HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-08 18:16:34
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: Përgjigjet e fesë. Në fillim, dashuria e Zotit (Emisioni XXXI)



Bëmë një breshëri pyetjesh në 30 emisionet e para të rubrikës “Te gurra e besimit”. E edhe u dhamë përgjigje, duke u mbështetur në fjalët e Papës Benedikti, që tani, nësa Viti i Fesë është në përfundim e sipër, na jep edhe përgjigjen përfundimtare, atë të fesë, duke filluar nga dashuria e Zotit. E ky është edhe titulli i emisionit të 30-të.

Burimi i gëzimit të krishterë bazohet pikërisht në sigurinë se Zoti na do, na do personalisht. E ai që na do, është Krijuesi. Është Ai, që mban në dorë mbarë universin. Pikërisht Ai e do secilin nga ne e mbarë familjen njerëzore, me dashuri të pasionuar e besnike, shumë më të madhe se pabesitë e mëkatet tona. Sepse, dashuri që fal! Aq e madhe është kjo dashuri, sa për ne Zoti arrin t’i kundërvihet edhe vetvetes, siç duket në mënyrë përfundimtare në misterin e Kryqit: “Zoti e do njeriun aq, sa duke u bërë njeri Ai vetë, e ndjek deri në vdekje e në këtë mënyrë, pajton drejtësinë e dashurinë” (Deus caritas est,10).
Kjo siguri e ky gëzim, që burojnë nga dashuria e Zotit për ne, duhet të jenë, në ndonjë farë mënyre, të prekshme e konkrete për secilin nesh, e posaçërisht për breznitë e reja që janë duke hyrë në botën e fesë. Me fjalë të tjera: Jezusi ka thënë se është “rruga”, që të çon tek Ati, përveçse “e vërteta” e “ jeta”(cfr. Gjn 14,5-7). Prej këndej pyetja: “Si munden fëmijët e të rinjtë tanë ta gjejnë në Të, në praktikë e në jetë, udhën e shpëtimi e të gëzimit? Është pikërisht ky, misioni i madh, për të cilin ekziston Kisha, si familje e Zotit e shoqëri miqsh, në të cilën hyjmë me Pagëzimin, qysh foshnja e në të cilën duhet të lulëzojë feja jonë e gëzimi e siguria se Zoti na do. Është e domosdoshme, prandaj - e kjo detyrë u besohet familjeve të krishtera, meshtarëve, katekistëve, edukatorëve, e edhe vete të rinjve për bashkëmoshtarët, famullive, shoqatave, lëvizjeve, e së fundi, mbarë bashkësisë dioqezane – që breznitë e reja të mund ta shikojnë Kishën si bashkësi miqsh vërtet të besueshëm, pranë në të gjitha rrethanat e jetës, të gëzueshme e të këndshme a të thepisura e të errëta. Një shoqëri që nuk të braktis kurrë, as në vdekje, sepse ka në vetvete premtimin e amshimit.
Kush e di se e duan, di edhe se duhet të dojë. Pikërisht kështu Zoti, që na deshi i pari, na kërkon ta vemë në qendër të jetës sonë dashurinë për Të e për të gjithë njerëzit, që ai i deshi e i do.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama