HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Sinodi >  2013-11-05 15:42:39
A+ A- Printo artikullin



Paraqitet Dokumenti përgatitor për Sinodin e familjes



Plot me pyetje të vështira, pyetësori për ipeshkvijtë e gjithë botës, që do të marrin pjesë në Sinodin e jashtëzakonshëm për familjen, i cili do të mbahet në Vatikan nga data 5 deri më 19 tetorin e vitit 2014. Dokumenti përgatitor i Sinodit u paraqit sot në Vatikan.
Në përpjekjen për të përforcuar kolegjialitetin në Kishë, Papa Françesku e thirri këtë sinod me temë “Sfidat baritore për familjen në kuadrin e ungjillëzimit”, që të reflektojë së bashku me ipeshkvijtë jo vetëm për “përhapjen e mësimeve të Kishës mbi familjen”, për “baritorinë e familjen në kuadrin e ungjillëzimit”, për “marrëdhëniet familje-individ”, por edhe për çështje tepër aktuale, që kanë karakterizuar shumë ndërhyrje të Atit të Shenjtë, gjatë këtyre muajve të papnisë së tij. Papa Bergolio i nxit krerët e Kishës Katolike të shqyrtojnë ç’kuptim kanë për shoqërinë e për bashkësinë e krishterë të vendit ku jetojnë, dyshimet për martesën ndërmjet një burri e një gruaje, sipas ligjit të natyrës; të reflektojnë si duhet sjellë para disa gjendjeve të vështira martesore; të japin përgjigje ungjillore për martesat ndërmjet njerëzve me të njëjtin seks; të japin ide mbi edukimin e fëmijëve në rastin e martesave të parregullta; të shohin si e konceptojnë bashkëshortët dhe shoqëria lindjen e fëmijëve.
Të gjitha këto pyetje përmbahen në Dokumentin përgatitor të Sinodit të Ipeshkvijve, ku pranohet se jetojmë në një kohë me problematika të reja, që nuk njiheshin deri pak vjet më parë, si përhapja e bashkëjetesës, apo e bashkimeve ndërmjet personave me të njëjtin seks. Gjithashtu, dokumenti vëren se ka ndryshuar ideja e familjes, se shoqëritë karakterizohen gjithnjë e më tepër nga “kultura e mosimpenjimit” e martesa nuk konsiderohet më si diçka e pazgjidhshme. Para kësaj situate, Papa Françesku e konsideron njeriun në vetvete, por edhe familjen, në rrezik të madh, pasi minohen vetë themelet e qelizës bazë të shoqërisë. Prandaj dëshiron ta diskutojë këtë çështje me vëllezërit e tij ipeshkvij nga mbarë bota, për të gjetur udhët e përshtatshme të kumtimit të Ungjillit pro familjes.
Po cilat janë mësimet e Kishës Katolike në fushën e familjes e të martesës? Në lidhjen e pazgjidhshme të martesës, nënvizohet në Dokumentin përgatitor të Sinodit, “bashkëshortët jetojnë bukurinë e dashurisë, të atësisë, të amësisë e të dinjitetit më të lartë”, që vjen nga pjesëmarrja në veprën krijuese të Zotit. E këtu marrin përsipër përgjegjësinë për të rritur e edukuar njerëz të tjerë, duke i siguruar kështu të ardhmen, racës njerëzore. I Lumi Gjon Pali II, në Nxitjen Apostolike “Familiaris Consortio” nënvizon se “duke e krijuar në shembëllim me vetveten… Zoti shkruan në humanitetin e burrit e të gruas thirrjen, e pra, edhe aftësinë e përgjegjësinë e dashurisë e të bashkimit”. Gjithashtu, Katekizmi i Kishës Katolike kujton se “besëlidhja martesore, përmes së cilës një burrë e një grua formojnë ndërmjet tyre një bashkim intim jete e dashurie, është themeluar e pajisur me ligje të vetat nga Krijuesi”. “Të premtosh një dashuri përgjithmonë – lexohet edhe në enciklikën ‘Lumen Fidei’ të Papës Françesku – është e mundur kur zbulon një plan më të madh se projektet personale, që na mban e na mundëson t’ia dhurojmë krejt të ardhmen njeriut që duam”.
Kështu thotë Kisha Katolike për martesën, sulmuar sot me të gjitha mënyrat e format, haptas e fshehtas. Por, siç theksoi sekretari i veçantë i Sinodit të ardhshëm për familjen, imzot Bruno Forte, sjellja mbizotëruese në Kishën Katolike, para problemeve të familjes, është dëgjimi e mëshira.
“Propozimi i krishterë për familjen – tha ai – nuk është kurrë kundër ndokujt, por gjithmonë e pa përjashtim në favor të dinjitetit e të bukurisë së jetës së çdo njeriu, për të mirën e gjithë shoqërisë… Nuk është fjala për të debatuar mbi çështje doktrinore, por Kisha dëshiron t’i dëgjojë problemet dhe aspiratat e shumë familjeve, që të ndërhyjë me punën e saj baritore, sipas kërkesës së Papës, për të treguar vëmendje, mikpritje e mëshirë”. Sinodi i jashtëzakonshëm për familjen duhet të reflektojë thellë për jetën e Kishës dhe sfidat, që ajo ka përpara, në mënyrë që prej tij të dalin propozime të besueshme për Papën, të cilit i takon vendimi përfundimtar, përfundoi imzot Forte. Vëmendja kryesore, sqaroi ai, do t’i jepet ungjillëzimit, pasi Kisha nuk ekziston për veten e vet, por për lavdinë e Zotit e për shëlbimin e njerëzve, të cilëve duhet t’u çojë gëzimin e Ungjillit të Krishtit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama