HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-14 14:22:05
A+ A- Printo artikullin



Drita e fesë VII



Jemi në kapitullin e tretë të enciklikës Drita e fesë, që mban titullin: Çfarë mora, po jua përçoj juve. Në kapitullin e mëparshëm vumë re se feja është e lidhur me dëgjesën dhe më pamjen. Me anë të fesë, njeriu i hapet Hyjit dhe merr prej tij fjalën e dritën. Feja, sikurse na hap ndaj Hyjit, na hap edhe ndaj njerëzve. Dhurata e fesë e shndërron njeriun në dhurues, prandaj besimtari është vetvetiu dëshmitar, apostull, sikurse lexohet në enciklikë: "Kush është hapur ndaj dashurisë së Hyjit, ka dëgjuar fjalën e tij dhe ka marrë dritën e tij, nuk mund ta mbajë për vete këtë dhuratë" (n. 37). Shën Pali e vëren këtë veti të fesë brenda traditës hebraike, kur citon shkrimin, që thotë: " Besova, prandaj edhe fola" (2Kor 4,13). Njeriu i prekur nga feja, thotë enciklika, përthyen dritën me të cilën Hyji e ka ndriçuar: "Drita e Jezusit vezullon, si në pasqyrë, në fytyrën e të krishterëve, e kështu përhapet, mbërrin deri tek ne, në mënyrë që edhe ne të mund të marrim pjesë në këtë pamje e t'ua përthyejmë të tjerëve dritën e tij, si drita e qiriut që, në liturgjinë e Pashkëve, ndez shumë qirinj të tjerë" (n.37).
Feja përhapet njësoj në kohë, si horizontalisht, ashtu edhe vertikalisht. Siç përthyhet drita e Krishtit në fytyrat e shumë besimtarëve të së njëjtës kohë dhe përhapet mes njerëzve, duke ndriçuar gjithë bashkëkohësinë, po ashtu përthyhet edhe nga brezi në brez dhe përshkon e ndriçon shekujt: “Fytyra e Krishtit mbërrin gjer tek ne përmes zinxhirit të pashkëputur të dëshmive. Si është e mundur kjo? Si mund të jemi të sigurt se takojmë ‘fytyrën e vërtetë’ të Jezusit nëpër shekuj?” (n. 38).
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të marrim në shqyrtim natyrën njerëzore. Duhet të përpiqemi të kuptojmë cila është vetia e patjetërsueshme e njeriut. Sipas antropologjisë biblike, njeriu është marrëdhënie qysh në zanafillën e vet: “Rrjedh nga të tjerët, u përket të tjerëve dhe jeta e tij bëhet më e madhe në takimin me të tjerët” (n. 39). Nëse marrëdhënia është thelbi i natyrës njerëzore, kjo do të thotë se procesi i nxënies nuk mund të jetë i plotë dhe i vërtetë, kur njeriu mbyllet në vetvete dhe e kërkon të vërtetën sipas kritereve individuale: “Nëse njeriu do të ishte individ i izoluar, nëse do të niseshim vetëm nga ‘uni’ individual, që e kërkon tek vetja sigurinë e njohjes, kjo siguri do të ishte e pamundur. Nuk mund ta shoh vetë atë që ka ndodhur në një epokë shumë të largët nga e imja” (n. 38). Kërkimi i sinqertë i së vërtetës e vendos njeriun në marrëdhënie me të tjerët, për të mësuar prejt të tjerëve atë që nuk ka mundur ta përjetojë vetë. I drejtohemi së shkuarës, për të mësuar nga të tjerët çfarë nuk mund të dimë vetë, dhe i drejtohemi të ardhmes, për t’u mësuar të tjerëve çfarë ata nuk mund të mësojnë pa dëshminë tonë. Kjo lidhje në kohë përbën kujtesën kishtare: “E shkuara e fesë, ajo vepër dashurie e Jezusit, që i ka dhënë botës një jetë të re, vjen tek ne me anë të kujtesës së të tjerëve, të dëshmitarëve, që ruhet e gjallë në subjektin e vetëm të kujtesës, që është Kisha” (n. 38). Në Kishë është themelor roli i Shpirtit të Shenjtë, i cili na kujton gjithçka që duhet të dimë rreth Jezusit dhe i mban të bashkuara të gjitha kohët e të krishterëve, duke realizuar, kështu, bashkëkohësinë me Jezusin.
Kërkimi i sinqertë i së vërtetës, pra, e zhvendos njeriun nga vetmia dhe e vendos brenda një rrjeti të tërë marrëdhëniesh: “Është e pamundur të besosh i vetëm. Feja nuk është një mundësi individuale, që ndodh në shpirtin e besimtarit, nuk është marrëdhënie e izoluar e ‘unit’ të besimtarit me ‘Ti-në’ hyjnore, e subjektit të pavarur me Hyjin. Ajo i hapet natyrshëm ‘ne-së’, zhvillohet gjithmonë brenda bashkësisë së Kishës” (n. 39).
Feja është përgjigje ndaj një fjale që nuk buron prej vetes, prandaj nënkupton dëgjesën dhe e vendos njeriun në dialog e në bashkësi me të tjerët. Për këtë arsye liturgjia e pagëzimit është formuluar si pyetje dhe përgjigje. Përgjigja është njëkohësisht individuale dhe e përbashkët: “Është e mundur të përgjigjemi në vetën e parë, ‘besoj’, vetëm sepse i përkasim një bashkësie më të madhe, vetëm sepse thuhet edhe ‘besojmë’.
Bashkësia kishtare është pasqyrë e bashkësisë trinitare. Në të nuk jemi kurrë të vetëm, jo vetëm sepse ndajmë fenë dhe jetën me anëtarët e tjerë të kishës, por edhe jemi të shtyrë drejt njerëzve përjashta Kishës, për t’u përçuar gëzimin që buron nga takimi me Krishtin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama