HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-11-08 14:12:27
A+ A- Printo artikullin



Papa lutet për bijtë e ‘të devotshmëve të hyjit ryshfet’; korrupsioni e zhduk dinjitetin



Sot paradite, gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Papa u lut për shumë të rinj, që marrin nga duart e prindërve “bukë të ndyrë”, fryt i ryshfeteve e i korrupsionit, e që kanë uri për dinjitet, sepse pandershmëria e lë njeriun pikërisht pa pikën e dinjitetit.RealAudioMP3

Shembëlltyra e mbarështuesit të pandershëm i dha shtytje Papës të flasë për shpirtin e botës, dëshirën për të jetuar e për të menduar sipas botës, për botën e në botë, pa e përfillur rrezikun, që buron nga kjo mendësi. Jezusi e luste Atin që dishepujt e tij të mos binin në kurthin e mendësisë boshe të botës. Sepse kjo mendësi është armiku kryesor i njeriut:
“Kur mendojmë për armiqtë tanë, gjëja e parë që kujtojmë është djalli, sepse pikërisht ky është burimi më i rrezikshëm i së keqes. Na bën keq. Atmosfera, stili i jetës i pëlqen shumë djallit; e kjo do të thotë të merresh me punët boshe të botës, të jetosh sipas atyre, që bota i quan ‘vlera’. E ky administrator është shembull i mendësisë së botës. Ndokush nga ju mund të thotë: ‘Po ky burri bëri atë, që e bëjnë të gjithë’. Të gjithë? E, jo! Janë disa. Disa drejtues, drejtues ndërrmarrjesh, administrues të jetës publike, krerë qeverish… Ndoshta-ndoshta nuk janë shumë. Por janë! E zgjedhin rrugën më të shkurtër, më të lehtë për të fituar sa më shumë”.
Në shembëlltyrë, zotëria e lavdëron mbarështuesin e pandershëm për dinakërinë e tij. Sepse të korruptuarit janë gjithnjë dinakë:
“Eh, edhe ky është lavdërim ryshfetçinjsh! Zakoni për të pranuar para të ndyra i përket mendësisë së keqe të botës e është thellësisht mëkatar. Nuk vjen nga Zoti: Zoti na urdhëron të çojmë në shtëpi bukën e fituar me djersën e ndershme të ballit. Edhe ky njeri, ky drejtues, e çonte. Po si? U jepte për të ngrënë fëmijëve të tij bukë të ndyrë! E fëmijët, ndoshta të edukuar ndër kolegje të kushtueshme, ndoshta të rritur në mjedise të kulturuara, kishin marrë nga dora e atit gjellë të ndyrë, sepse babai, duke sjellë bukë të ndyrë në shtëpi, e kishte humbur plotësisht dinjitetin! E ky është mëkat tejet i rëndë! Nis ndoshta me një zarf të vogël, por zarfi i vogël është si droga, e?”.
Mund të themi, prandaj, pohoi Papa, se zakoni për të marrë ‘zarfa të vegjël’, bëhet vartësi. Njeriu nis e varet pikërisht “nga zarfat”. Nuk mund të rrojë pa ta! Por në se ka një dinakëri bote, një mendësi të tillë bote, ka edhe një dinakëri të krishterë, që na nxit t’i bëjmë gjërat shpejt e shpejt, jo me frymën e botës, por ndershmërisht. Kemi parasysh fjalët e Jezusit, që na fton të jemi dinakë si gjarpërinjtë e të butë, si pëllumbat: t’i vësh pranë e pranë këto dy përmasa, nënvizoi Papa, është hir i Shpirtit Shenjt, dhuratë, që duhet ta lypim. Papa e përfundoi Meshën me një lutje:
“Ndoshta sot na bën mirë të gjithëve të lutemi për shumë fëmijë e të rinj, që marrin nga dora e prindërve bukë të ndyrë: edhe këta kanë uri, uri për dinjitet! Të lutemi që Zoti t’ua shndërrojë zemrat këtyre të devotshmëve të zotit ryshfet e ta kuptojnë se dinjiteti buron nga puna e denjë, nga djersa e ndershme, nga mundi i përditshëm e jo nga rrugët e lehta, që më në fund të lënë duarthatë. Të bëjnë të mbarosh si ai burri tjetër i Ungjillit, që kishte shumë hambarë plot e përplot e mendonte të rronte mes kamjes e gëzimit. Po Zoti i tha: “Sonte do të vdesësh” Këta njerëz të varfër, që e kanë humbur dinjitetin në botën e ryshfeteve, i kanë xhepat plot, po shpirtin bosh, pa kurrfarë dinjiteti! Të lutemi për ta e, sidomos, për bijtë e tyre”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama