HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-11-03 16:39:32
A+ A- Printo artikullin



Papa: asnjë mëkat nuk mund të na shlyejë nga zemra e Zotit; ta lëmë Jezusin të na shndërrojë



Nuk ka mëkat, as krim, që mund ta shlyejë nga kujtesa e nga zemra e Zotit qoftë edhe një nga bijtë e Tij. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë, si çdo të diel. Papa foli për takimin e Jezusit me publikanin, Zakeun, sipas rrëfimit të Ungjillit të sotëm, për të kujtuar se Zoti pret të rilindë në zemrën e mëkatarit dëshira e rikthimit në shtëpi. Pret. Gjithnjë!#Netia_In#http://media01.radiovaticana.va/audio/ra/00398225.RM#Netia_Fn#




Një takim, që ia ndryshon rrjedhën jetës, përgjithmonë! Papa Françesku komentoi, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, takimin e Krishtit me tagrambledhësin Zakè. Takohen në Jeriko, ndërsa Jezusi ishte për udhë, kah Jeruzalemi:
“Kjo është etapa e fundme e një shtegtimi, që përmbledh në vetvete gjithë jetën e Jezusit, në kërkim të vazhdueshëm për të shpëtuar delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Por sa më shumë i afrohet cakut, aq më tepër rreth Tij shtrëngohet rrethi i armiqësisë”.
E pra, vijoi, pikërisht në Jeriko ndodh një nga ngjarjet më të lumnueshme, treguar nga Shën Luka: biseda me Zakeun. Ky njeri, tha Papa, është dele e humbur, e përbuzur, e përjashtuar nga grigja, sepse tagrambledhës, mik i pushtuesve të urryer romakë, hajdut e shfrytëzues. Zakeu, prandaj, nuk ka sesi t’i afrohet Jezusit, famëkeq siç është. Po ai nuk e humbet shpresën. Ngjitet në majë të një peme, vetëm për ta parë Zotin, kur të kalojë. Ky gjest i dalë nga shpirti, pakëz qesharak, vërejti Papa, shpreh dëshirën e pakundërshtueshme të njeriut, që kërkon të ngrihet mbi turmën, për t’u takuar me Jezusin. As ai vetë nuk arrin ta kuptojë deri në fund ç’e shtyn të ngjitet në majë të pemës. Nuk shpreson të takohet me Jezusin. Mjaftohet vetëm me dëshirën ta shohë, në kalim:
“Po Jezusi, kur arrin pranë drurit, e thërret me emër: Zake, zbrit shpejt, sepse sot do të ndalem në shtëpinë tënde’(Lk 19,5). Ky njeri imcak, larg gjithë botës e larg Jezusit, duket sikur e ka humbur deri emrin; po Jezusi e thërret, e emri i tij, Zakè, në gjuhën e asaj kohe, merr kuptim plot me nëntekste: Zake do të thotë ‘Zoti kujton’. Është e bukur: ‘Zoti kujton!”.
Shkon, pra Jezusi, në shtëpinë e Zakeut, i rrethuar nga kritika në të katër anët e Jerikos. Banorët ankohen se nuk viziton njerëz për së mbari, por shkon e shkel pikërisht në shtëpinë e një tagrambledhësi. “Edhe asokohe njerëzit merreshin me thashetheme”, kujtoi Papa. E Jezusi u thotë atyre se po shkon te Zakeu, pikërisht sepse është i humbur. Edhe ai është bir i Abrahamit, shton, e që atë çast në shtëpinë e tij, në jetën e tij, hyn lumnia:
“Nuk ka profesion, as gjendje shoqërore, s’ka kurrfarëlloj mëkati as krimi, që mund ta shlyejë nga kujtesa e nga zemra e Zotit qoftë edhe një të vetëm nga bijtë e Tij. ‘Zoti kujton’, gjithnjë, nuk e harron asnjë nga ata, që krijoi. Ai është Atë, syhapët e dashamir. Pret përherë që në zemrën e birit të rindizet dëshira e kthimit në shtëpi. E kur sheh një shkëndijë të vetme, edhe të pavetëdijshme, vrapon shpejt pranë tij e, duke e falur, ia lehtëson udhën e kthimit”.
E shikojmë sot Zakeun mbi pemë, kujtoi në vijim Papa. Na duket qesharak, por gjesti i tij është gjest shëlbimi:
E unë të them ty: nëse ke ndonjë barrë mbi ndërgjegje, nëse ke turp për shumë gjëra, që ke bërë, ndalu pak, mos u tut, mendo se Një po të pret, se nuk ka pushuar kurrë duke të kujtuar, duke menduar për ty. E ky është Ati yt, është Zoti, është Jezusi, që po të pret. Kacavaru shpejt, pra, mbi dru, si Zakeu; ngjitu mbi pemën e dëshirës për të provuar shijen e mrekullueshme të faljes. Të siguroj se nuk do të mbetesh i zhgënjyer! Jezusi është i mëshirshëm e nuk lodhet kurrë duke falur. Kujtoje mirë këtë, e? Kështu është Jezusi”.
Ta lëmë Jezusin, vijoi Papa, të na thërrasë, si Zakeun, me emër. Edhe ne, pohoi, e dëgjojmë zërin e Tij, që na thotë: “Sot do të ndalem në shtëpinë tënde, në jetën tënde, në zemrën tënde:
“E ta presim me gëzim: Ai mund të na ndryshojë, mund ta shndërrojë zemrën tonë prej guri, në zemër mishi e gjaku, mund të na çlirojë nga egoizmi e ta bëjë jetën tonë dhuratë dashurie. Jezusi mund ta bëjë këtë. Lëre Jezusin t’i ngulë sytë mbi fytyrën tënde, mbi zemrën tënde. Lëre të të thërrasë me emër!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama