që kanë shpëtuar, e në këtë çast, janë grumbulluar në shumë vende, me shpresën që të bëhen sa më shpejt dokumentet ligjore, për t’u dhënë mundësinë të shkojnë diku tjetër, në qendra mikpritëse më të rehatshme”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama