HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-12 14:29:18
A+ A- Printo artikullin



Papa: Hyji, edhe kur na qorton, na përkëdhel e kurrë nuk na lëndon



Të lëshohemi në krahët e Hyjit, siç lëshohet fëmija në krahët e të atit. Kështu tha Papa në meshën e paradites në Shtëpinë e Shën Martës. Papa ritheksoi se Zoti nuk na braktis kurrë dhe nënvizoi se, edhe kur na qorton, nuk na gjuan me shuplakë, por na përkëdhel.
“Hyji e ka krijuar njeriun për pashkatërrueshmërinë”, por “smira e djallit futi në botë vdekjen”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u ndalur tek leximi i parë, një pjesë nga libri i Urtisë, që kujton krijimin tonë. Smira e djallit, pohoi Papa, e ka hapur këtë luftë, “këtë rrugë që përfundon me vdekjen”. Vdekja, tha Papa, “hyri në botë dhe e përjetojnë ata që i përkasin atij”. Këtë përvojë e bëjmë të gjithë:
“Të gjithë duhet të kalojmë përmes vdekjes. Tjetër gjë është të kalosh përmes kësaj përvoje duke i përkitur djallit e tjetër gjë është të kalosh nëpër këtë përvojë nga dora e Hyjit. Mua më pëlqen ta dëgjoj këtë: ‘Jemi në dorë të Hyjit që në fillim’. Bibla na e shpjegon krijimin, duke përdorur një figurë të bukur: Hyji, që na bën me duart e veta nga balta, që, nga dheu, na ngre në përngjasimin dhe shëmbëllimin e vet. Janë duart e Hyjit ato që na kanë krijuar: Hyji zejtar, eh! Si një zejtar na ka bërë. Këto duar të Zotit… Duart e Hyjit që nuk na kanë braktisur”.
Bibla, vijoi Papa, tregon se Zoti i tha popullit të vet: “Unë kam ecur me ty, si një atë me të birin, që e merr përdore”. Janë pikërisht duart e Zotit, shtoi, “ato që na shoqërojnë gjatë rrugëtimit”:
“Ati ynë, siç bën një atë me të birin, na mëson të ecim. Na mëson të shkojmë udhës së jetës e të shëlbimit. Janë duart e Hyjit, që na përkëdhelin në momentin e dhimbjes, na ngushëllojnë. Ai është Ati ynë, që na përkëdhel! Na do shumë. Edhe tek këto përkëdhelje, shpesh herë, gjendet falja. Mua më bën mirë kur e mendoj këtë gjë. Jezusi, që është Hyj, ka marrë me vete plagët e veta: ia dëfton Atit. Ky është çmimi: duart e Hyjit janë duar të plagosura për dashuri! E kjo gjë na jep shumë ngushëllim”.
Shpesh herë, shtoi Papa, kemi dëgjuar për njerëz që nuk dinë kujt t’i drejtohen me besim: “I drejtohem me besim Hyjit!” Kjo gjë, vrojtoi Papa, “është e bukur” sepse “aty jemi të sigurt: është siguria më e madhe, sepse është siguria e Atit tonë, që na do shumë”. “Duart e Hyjit – shtoi Papa – na shërojnë edhe nga sëmundjet tona shpirtërore”:
“Të sjellim në mendje duart e Jezusit, kur prekte të sëmurët dhe i shëronte… Janë duart e Hyji: na shërojnë! Unë nuk mund të përfytyroj Hyjin duke më goditur me shuplakë! Nuk e përfytyroj dot. Duke më qortuar po, e përfytyroj, sepse këtë e bën ai. Por kurrë, kurrë nuk na lëndon. Kurrë! Na përkëdhel. Edhe kur duhet të na qortojë, na qorton me përkëdhelje, sepse është Atë. ‘shpirtrat e të drejtëve janë në duart e Hyjit’. Të sjellim në mendje duart e Hyjit, që na ka krijuar si një zejtar, që na ka dhënë shëlbimin e amshuar. Janë duar të plagosura dhe na shoqërojnë në udhën e jetës. Ta lëshojmë veten në duart e Hyjit, siç lëshohet fëmija në duart e të atit. Janë duar të sigurta ato!”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama