HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-11-04 17:07:47
A+ A- Printo artikullin



Papa kujton kardinajtë dhe ipeshkvijtë e vdekur gjatë vitit: e keqja është e pafuqishme, përballë dashurisë së Zotit



“Njerëz, që iu kushtuan thirrjes, shërbimi i të cilëve në dobi të Kishës nuk humbet kurrë, por ruhet mirë në duart e Zotit”. Është ky portreti i kardinajve dhe ipeshkvijve të vdekur gjatë këtij viti, pikturuar me pak penelata nga Papa Françesku, sot paradite. Ati i Shenjtë kryesoi Meshën për shpirtin e tyre në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke pohuar se i krishteri ka shumë arsye për të shpresuar, edhe kur i troket në portë vdekja, që duket si caku i fundmë i jetës.RealAudioMP3

Shpresa e krishterë nuk mposhtet kurrë, sepse as e keqja më e madhe nuk mund ta këpusë lidhjen e Zotit me njeriun. Vdekja është portë drejt jetës. Nuk është urë, që shembet ndërmjet jetës së lënë pas shpine e humnerës së zezë, të panjohur, të hapur nën këmbë. Këtë mësim na e jep Shën Pali e Papa Françesku ua përsëriti kardinajve dhe ipeshkvijve, që po kujtonin, së bashku me të, sivëllezërit e vdekur gjatë vitit. “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit?”- pyet Apostulli i Popujve. “Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Lakuriqësia? Rreziku? Shpata?...E prapëseprap, në të gjitha këto, jemi më se ngadhënjyes, në sajë të Atij që na deshi. As vdekja, as jeta, as ëngjëjt as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as lartësitë as humnerat e asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,35-39). Kjo është siguria. Gëzimi i thellë që na prin në të gjitha ngjarjet: asgjë nuk nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, pasurisë së vërtetë të jetës njerëzore”. E pikërisht mbi këtë bindje mbështetet shpresa e pamposhtur e krishterë:
“Edhe forcat djallëzore, armike të njeriut, ndalohen, të pafuqishme, përballë bashkimit të thellë të dashurisë së Jezusit e njeriut, që e pranon me fe. Ky realitet i dashurisë besnike të Zotit për secilin nga ne, na ndihmon ta përballojmë me qetësi e forcë udhën e përditshme, herë të lehtë, e herë të lodhshme e të mundimshme. Vetëm mëkati mund ta këpusë këtë lidhje; por edhe në këtë rast, Zoti do ta kërkojë gjithnjë njeriun, për ta rikrijuar me të bashkimin, që i kapërcen kufijtë e vdekjes e arrin kulmin në takimin përfundimtar me Atin”.
Natyrisht, pohoi Papa Françesku, nuk mund të mos na trazojë ndonjë re dyshimi, kur shikojmë si vdes e zhduket nën dhe njeriu, që e njohëm aq mirë, që e deshëm aq shumë, që do të na mungojë aq fort. Ç’ do të ndodhë me jetën e tij, me punën e tij, me shërbimin e tij ndaj Kishës? Pyetje të natyrshme. Shfletoni Librin e Urtisë, prej nga është shkëputur Leximi i parë i sotëm, e do ta gjeni përgjigjen. Të gjithë janë në duart e Zotit, e dora është simbol i mikpritjes, i mbrojtjes, i lidhjes personale, i respektit e i besnikërisë:
Këta barinj të zellshëm, që ia kushtuan gjithë jetën shërbimit ndaj Zotit e ndaj vëllezërve, janë në duar të Atit. Jeta e tyre ruhet mirë e vdekja nuk do të mund ta kalbë kurrë. Në dorë të Zotit janë ditët e tyre, endur me gëzime e mundime, shpresa e zhgënjime, besnikëri ndaj Ungjillit e pasion për shpëtimin shpirtëror e material të grigjës, që iu besua”.
Këta, vijoi Papa, janë kardinajtë e ipeshkvijtë, që ndërruan jetë muajt e fundit. Njerëz kushtuar thirrjes e shërbimit ndaj Kishës, të cilën e deshën, si duhet nusja e re. Zoti shikon pikërisht këtë dashuri të krishterë e këtë përkushtim, e jo kufizimet njerëzore. Sepse:
“Edhe mëkatet, mëkatet tona, janë në duar të Zotit: e ato duar janë plot me mëshirë, duar ‘të plagosura’ nga dashuria. Jo rastësisht Jezusi deshi t’i ruante plagët në duar, që të gjithë ta ndjenin mëshirën e Tij. E kjo është forca jonë e shpresa jonë. Ky realitet, plot me shpresë, është perspektiva e ringjalljes përfundimtare, jetës së amshuar, ku do të jetojnë të drejtët, ata që e pranojnë Fjalën e Zotit e i binden Shpirtit të Tij”.
Lutjen e fundme, të dalë nga zemra, Papa Françesku ua kushtoi atyre, të cilët nuk e kanë kapërcyer ende portën, që i paraprin takimit me Zotin:
“Të lutemi edhe për ne, që Zoti të na e përgatisë këtë takim. Nuk e dimë datën, por për t’u takuar, do të takohemi pa tjetër”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama