HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-11-10 16:08:49
A+ A- Printo artikullin



Lutja e heshtur e Papës në Engjëllin e Tënzot, për viktimat e tufanit në Filipine



Lutje e ndihmë konkrete kërkoi Papa në Engjëllin e Tënzot, për popullsinë filipinase, dëmtuar rëndë nga tufani Haiyan, më i tërbuari që ka kaluar ndonjë herë mbi vendin aziatik. Tragjedi, që vijon të luhet në skenën e arkipelagut: 10 mijë të vdekur vetëm në ishullin Leyte e 300 të tjerë, në Samar. Por, të dëgjojmë thirrjen e ngashëryer të Papës Françesku për të gjallët e të vdekurit:RealAudioMP3
Dëshiroj ta siguroj për afërsinë time popullsinë e Filipineve dhe të zonës më të dëmtuar nga tufani i tmerrshëm. Për fat të keq, viktimat janë të shumta e dëmet, të pallogaritshme. Të lutemi një çast në heshtje, pastaj t’i lypim ndihmë Zojës për këta vëllezër e motra e të bëjmë ç’është e mundur t’u japim edhe ndonjë ndihmë konkrete. Të lutemi, në heshtje (Thuhet “Të falemi Maria”).

Pamje të hatashme njerëzish pa jetë, në sfondin e rrënimit të plotë shikohen në filmimet, pas kalimit të supertufanit Haiyan mbi Filipinet, ku numrimi i të vdekurve do të vijojë me ditë e ditë, derisa të rivendosen plotësisht lidhjet me zonat më të shkatërruara.

Rrënim, vdekje, humbje e të gjitha vlerave materiale, siguruar me mundin e disa jetëve. Këtë la pas tufani i tërbuar, por jo i papritur, që kaloi mbi arkipelagun Taclobani, kryeqendër e provincës së Leytes, u rrënua krejtësisht. Pasi kaloi me helikopter mbi qytetin, ministri i Punëve të Brendshme, Manuele Roxas, njoftoi se asnjë ndërtesë nuk ka mbetur në këmbë në një hapësirë prej më se një kilometri. Sipas dëshmitarëve, në disa zona mungojnë drita, uji e prodhimet ushqimore. Të mbijetuarit sillen si fantazma në kërkim të ushqimit, ndërsa aty këtu njerëz të armatosur kanë nisur plaçkitjet në grumbujt e rrënojave. Situatë tejet e rëndë edhe në ishullin Samar, ku 300 të vdekurve, të gjetur deri tani, u shtohen edhe 2000 të humbur. Tepër e vështirë të arrihet në zonat më të dëmtuara nga era e tërbuar e valët e detit, që ngrihen mbi 6 metra përpjetë, ngarkuar me gjithfarë mbeturinash, përlarë nga bregu. Trupat e qindra njerëzve janë ende nën gërmadha, ndërsa qindra të tjerë, tashmë kufoma, radhiten përdhe, të mbuluar në një farë mënyre. Unicef-i flet për 4 milionë njerëz të dëmtuar në mënyra të ndryshme, 40% e të cilëve, fëmijë nën moshën 18 vjeç. Presidenti i Filipineve, Benigno Aquino, vizitoi sot zonat më të dëmtuara, pas takimit me mbrojtjen civile, gjatë të cilit siguroi se qeveria i ka mjetet e duhura për të ndërhyrë. Po mobilizohen edhe agjencitë humanitare si dhe organizatat e vendeve të tjera, ndërsa në Uashington, kreu i Pentagonit, Chuck Hagel, njoftoi se SHBA-ës do të dërgojnë ndihma ushtarake. Por, për hollësira të reja lidhur me situatën dramatike në Filipine, të dëgjojmë atë Giovanni Re, misionar i Pimes në arkipelag:

Përgjigje: - Pamja është më e keqe, se ajo që pritej, sepse super-tufani qe paralajmëruar dy ditë para se t’ia behte e shumë njerëz u larguan në vende pakëz më të sigurta. Më shumë se dëmet, të tmerrojnë të vdekurit, pikërisht sepse ishin marrë masat për t’i bërë ballë kësaj fatkeqësie të natyrës.

Pyetje: - Atëherë mund të themi se ishte tragjedi, që mund edhe të shmangej: mendoni se u bë gjithçka, që duhej bërë, për ta përballuar tufanin?

Përgjigje: - E di se presidenti u ankua, nga që as ai nuk e priste një numër kaq të madh të vdekurish. Tani, natyrisht, dëshiron ta hetojë çështjen, për të kuptuar si mundi të ndodhë gjithë kjo tragjedi. Por duhet menduar edhe se askush nuk e priste që tufani të arrinte në këto përmasa, të kishte këtë fuqi shkatrrimtare të papërballueshme, që ua kaloi shumë herë parashikimeve.

Pyetje: - Diçka për shpërndarjen e ndihmat në zonat më të dëmtuara?

Përgjigje: - Ky është problem i vërtetë aktual. Në shumë zona të dëmtuara, në ato më të shkatërruarat, mungojnë drita elektrike e komunikimi. Nuk punon telefoni, por edhe me celular, vështirë të komunikosh. Prej këndej, detyrë e dorës së parë, sipas qeverisë, është të sigurohen drita elektrike e komunikimi. Duhet pritur edhe disa ditë, për të pasur idenë përfundimtare mbi situatën e për të kuptuar atë që ndodhi me të vërtetë. Shumë zona janë ende të izoluara...

Pyetje: - Cilat janë këkesat më urgjente në zonat e dëmtuara?

Përgjigje: - Në këndvështrimin logjistik, mendoj se, përveç sigurimit të dritës elektrike dhe mjeteve të komunikimit, duhen spastruar rrugët, që të mund të arrihet sa më shpejt në vendet e dëmtuara. Të gjithë janë vënë në lëvizje e po bëjnë edhe një mbledhje fondesh e materialesh, për të ndihmuar më nevojtarët. Edhe Kisha, që është fuqimisht aktive në shumë zona, sigurisht do të luajë rolin e vet, siç ka bërë gjithnjë, përmes dioqezeve dhe organizatave të ndryshme, në gjirin e tyre.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama