HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-11-04 17:10:49
A+ A- Printo artikullin



Konferenca për trafikun e njerëzve: nga Vatikani, impenjim i fuqishëm kundër kësaj skllavërie moderne



Përfundoi dje në Vatikan, Konferenca e organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore për të reflektuar mbi problemin e trafikut të njerëzve, çështje shumë e ndjerë nga Papa Françesku, i cili i nxiti ekspertët të diskutojnë për këtë temë. Vërtet, si kardinal në Buenos Ajres, Horhe Mario Bergolio është impenjuar jashtëzakonisht në luftën kundër kësaj skllavërie moderne. I pranishëm në punime, zv.dekani i Kolegjit kardinalor, Roxher Eçegaraj. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Ky takim foli për atë, që e quajmë ‘skllavëri moderne’. Skllavëria – të themi ‘klasike’ – është ajo që fillon me njerëzimin, por ajo që njohim më mirë është skllavëria e zezakëve. Ndërsa sot, skllavëria ka marrë një formë të re, formën moderne të trafikut të njerëzve. Akoma nuk ekziston ndjeshmëria e nevojshme për këtë fenomen, sepse ndërgjegjet e shumë vetëve flenë, ose mbeten indiferente. Nëse Papa e deshi këtë takim, ku morën pjesë ekspertë botërorë, do të thotë se deshi të zgjojë ndërgjegjet e secilit, për të vënë në dukje kërcënimin e madh, që vjen nga ky trafik, në të gjitha kontinentet, sidomos përsa u përket grave e fëmijëve.
Ia afruam mikrofonin njërës prej eksperteve, që morën pjesë në mbledhje. Marija Vasiliadu, koordinatore e luftës kundër trafikut të njerëzve për Bashkimin Evropian:
Bashkimi Evropian ka, tani për tani, legjislacionin më të përparuar në botë për luftën kundër trafikut të njerëzve. Kemi edhe infrastruktura të avancuara politike. Sfida e çastit është kthimi i këtij legjislacioni në ligje kombëtare për çdo vend anëtar. Besoj se edhe organizatat fetare, shoqatat e krishtera në botë, po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për të ndihmuar viktimat. Ky takim do ta rrisë vetëdijen se duhet të bëjmë më shumë.
Takimi u organizua jo vetëm me impenjimin e Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, por edhe me bashkëpunimin e Federatës Botërore të Shoqatave të Mjekëve Katolikë. Komenti i sekretarit të përgjithshëm të Federatës, Ermano Pavezi:
Është shumë e rëndësishme të shqyrtohet problemi me të gjitha ndërlikimet e veta, sepse ka rrezik të analizohet thjesht nga pikpamja ligjore, ose statistikore. Mendoj se edhe më i rëndësishëm është parandalimi, që ka të bëjë me baritorinë e familjes, me një antropologji të shëndoshë për trupin e seksualitetin e njeriut… Për shembull, flasim për prostitucionin e shfrytëzimin seksual, por nëse nuk kufizohet numri i klientëve e mundësitë për shfrytëzimin e tregut të seksit, ky treg do të vazhdojë të zhvillohet.
Vetë mjekët, nganjëherë, janë pjesë e trafikut të njerëzve, sidomos në trafikun e organeve. Si mund të luftohet një fenomen kaq i shtrirë?
Them se është shumë e vështirë. Problemi nis nga formimi etik i mjekëve e ky, në dhjetëvjeçarët e fundit, as që ka ekzistuar. Kemi pasur një baritori të mjekësisë, që pasqyronte aspekte etike, por në më të shumtën e rasteve, formimi ‘etik’ kufizohej me deontologjinë e tipit ‘nuk duhet t’i vjedhim pacientët kolegut’. Mendohej se problemet janë thjesht me natyrë teknike, prandaj mjeku, ashtu si tekniku, duhej të kishte fushë të lirë veprimi, pa iu referuar parimeve morale.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama