HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-13 16:12:29
A+ A- Printo artikullin



Imz. Mamberti flet për Konferencën II të Gjenevës



Konferenca II e Gjenevës “mund e duhet të jetë hapi i parë themelor, së paku për të nisur një proces, që, me sa duket, do të jetë i mundimshëm. Ende nuk e dimë çfarë trajte do të marrë kjo Konferencë, as nëse do të ftohet Selia e Shenjtë për të marrë pjesë si vëzhguese. Nëse po, Selia e Shenjtë do të dërgojë një delegacion, për të treguar kujdesin e saj në dobi të kombit të shtrenjtë sirian dhe për të ofruar, sipas rastit, çdo bashkëpunim të mundshëm”. Kështu tha Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet Imz. Mamberti, në intervistën dhënë agjencisë SIR mbi gjendjen në Siri. Pikërisht dje, në Stamboll, u dha lajmi se koalicioni kombëtar sirian ka mundësi të jetë i pranishëm në Gjenevë. Ky fakt e bën edhe më të mundur mbledhjen e konferencës së paqes brenda këtij viti. “Selia e Shenjtë, deklaron Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, e dëshiron dhe e inkurajon Konferencën II të Gjenevës, ku duhet të marrin pjesë sa më shumë anëtarë. Për të qenë realistë, nuk mund të pretendohet që Konferenca ta zgjidhë papritur këtë konflikt, që është shumë i ndërlikuar e në të cilin ndërthuren shumë interesa të kundërta të aktorëve të ndryshëm vendorë e rajonalë. Megjithatë, nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të kërkimit të një marrëveshjeje me ndihmën e të gjithëve”.
Gjatë kësaj interviste Imz. Mamberti thekson se “ky konflikt nuk zgjidhet ushtarakisht, prandaj, të vijosh t’u japësh armë luftëtarëve, do të thotë të ndihmosh për të shtuar viktimat dhe vuajtjet e popullit sirian. Nëse vijon dhuna, nuk do të ketë fitimtarë, por vetëm të mundur”. Përfaqësuesi papnor paraqet tre parime të përgjithshme që mund ta drejtojnë kërkimin e një zgjidhjeje të drejtë: “para së gjithash duhet të punohet për të rikthyer dialogun mes palëve dhe për të sjellë pajtimin në popullin sirian; duhet ruajtur bashkimi i vendit, duke shmangur caktimin e zonave të ndryshme për grupe të ndryshme përbërëse të shoqërisë; duhet garantuar, bashkë me bashkimin e vendit, edhe tërësia tokësore. Pastaj, do të jetë e rëndësishme t’u bëhet një kërkesë të gjitha grupeve, sidomos atyre që synojnë të kenë përgjegjësi për qeverisjen e vendit, të ofrojnë garanci se në Sirinë e nesërme do të ketë vend për të gjithë, veçanërisht për pakicat, përfshirë, natyrisht, edhe ato të krishtera.
Sipas Imz. Mambertit, rëndësi të veçantë ka edhe respekti i të drejtave njerëzore dhe i lirisë fetare.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama