HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-05 16:08:10
A+ A- Printo artikullin



Në dy etapa, Sinodi për Familjen. Imzot Bruno Forte: “T’i dëgjojmë problemet me vëmendje, dashamirësi e mëshirë"



Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u paraqit për gazetarët, Dokumenti përgatitor për Sinodin e ardhshëm të jashtëzakonshëm të familjes. Kriza shoqërore e shpirtërore e botës aktuale ndikon mbi familjen e krijon një urgjencë të vërtetë baritore, u tha. Ja përse Papa Françesku vendosi të thërrasë sinodin, i cili, siç shpjegoi sekretari i përgjithshëm, imzot Lorenco Baldiseri, do të mbahet në dy etapa: në vitin 2014, do të mblidhet asambleja e jashtëzakonshme për të reflektuar mbi tematikën e për të dëgjuar dëshmitë e propozimet; në vitin 2015, vit i Takimit botëror të familjeve në Filadelfia, do të mbahet asambleja e përgjithshme e zakonshme, e cila do të përcaktojë fushat e veprimit. E re, mënyra e përgatitjes së kësaj mbledhjeje të rëndësishme me temë “Sfidat baritore për familjen në kuadrin e ungjillëzimit”, siç nënvizoi imzot Baldiseri:
“Ideja është ta bëjmë institucionin sinodal një mjet vërtet të frytshëm bashkimi, përmes të cilit të shprehet e të realizohet kolegjialiteti, që uronte Koncili II i Vatikanit. Në fakt, për këtë qëllim, dëshira e Atit të Shenjtë është edhe fuqizimi i veprimtarisë së Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që të plotësojë si duhet misionin e nxitjes së kolegjialitetit episkopal ‘cum Petro e sub Petro’ në qeverisjen e Kishës”.
Dokumenti përgatitor i Sinodit, i cili i është dërguar ipeshkvijve të gjithë botës, është mjet ndihmës për të reflektuar për problematikat e reja të familjes, gjatë viteve të fundit. Do të shpërndahet në çdo famulli e dekanat. Përgjigjet e ipeshkvijve duhet të vijnë deri në fund të janarit. Mbi bazën e tyre, Sekretaria e Sinodit do të përgatisë “Instrumentum Laboris” për etërit sinodalë. I pyetur për vendimin e ipeshkvijve të Uellsit e të Anglisë që ta publikojnë në internet pyetësorin, imzot Baldiseri tha:
“Gjithçka do të kalojë përmes ipeshkvijve e konferencave ipeshkvnore, por lirisht, secili mund ta dërgojë tekstin si të dojë”.
Doktrina e Kishës Katolike nuk ndryshon, mbetet në bazën e arsyetimeve dhe të analizave të ipeshkvijve, por ndryshon baritoria, mënyra e përballimit të problemeve, shpjegoi kryeipeshkvi i Erstergom-Budapestit, kardinali Peter Erdë:
“Familja është një realitet, që rrjedh nga vullneti i Krijuesit e përbën realitet shoqëror. Pra, nuk është ndonjë shpikje e thjeshtë e shoqërisë njerëzore, e aq më pak të ndonjë fuqie pastërtisht njerëzore, por është një realitet natyror, ngritur nga Krishti Zot në lartësinë e hirit hyjnor”.
Kisha nuk është korp i pandryshueshëm, por dinamik. Ajo zhvillohet duke kuptuar e dëgjuar e kështu bën edhe me familjet, theksoi sekretari i veçantë i Sinodit, imzot Bruno Forte. Propozimi i krishterë për familjen, tha ai, nuk është kurrë kundër ndokujt, por gjithmonë e pa përjashtim në favor të dinjitetit e të bukurisë së jetës së çdo njeriu, për të mirën e gjithë shoqërisë:
“T’i dëgjojmë problemet, aspiratat që jetojnë sot familjet, pa bërë si struci për asnjë çështje, pa e fshehur kokën në rërë për asnjë problem, duke u treguar familjeve, së pari, afërsi e duke u propozuar atyre besueshëm Mëshirën e Zotit e bukurinë e përgjigjes ndaj thirrjes së Tij”.
Po përgjigja pozitive ndaj pyetjeve për t’u dhënë kungimin të divorcuarve të rimartuar e për bashkimin ndërmjet gay-ve, ç’peshë do të kishte? Sërish imzot Forte:
“Besoj se Ati i Shenjtë u kërkon ipeshkvijve të mbarë botës ndihmë për të vendosur mbi mundësinë e mikpritjes, të mirëkuptimit, natyrisht, duke i qëndruar besnik vizionit të familjes, ku një burrë e një grua bashkohen e lindin fëmijë. Ky është mesazhi themelor i Kishës për familjen. Por kjo, në asnjë mënyrë, nuk do të thotë të diskriminohen të tjerët”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama