HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-15 18:11:23
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku shuguron impeshkëv imzot Fernando Vérgez Alzaga



Pavarësisht se i pamundur, Papa Françesku ishte i pranishëm në meshën e pasdites së sotme në Bazilikën e Shën Pjetrit, për shugurimin ipeshkvnor të Sekretarit të Përgjithshëm të Governatoratit të Shtetit të Vatikanit, imzot Fernando Vérgez Alzaga. Ipeshkvi i ri bën pjesë në Kongregatën e Legjionarëve të Krishtit. Është lindur më 1 mars 1945 e është shuguruar meshtar më 26 nëntor 1969. Vetëm pak muaj më parë, më 30 gusht 2013, Papa Françesku e emëroi në krye të Governatoratit të Shtetit të Vatikanit, ndërsa më 15 tetor i dha titullin e ipeshkvit të Vilamanjës të Prokonsolare.
Ati i Shenjtë mbajti homelinë e parashikuar për shugurimin ipeshkvnor nga Pontifikali Romak. “Episkopat – tha Papa - është në fakt, emri i një shërbimi, jo i ndonjë nderi, sepse ipeshkvit i takon më shumë të shërbejë se të mbizotërojë, sipas urdhërimit të Mësuesit: ‘Kush është më i madhi ndër ju, të bëhet më i vogli e, kush qeveris, ta bëjë si ai që shërben’. Në këtë çast mendoj për shërbimin e madh të dhembshurisë e të dashurisë, që ti i ke ofruar kardinalit Pironio. Jam i sigurtë se ai është mes nesh, në këtë çast, e gëzohet. Në emër të Kishës, të falenderoj edhe një herë: një shërbim i përvuajtur e i heshtur, një shërbim biri e vëllai. Kujtoj me gëzim edhe miqësinë me kardinali Kuarraçino, që të donte kaq shumë. E edhe sot, po të rrëfehem se kur dëgjoj këto këngë kaq të bukura, nuk mund të mos mendoj për këngët e motrave benediktine të Fitores (në provincën argjentinase të Entre Rios), që në këtë çast, po e ndjekin këtë kremtim. Ke shokë të mirë sot!”
E më pas:
“Në Kishën, që të është besuar, qofsh rojtar besnik e kumtues i mistereve të Krishtit. E veçanërisht, ty të është besuar kujdesi baritor për punonjësit e Vatikanit. Sillu si atë e vëlla me ta, me dashuri e dhëmbshuri të vërtetë”.
Tradita e lashtë e shenjtorëve – Etër të Kishës kërkon që ipeshkvi i ri të pyetet para bashkësisë së krishterë nëse është gati ta mbrojë fenë dhe ta ushtrojë si duhet shërbimin e vet. Qe pikërisht Papa Françesku ai, që i drejtoi imzot Alzagës këtë pyetje:
“A dëshiron ti, vëlla i dashur, të kryesh deri në vdekje, shërbimin, që na e kanë besuar Apostujt e që ne tani ta transmetojmë ty përmes vendosjes së duarve, me hirin e Shpirtit Shenjt?”
Imzot Alzaga, sipas ritit dhe dëshirës së vet, u përgjigj pozitivisht. Pyetjet e tjera, gjithnjë të drejtuara nga Ati i Shenjtë, janë program pune e jete për çdo ipeshkëv, të cilin e impenjojnë në predikimin e Ungjillit të Krishtit, me besnikëri e këmbëngulje; në mbrojtjen e fesë së pastër, sipas traditës; në kujdesin për Korpin e Krishtit, që është Kisha; në bindjen ndaj Pasardhësit të Shën Pjetrit, Papës së Romës; në vëmendjen ndaj meshtarëve e diakonëve, bashkëpunëtorë të tij; në mikpritjen e të varfërve e të nevojtarëve; në zellin për gjetjen dhe afrimin e deleve të humbura të grigjës së Krishtit; në ushtrimin e panjollë të meshtarisë. Emblematike përgjigjja e fundit e ipeshkvit, sipas ritit të meshës:
“Po, me ndihmën e Zotit, dëshiroj”.
“Zoti, që e ka filluar në ty veprën e vet, e përmbushtë plotësisht” është urimi i kremtuesit të meshës, në këtë rast, i Papës Françesku.
Në përfundim të kremtimit, Ati i Shenjtë përshëndeti ipeshkvin dhe familjarët e tij, në Kapelën e Mëshirës së Bazilikës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama