HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-04 12:59:22
A+ A- Printo artikullin



Porosia e Imzot Dodë Gjergjit për Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013



Përgjegjësia në zgjedhje

“Çdo demokraci duhet të jetë gjithëpërfshirëse”
Gjon Pali II
Që kur u bëmë pjesë e popujve të lirë, vendi ynë po përpiqet të përmirësojë cilësinë e të jetuarit, të rrisë vetëdijen demokratike të qytetarëve e të institucioneve dhe t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë një shoqërie të lirë e demokratike. Po edhe vet qytetarët, përditë e më shumë po vetëdijesohen se pjesëmarrja në jetën e bashkësisë është një përgjegjësi individuale dhe njëra nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë. “Kisha vlerëson sistemin e demokracisë, meqë ai mundëson pjesëmarrjen e shtetasve në zgjedhjet politike dhe u garanton të qeverisurve mundësinë për të zgjedhur edhe për të kontrolluar qeveritarët e vet, ashtu edhe për t’i ndërruar në mënyrë paqësore...” (Përmbledhje e DSK, 406).
Duke përjashtuar incidentet e izoluara, është për të vlerësuar debati mes kandidatëve dhe mënyrën se si këta pretendues për t’u zgjedhur e kërkojnë votën e qytetarëve. Lus Zotin që edhe faza e votimit dhe ajo e numërimit të votës, të jetë transparente dhe e ndershme, ku do të respektohet në përpikëri vullneti i votuesve.
Vlerësoj po ashtu edhe lehtësimin që OSBE i jep këtij procesi, në disa nga komuna, në të cilat për herë të parë qytetarët do të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim, të cilët do t’u ndihmojnë ndërtimin e të ardhmes së përbashkët me gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës.
Këndej, pjesëmarrja e përgjegjshme e shtetasve me fatin e bashkësisë së tyre është detyrë qytetare dhe obligim moral. Është detyrë qytetare sepse propozon, me votën e vetë, zgjedhjen më të mirë dhe personin më të përgjegjshëm të bashkësisë, për ta qeverisë atë. Obligimi moral i çdo votuesi është, të ndihmojnë të zgjedhurit të kryejnë përgjegjësit e tyre me të njëjtin entuziazëm, sikur të kishte fituar i preferuari i tij. Në këtë mënyrë, të gjithë bëhemi propozues për zgjedhjen më të mirë dhe bashkëndërtues të së mirës së përbashkët.
Ata që kërkojnë besimin e qytetarëve nëpërmjet votës, e sidomos ata që e fitojnë besimin e shumicës, kanë përgjegjësi për të investuar të gjitha aftësitë dhe mundësitë e tyre për të qeverisur mirë, të motivojnë njerëz dhe të vejnë në dispozicion mjete të mjaftueshme për ta qytetëruar bashkësinë tonë politike. Nga ata kërkohet që të krijojnë lehtësira administrative që qytetari të ketë mundësi më të mëdha dhe pa vështirësi të realizojë ëndrrën e tij të shpresës. Mbi të gjitha, i zgjedhuri, për të dëshmuar se e ka merituar besimin e qytetarit, duhet të krijojë raport miqësor, me shpirtin e dashurisë, përvujtërisë dhe shërbimit, me gjithë qytetarët pa dallim, duke i vlerësuar ata si persona për të cilët ka marrë përgjegjësi e jo si individ që e mbështesin.
Kjo mënyrë e vetëdijes së votuesve dhe të kandidatëve i jep kuptim pjesëmarrjes në zgjedhje, sepse të gjithë shndërrohen në një energji pozitive, që rigjeneron përparim qytetarë, jetësohet e mira e përbashkët dhe të gjithë bëhen bashkë-ndërtues të së ardhmes . Nëse arrihet kjo, atëherë pjesëmarrja në përgjegjësi politike po edhe marrja me politikë “…fisnikërohet thellësisht duke u bërë një formë e lartësuar e dashurisë.” (Papa Benedikti XVI)
Në fund dëshiroj të ftoj të gjithë qytetarët vullnetmirë të shfrytëzojnë këtë mundësi që na ofron demokracia dhe me votën e tyre të 3 nëntorit të bëhen protagonist të së ardhmes së përbashkët.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama