HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-13 16:14:40
A+ A- Printo artikullin



Fillon sot asambleja e përgjithshme e COMECE-së. Tema: emigrimi



Kontinenti evropian po përjeton ndryshime. Emigrimet nga brenda dhe nga jashtë shteteve anëtare kanë prekur jetën e gjithë shoqërisë brenda Bashkimit Evropian. Kisha është thellësisht e shqetësuar për gjendjen e refugjatëve dhe të atyre që kërkojnë azil, veçanërisht pas tragjedisë së fundit pranë Lampeduzës.
“Emigrimi dhe integrimi” është tema kryesore e Asamblesë së përgjithshme të COMECE-së (Komisioni i Episkopatit të Bashkimit Evropian), që fillon sot në Bruksel dhe mbyllet të premten.
Ipeshkvinjtë e deleguar nga 27 konferencat ipeshkvore të vendeve anëtare të BE-së, bëjnë një mbledhje treditore, gjatë së cilës do të dëgjojnë kumtesat ekspertëve të politikave të emigrimit në nivele kombëtare dhe evropiane. Do të dëgjojnë edhe dëshminë e disa personave që punojnë në terren dhe do të diskutojnë se me çfarë mjetesh mund të mbështesin vëllezërit e tyre ipeshkvinj në punën baritore, jo vetëm për t’iu përgjigjur krizës aktuale, por edhe për të zhvilluar strategji baritore në lidhje me pranimin dhe integrimin afatgjatë të emigrantëve.
Asamblea e përgjithshme fillon punimet sonte, me një mbledhje me dyer të hapura, ku do të shtjellohet tema “Përvoja e emigrantit”. Emigranti është i afërmi ynë. Për ta bërë të ndjehet në shtëpinë e vet brenda Bashkimit Evropian, duhet të kuptojmë, si e sheh ai Bashkimin Evropian. Rreth kësaj teme do të flasë këshilltarja për politikat e emigracionit pranë Catholic Trust (Katholik trast) të Anglisë Cecilia Taylor Camara (Sesilia Tejlor Kamara).
Mbledhja do të vijojë me dyer të mbyllura të enjten e të premten. Ipeshkvinjtë e COMECE-së do të njihen qoftë me kornizën politike dhe ligjore të Bashkimit Evropian për emigrimin dhe azilin, që do të paraqitet nga një përfaqësues i Komisionit Evropian, qoftë me çështjen e integrimit, që do të paraqitet nga zëvëndësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të emigrimit pranë Bashkësisë Autonome të Madridit. Ne fund do të trajtohet çështja e trafikut të qenieve njerëzore, për të cilën do të flasë një inspektor i policisë dhe një grua, viktimë e trafikut në Mbretërinë e Bashkuar.
Të premten në orën 12.00 do të dalë komunikata për shtyp me rastin e përfundimit të punimeve.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama