HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Sinodi >  2013-11-08 15:16:16
A+ A- Printo artikullin



Sinodi për familjen. Imzot Menikeli: Kisha është pranë të divorcuarve të rimartuar



Dokumenti përgatitor i Sinodit të jashtëzakonshëm për familjen, publikuar të martën në Vatikan, niset nga analiza e krizës shoqërore e shpirtërore, që po jeton bota, duke e konsideruar një sfidë baritore për ungjillëzimin e familjes. Për t’u thelluar në këtë aspekt e në tema të tjera të tekstit, ftuam në studio kryeipeshkvin e Ankona-Osimës, përgjegjës për familjen në Konferencën ipeshkvnore markixhane, imzot Edoardo Menikelin:RealAudioMP3
Ungjillëzimi është kumtimi i Fjalës së Zotit e i historisë së shëlbimit. Ai inkuadrohet në kohë e në histori, duke pasur parasysh se nuk ndryshon Fjala e Hyjit, por mënyra e shpalljes, e dëshmimit, e kremtimit dhe e zbatimit të saj në jetë. Përsa i përket familjes, besoj se jemi në praninë e dy krizave themelore: e para është kriza e martesës, e dyta, ajo e martesës si Sakrament, që, sipas meje, rrjedh nga e para. Jetojmë në një epokë, në të cilën plani fillestar – ai i Librit të Zanafillës, për burrin e për gruan – është në krizë, sepse të gjithë duan gjithçka nga martesa, por nuk e duan vetë martesën: është dobësuar ideja e dhurimit të vetvetes, e përkatësisë, e një vendimi për gjithë jetën. Kjo krizë është pjesë e krizës së fesë; në këtë mënyrë hyn në krizë edhe martesa sakramentore, sepse jo gjithmonë, ekziston vetëdija ç’është ajo në të vërtetë, ç’kërkon e për ç’lloj përgatitjeje e gatishmërie të brendshme ka nevojë. Atëherë, detyra jonë është pikërisht kjo: të rimarrim në dorë Ungjillin e martesës, mbi të cilin mbështetet edhe Ungjilli i familjes.
Sa e rëndësishme është sot, që Kisha t’i dëgjojë problemet e t’i kuptojë aspiratat e familjeve?
Kjo mendoj se është një risi e pasuri e madhe. Lindi nga intuita e Papës Françesku, i cili dëshiron ta kuptojë më shumë realitetin, jo për ta dënuar, por për ta ndihmuar, për ta mbështetur, për të ungjillëzuar edhe mëshirën e të vërtetën. Ne e dimë se ka situata të veçanta, plagë të shumta i janë hapur realitetit bashkëshortor e atij familjar. Detyra e Kishës është ta përdorë mëshirën e dashurinë për të thënë të vërtetën. E kjo bëhet në perspektivën e impenjimit të saj baritor. Nuk jemi të thirrur të dënojmë, jemi të thirrur të shoqërojmë, për të arritur sërish në urtinë e dijen, që vijnë nga Fjala e Zotit.
Kjo sjellje e fton Kishën të shqyrtojë me mëshirë e dashuri edhe problemin e të divorcuarve të rimartuar. Kjo është një temë problematike e baritorisë së saj, apo jo?
Po, mbetet problematike, mbetet aktuale, por edhe këtu, dua të nisem nga përvoja ime. Që prej dy vjetësh, në dioqezën tonë, kemi filluar një udhë shoqërimi për këta vëllezër e motra. Ndjekim mëse 80 vetë, që marrin pjesë vazhdimisht në takime e jetojnë së bashku ditë të caktuara. Kjo bëhet për t’u treguar se Kisha u qëndron afër, se nuk i dënon. Por duhet të kemi kujdes: shoqërimi i mëshirshëm nuk do të thotë se heqim dorë nga e vërteta dhe nga Fjala e Zotit. Ai synon edukimin, shqyrtimin e jetës, pranimin, shpesh me durim të madh, të Fjalës së Zotit, edhe kur ajo është e ashpër me këta njerëz, sepse Fjala e Hyjit, siç thuhet në Veprat e Apostujve, nganjëherë, është e hidhur. Por nëse bëjmë gjithçka me butësi e me afërsi shpirtërore, njerëzit e kuptojnë shumë mirë. Pastaj, duhet ta sqarojmë këtë punë, pasi jo çdo i divorcuar përjashtohet nga Kungimi, jo gjithnjë, ai që ndahet nga bashkëshorti përjashtohet nga shërbimi në jetën e Kishës. Duhet folur me secilin, duhet arsyetuar, duhet parë problemi nga të gjitha anët e sidomos, duhet pasur gjithnjë shumë e shumë durim.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama