HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-11-04 17:07:18
A+ A- Printo artikullin



Kosova zgjedh 10 kryetarë bashkie në turnin e parë. Probleme në Mitrovicë



Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, pati folur për përgjegjësinë e secilit në zgjedhjet e djeshme lokale, u pati kujtuar të gjithë shtetasve se pjesëmarrja në votime është detyrim moral, i pati këshilluar të zgjedhin njerëzit më të mirë e t’i ndihmojnë të zgjedhurit, edhe kur nuk ua kanë dhënë votën. “Ata që fitojnë besimin e shumicës – shkruante ipeshkvi i Kosovës – kanë përgjegjësi të investojnë të gjitha aftësitë dhe mundësitë e tyre për të qeverisur mirë, për t’i motivuar njerëzit dhe për të vënë në dispozicion mjete të mjaftueshme që e qytetërojnë bashkësinë politike. Nga ata kërkohet të krijojnë lehtësi administrative që qytetari… të realizojë ëndrrën e tij të shpresës”. Synonte, imzot Dodë Gjergji, t’u shpjegonte kandidatëve për kryetarë bashkie se pas zgjedhjes, duhet të punojnë për të gjithë e jo vetëm për ata, që u kanë dhënë votën.
Zgjedhjet e djeshme, pra, duhej të ishin provë bashkëjetese ndërmjet serbëve e shqiptarëve të Kosovës, por në veri të vendit, ngjarjet morën tatëpjetën. Pjesa serbe, tradicionalisht për bojkotimin e zgjedhjeve, shkaktoi probleme në qendrat e votimit në Mitrovicë e në Zveçan, duke krijuar një atmosferë dhune e kërcënimi. Tri qendra janë sulmuar nga njerëz të armatosur, që i detyruan kështu, trupat e misionit evropian Eulex të ndërhyjnë e ta pezullojnë votimin. Materiali nga këto qendra, që duhej të shqyrtohej nga ndërkombëtarët, thuhet se ka humbur.
Natyrisht, si Brukseli, ashtu edhe organizma të tjera ndërkombëtare, kanë shpejtuar të dënojnë aktet, megjithëse deklarata zyrtare e vëzhguesve të OSBE-së do të jepet nesër. Nga Beogradi ngrenë duart lart, pa ditur se kujt t’ia vënë fajin e duke e përkufizuar gjendjen si konfuzion. Kujtojmë se qeveria i pati këshilluar serbët e veriut të votojnë.
Ndërkaq, në pjesën tjetër të vendit, 46% e zgjedhësve ka marrë pjesë në votime, duke arritur të zgjedhë, në turnin e parë, së paku 10 kryetarë bashkie. Në 24 komuna të tjera, do të kemi ballotazh, më 1 dhjetor. Në përgjithësi, numërimi i votave tregon rritjen e konsensusit për Lidhjen Demokratike të Kosovës, themeluar nga Ibrahim Rugova, e rënien e Partisë Demokratike të Kosovës, kryesuar nga Hashim Thaçi.
“Lus Zotin – shkruante në mesazhin e tij ipeshkvi, imzot Dodë Gjergji – që faza e votimit dhe ajo e numërimit të votave të jenë transparente dhe të ndershme, për të respektuar me përpikmëri vullnetin e votuesve”. Faza e votimit la për të dëshiruar, faza e numërimit të votave duhet të presë 1 dhjetorin. Deri atëherë, ta lusim të gjithë Atin Qiellor t’u shndrisë mendjen politikanëve e përgjegjësve të tjerë kosovarë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama