HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-07 10:52:33
A+ A- Printo artikullin



Rev. Tvajt, sekretar i përgjithshëm i KEK: të ndërtojmë ura në një botë të ndarë



Po i afrohet fundit Asambleja e 10-të e përgjithshme e Këshillit Ekumenik të Kishave, që po mbahet në Busan të Koresë së Jugut. Tema e sivjetme është lutje për Hyjin e Gjithpushtetshëm: “O Zot i Jetës, na prij në udhën e drejtësisë e të paqes”. Takimi, ku përfaqësohen 330 Kisha të krishtera e ku Kisha Katolike është vëzhguese, përfundon më 8 nëntor. Çfarë shpresojnë Kishat nga kjo asamble, që mblidhet çdo shtatë vjet? Në mikrofonin tonë, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave, pastori Olav Fykse Tvajt:
Shpresoj e lutem që ky të jetë një takim, nga i cili të dalë një impenjim i ri i Kishave dhe i partnerëve tanë ekumenikë për një bashkëpunim më të mirë brenda Këshillit, duke synuar bashkimin ndërmjet nesh, por edhe punën për drejtësinë e paqen në botë. Kam përshtypjen – por ky është vetëm mendimi im – se këto aspirata mund të realizohen tani. Kjo do të thotë se ne punojmë së bashku si Kisha, duke u bazuar në fenë, në thirrjen tonë për t’i dëshmuar botës dashurinë e Zotit, duke e dëshiruar me shpirt bashkimin, paqen e drejtësinë e Zotit për të gjithë. Kjo do të thotë se duhet të merremi edhe me ato situata, në të cilat ndeshemi me ndarje, jo vetëm ndërmjet Kishave, por edhe ndërmjet njerëzve, të cilët nuk kanë unitet për arsye politike, për shkak të konflikteve, të padrejtësive, edhe të atyre ekonomike. Nëse arrijmë të ndërtojmë ura ndërmjet njerëzve të ndarë, atëherë i jemi përgjigjur, të paktën pjesërisht, thirrjes sonë të krishterë.
Kisha Katolike merr pjesë në Këshillin Ekumenik të Kishave si vëzhguese, pavarësisht se është anëtare e Komitetit për Fenë e Drejtësinë. A do të dëshironit një rol më të madh të saj?
Po. Megjithëse jam plotësisht i kënaqur me pjesëmarrjen e saj shumë të rëndësishme. Katolikët kontribuojnë në mënyra të ndryshme; kemi edhe anëtarë të personelit, që i përkasin Kishës Katolike e dërgohen nga Vatikani. Sipas meje, gjendja e marrëdhënieve me Kishën Katolike po kalon një fazë të veçantë. Besoj se janë të shumtë ata, që e kuptojnë se mesazhi i kësaj Asambleje përputhet me mesazhin e Papës Françesku, me impenjimin që dëshiron ai për Kishën, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në nivelin lokal. E kjo na jep mundësinë edhe ne të frymëzohemi për të gjetur fushat e mundshme të rritjes së bashkëpunimit. Për shembull, kemi marrëdhënie të mira me Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Pas kësaj mbledhjeje do të takohemi e do të flasim për programet e grupit të përbashkët të punës. Jam i sigurtë se do ta fuqizojmë e do ta përdorim më shumë këtë mjet.
Në Asamblenë e Këshillit Ekumenik të Kishave në Korenë e Jugut merr pjesë edhe delegati i Bashkësisë së Shën Egjidit, Leonardo Emberti Xhaloreti. Ia drejtuam edhe atij mikrofonin e Radio Vatikanit:
Asambleja mbahet një herë në shtatë vjet. Asambleja e parë, ku kam marrë pjesë, është zhvilluar para 28 vjetësh. Skenari i botës ishte krejtësisht i ndryshëm: bota evropiane ishte akoma e ndarë me Perden e Hekurt, pra kishim Kishat e Lindjes e Kishat e Perëndimit. Sot, realiteti ka ndryshuar krejtësisht, përballemi me një botë të globalizuar nga Veriu në Jug. Këshillit Ekumenik të Kishave i është dashur t’u përgjigjet pyetjeve rrënjësisht të ndryshme: nëse më parë, në një farë mënyre, i duhej të ndihmonte të krishterët në vështirësi në Evropën komuniste, për të pasur një kontakt, një dritare të hapur mbi botën, sot, ky Këshill ka përpara sfida të tjera, si për shembull, të krishterët në vështirësi në vendet e Lindjes së Mesme. Është kjo arsyeja, që vitet e fundit është theksuar tema e paqes dhe e drejtësisë. Paqja është kërkesë e aspiratë e njerëzimit, por është edhe diçka që mund t’i bashkojë të krishterët në impenjimin e tyre për të mirën e botës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama