HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-09 15:42:40
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit - E diela XXXII gjatë vitit



Leximet e kësaj të diele flasin për argumentin qendror të jetës së krishterë, për ringjalljen. Të gjitha fetë japin një përgjigje, ose të paktën shtrojnë në mënyrë të përsëritur pyetje rreth temave qendrore që i interesojnë njeriut, si e mira dhe e keqja, e bukura dhe e e shëmtuara, e vërteta dhe e gënjeshtërta, jeta dhe vdekja. Të gjitha ngacmimet njerëzore për dije, varen nga qëndrimi, që merr njeriu, përballë jetës dhe vdekjes. Fetë kanë vështrimin e tyre në lidhje me këtë dhe fe të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme. Për shembull, fetë e lindjes së largët besojnë në përshtegtimin e shpirtrave, pra në një përmasë jolëndore të ekzistencës njerëzore, që herë pas here lëndëzohet, ose mishërohet në një njeri a kafshë, deri në pastrimin përfundimtar, kur kjo esencë hyn në detin e paqëm të gjithësisë hyjnore. Një karakteristikë e veçantë e këtij koncepti gjendet në faktin se njeriu, kështu, humb veçoritë vetjake, është qenie pa histori, ose me shumë histori të palidhura me njëra-tjetrën, sepse janë histori që kanë ndodhur në fazat e ndryshme të përshtegtimit të shpirtit dhe nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Fragmente pa një fill të kuq e, për rrjedhojë, pa kuptim.
Në këtë botëkuptim, njeriu nuk vështrohet si krijesë personale dhe individuale, ekzistenca e të cilit është, në thelb, e bazuar mbi marrëdhënien. Ai i mjafton vetes, nuk ka nevojë për të tjerët e të tjerët nuk kanë nevojë për të, sepse as ai e as të tjerët nuk janë të përjetshëm në individualitetin e tyre, nuk kanë një formë përfundimtare. Njeriu nuk lidhet as me veten as me të tjerët, as me botën, sepse të gjitha këto janë realitete kalimtare.
Kuptohet, atëherë, se një ndjenjë e fortë, siç është dashuria, nuk mund të ketë vend në këtë botëkuptim. Njeriu vërtet shpirtëror është ai që arrin indiferencën, pandjeshmërinë, fashitjen e ndjenjave. Përpjekja shpirtërore është e përqendruar kryesisht në përpjekjen për t’u shkëputur nga gjithçka.
Kjo pikëpamje filozofko-fetare e botës rrjedh nga koncepti që ka për Hyjin. Hyji, në fakt, nuk është qenie personale, me një vullnet, intelekt e plan të vetin, por hyjnia e përjetshme e papërcaktuar dhe e papërcaktueshme, energji e pashtershme, por edhe e paangazhuar. Hyjnia nuk lidhet me asnjë botë, e me asnjë njeri, kështu që nuk ka kuptim as që njeriu dhe bota të lidhen me të. Në këtë mënyrë të menduari, nuk ka vend për dashurinë dhe nuk ka një luftë me jetën e me vdekjen. Në këtë mënyrë të menduari, nuk ka vend për një pikësynim të përjetshëm të caktuar, aq më pak për pritjen apo dëshirimin e ringjalljes personale. Gjithçka do të shkrihet në detin pa fund të qenies apo mosqenies. Këtij lloji të të besuarit i mungon adhurimi.
Krejtësisht ndryshe është botëkuptimi hebraik. Libri i Makabejve, një fragment prej të cilit e gjejmë në Leximin e Parë të liturgjisë së sotme, na tregon historinë e këtyre vëllezërve, që, në vazhdën e traditës së popullit të tyre, e kanë njohur Hyjin si qenie personale, që i flet popullit të vet, bën besëlidhje me të dhe cakton kushtet e besëlidhjes. Në takimin me këtë Hyj e në marrëdhënien me të, gjatë së cilës Hyji e njeriu njihen më mirë, njeriu kupton çfarë është jeta dhe vdekja, kush është ai vetë e kush janë të tjerët, çfarë vlere ka bota dhe cilat janë të metat e saj. Miqësia me Hyjin bëhet gjëja më e rëndësishme. Lidhja me të është diçka shumë konkrete. Falë kësaj lidhjeje, edhe një fakt në dukje i pavlerë, siç është ai i treguar në leximin e parë, merr një vlerë të madhe jo në vetvete, por në kontekstin e besëlidhjes me Hyjin. Hyji, që u është zbuluar hebrenjve dhe i ka bashkuar ata me njëri-tjetrin në një popull të vetëm, nuk është hyjnia e papërcaktueshme me të cilin mund të komunikojmë disi, duke u bërë edhe ne të papërcaktueshëm, por Hyji konkret, që jep udhëzime konkrete: e ndalon popullin e vet të hajë mish derri, për shembull.
Kjo gjë e vogël, e pavlerë dhe banale në vetvete, bëhet diçka e fortë, e rëndësishme dhe serioze, sepse është një mundësi konkrete për njeriun, për të treguar se marrëdhënia e tij me Hyjin është gjëja kryesore, thelbi i ekzistencës. Makabejtë jetojnë në këtë botë me një thirrje të qartë e me një synim të pandryshueshëm: është thirrja për të qenë miqtë e Hyji dhe është synimi për ta mbajtur të pastër këtë miqësi. Përjashta kësaj miqësie nuk ka asgjë, brenda kësaj miqësie ka gjithçka. Jeta përjashta kësaj miqësie është vdekje dhe vdekja për ta ruajtur të pastër këtë miqësi është djepi i jetës.
Kur mbreti pagan i detyron të hanë mishin e ndaluar, ata nuk pranojnë dhe i përgjigjen duke thënë: “Ti, o njeri i shthurur, na heq nga kjo jetë, por mbreti i gjithësisë, pasi të vdesim duke zbatuar ligjet e tij, do të na ringjallë për jetën e re dhe të amshuar”. Motivi i kësaj vendosmërie nuk është fanatizmi fetar, por dashuria për Hyjin, që është njëherësh dhe pandashmërisht dashuri për njerëzit. Kush e do Hyjin në mënyrë personale, çlirohet nga vetvetja, del nga indiferenca, nuk ka më frikë për jetën e vet, sepse forca e jetës gjendet pikërisht në këtë dashuri, që është më e fortë se vdekja. Historia e Vëllezërve Makabej përgatit përsiatjen mbi ringjalljen, që shtjellohet përfundimisht në mësimet, por, mbi të gjitha, në jetën e Krishtit.
*****************************
Mund të thuhet pa ngurrim se tërë forca dhe risia e Ungjillit qëndron tek ringjallja. Eshtë e vërtetë se tregimet rreth ringjalljes zënë një pjesë të vogël të ungjijve dhe pjesën më të madhe e zë tregimi i mësimeve, mrekullive dhe mundimeve të Krishtit, por është e vërtetë edhe se, po të lexohet me vëmendje teksti ungjillor, ringjallja është e pranishme kudo brenda tij. Ajo është si një dritë e fuqishme, që vjen nga Krishti tek ne dhe, pasi na ka ndriçuar së brendshmi, kthehet si vështrim mbi Krishtin dhe na bën të aftë ta shohim në çdo fjalë të Ungjillit, si të ringjallur.
Ringjallja e Krishtit është e pranishme në vetë mishërimin e tij. Hyji vjen në formën e njeriut, në trupin tonë, në atë përmasë të ekzistencës në të cilën përjetojmë në mënyrë të ndjeshme dobësinë e jetës së errësuar nga misteri i mëkatit dhe vdekjes. Në atë përmasë të ekzistencës përjetojmë edhe kapjen pas jetës, dëshirën për të mos vdekur kurrë, shpresën se një Zot do të na çlirojë nga pushteti i errësirës. Në Jezusin nga Nazareti Hyji gjendet plotësisht tek një njeri dhe ai njeri është përjetësisht Hyji me ne. Pra, që në foshnjën e Betlehemit shohim një të ringjallur. Eshtë e vërtetë, forca e ringjalljes është e fshehur pas dobësisë së natyrës njerëzore, është e mbuluar nga dhuna e armikut të Hyjit e të njeriut, e cila do të marrë fund përfundimisht në kulmin e saj, që është kryqi, ku vdes i Pafajshmi, por, pikërisht e fshehur dhe e mbuluar nga brishtësia e natyrës njerëzore, drita e ringjalljes fillon ta shndrisë nga brenda njeriun dhe t’i japë dalë ngadalë pamjen e lavdishme, edhe pse me sytë e thjeshtë njerëzor duket si qenie e mjerë. Falë misterit të Krishtit, tek njeriu i vuajtur shohim tashmë njeriun e ringjallur.
Pse është e rëndësishme ringjallja? A nuk mjafton të besojmë vetëm në jetën e amshuar, në atë përmasë të qenies, ku shpirti përjeton lumturinë e pafundme, pa ringjallje e pa trup, pa kujtimin e mundimshëm të ligështisë që karakterizon jetën fizike? Deri në një farë pike arrijmë të mendojmë e të pranojmë se ka një jetë përtej vdekjes, por kur flitet për ringjalljen e trupit, duket sikur flasim për diçka të pamundshme.
Para së gjithash, pranimi i fundit përfundimtar të përmasës trupore të ekzistencës vë në diskutim vetë konceptin e njeriut. Nëse njeriu mund edhe të jetë ndryshe nga të qenit trupor, atëherë bie vlera absolute e jetës së tij fizike. Me trupin mund të bëhet gjithçka, sepse nuk është pjesë e përhershme e thelbësore e njeriut. është një mjet që mund të përdoret e mund të hidhet. Në këtë mënyrë zhvlerësohen dashuritë, kur shprehen si përkujdesje për mirëqenien edhe fizike të njeriut, zhvlerësohet i sëmuri, zhvlerësohet vrasja dhe e keqja. Përmasa dramatike e ekzistencës kthehet në një përmasë teatrale, sepse trupi nuk është gjë tjetër, përveçse maska e një shpirti individual. Vdekja, atëherë, është rënia e këtyre maskave dhe fundi i teatrit.
Ky është rreziku i madh që mbjell mosbesimi, ose besimi i gabuar: dyzimi i njerut. Si rrjedhojë e kësaj, lindin dy qëndrime të kundërta, të dyja me pasoja të dëmshme: nga njëra anë materializmi i verbër; nga ana tjetër idealizmi ose spiritualizmi abstrakt, pa konkretësi. Pa Krishtin, pa mendimin e ringjalljes dhe besimin në ringjalljen, njeriu është si ai kallami që përkul herë era e materializmit e herë era e idealizmit.
Pyetja, që i shtrojnë saducenjtë Jezusit, në Ungjillin e sotëm, nuk është banale. Ata përmendin një traditë hebraike të rëndësishme, të urdhëruar nga vetë Moisiu, në lidhje me trashëgiminë e gjakut, që nuk mund të realizohet ndryshe, përveçse me anë të trupit të burrit e të gruas. Nëse trupi nuk është vetëm mjet, por ka vlerë në vetvete, pra është për ringjalljen dhe përjetësinë, çfarë ndodh me historinë tonë të lënduar, me errësirën e kësaj bote, që e kemi përjetuar në trupat tanë? Nëse me këto trupa kemi dashur dhe kemi tradhëtuar, çfarë do të ndodhë me papërsëritshmërinë e dashurisë, kur të takohemi si të ringjallur? Konkretisht: kjo grua, që ka pasur shtatë burra, “kur të ringjallet, gruaja e kujt do të jetë, sepse të shtatë e kanë pasur për grua?”
Në këtë pikë, përgjigjja e Jezusit është tejet e rëndësishme: “Bijtë e kësaj bote marrin gra e marrin burra, por ata që janë gjykuar të denjë për jetën e ardhshme e për ringjalljen nga të vdekurit, nuk marrin as burrë e as grua: në fakt, nuk mund të vdesin më, sepse janë të ngjashëm me engjëjt dhe, meqë janë bijtë e ringjalljes, janë bijtë e Hyjit”.
Ringjallja nuk është thjesht ribashkimi i trupit me shpirtin, por pastrimi përfundimtar i njeriut nga vdekja, duke kaluar përmes vdekjes me Krishtin, në pashkët e tij. Ringjallja është krijimi i ri. Hyji na kthen në gjendjen në të cilën kemi qenë para se të binte mbi ne hija e dyshimit rreth tij, para se të ndiqnim fjalën e tunduesit. Ringjallja është fryti i besnikërisë së Hyjit ndaj vetvetes e ndaj nesh. Ai nuk na ka krijuar për lojë, prandaj loja jonë me tunduesin është kthyer në dramë jo vetëm për ne, por edhe për Hyjin. është drama e vdekjes së Krishtit, prej ku buron lavdia e ringjalljes. Ai zbret në vdekjen tonë, për të na nxjerrë prej andej me trupin që kishim para se të hynte mëkati. Ky është thelbi i misterit të Krishtit dhe themeli i fesë së krishterë në ringjalljen. Hyji në të cilin besojmë, nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama