HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-11-05 13:25:56
A+ A- Printo artikullin



Goditet me mortajë nunciatura në Damask. Imzot Zenari: asnjë i plagosur



Një predhë mortaje goditi sot paradite nunciaturën e Damaskut në Siri. Dinamika e ngjarjes, në fjalët e vetë nuncit apostolik, imzot Mario Zenari:
Ndodhi diçka e paparashikuar, megjithëse këtu, çdo gjë mund të ndodhë. Po ngrihesha nga gjumi – ishte ora 6.35 pak a shumë – kur dëgjova një shpërthim të madh e u hodha menjëherë përtokë, duke shmangur dritaret, sepse e kemi provuar se nganjëherë nuk bie vetëm një predhë, por dy e tre. Pas pak, më thirri këshilltari, pastaj edhe murgeshat e më thanë se nunciatura ishte goditur me mortajë. Dolëm për të parë dëmet, të cilat, fatmirësisht, janë të kufizuara: nuk ka të plagosur. Duhet të them se sikur predha të ishte hedhur gjysëm ore më vonë, kur kremtoj Lutjet e Mëngjesit në një terracë pranë vendit ku goditi mortaja, nuk di ç’do të kishte ndodhur. Po kështu, do të ishin plagosur edhe punëtorët, që vijnë rreth orës 8-8.30.
A u mor vesh nga erdhi predha e kush e hodhi?
Vështirë të thuhet. Këtu mbërriti menjëherë policia, prandaj t’i lemë ekspertët të bëjnë punën e tyre. Fatkeqësisht, këto ngjarje janë të përditshme: të shtunën, ranë dy-tre predha mortaje në kuvendin e etërve françeskanë të Halebit; gjatë javëve të fundit, janë bombarduar lagjet e krishtera të Damaskut e pikërisht dje, më njoftuan për këtë statistikë: nga fillimi i konfliktit në lagjen popullore të Jaramana-s, janë hedhur 2.800 predha mortaje. Në këto raste, mendoj për të gjithë ata fëmijë, që kanë frikë, që kanë hequr edhe më keq, kur u ka rënë shtëpia mbi kokë, që janë detyruar të ikin, sepse fshati i tyre është shkatërruar… Këta të vegjël nuk kanë të bëjnë aspak me konfliktin e megjithatë, mbajnë peshën më të madhe të tij, sepse u hapen plagë më të thella. Duhet bërë ç’është e mundur që të mos frikësohen më nga bombardimet, nga të shtënat, që të kthehen në fshatrat e tyre e të shkojnë në shkollë normalisht.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama