HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-15 19:36:10
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: Të takosh Zotin (Emisioni XXXII)



Takimi personal me Zotin, është në qendër të vëmendjes në emisionin e 32-të të rubrikës “Te gurra e besimit”, kushtuar Vitit të Fesë, që po përfundon. Feja, na kujton Papa Benedikti, lind nga takimi personal me Krishtin e ngjallur e bëhet hov guximi e lirie. Të nxit t’i kumtosh me sa zë që ke, botës: Jezusi u ngjall e jeton përgjithmonë e jetës. Ky është misioni i dishepujve të Zotit në çdo epokë e edhe në kohën tonë: “Në se pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart.... mendoni për gjërat, që janë lart, jo për këto, që janë përmbi tokë”, na kujton Shën Pali (Kol 3,1-2). Por kjo nuk do të thotë të zvirdhesh nga impenjimet e përditshme, të heqësh dorë nga realitetet tokësore, përkundrazi: do të thotë ta gjallërosh çdo veprimtari njerëzore, ta jetosh si frymëmarrje të mbinatyrshme; do të thotë të bëhesh kumtar e dëshmitar i ngjalljes së Krishtit, që është i gjallë për amshim” (cfr Gjn 20,25; Lk 24,33-34).
Të zbulosh bukurinë dhe gëzimin e fesë, është udhë, të cilën duhet ta përshkojë çdo brezni, sepse në fe vihet në lojë çka është vërtet e jona, intime: zemra, mendja, liria, të gjitha në lidhje vetjake me Zotin, që vepron në ne. Por feja është, po aq rrënjësisht, sjellje komunitare, është “ne besojmë” e Kishës. Gëzimi i fesë nuk mund të mbahet vetëm për vete: duhet jetuar edhe me të tjerët. Shën Gjoni Apostull vijon të na mësojë: “Çka pamë e çka dëgjuam (Fjalën e jetës), çka pamë me sytë tanë, çka soditëm e duart tona prekën, po jua kumtojmë edhe juve, që edhe ju të jeni bashkësi me ne... Po jua shkruajmë këto, që gëzimi ynë të jetë i plotë”(1Gjn 1,3-4). Prandaj edukimi i breznive të reja në fe është detyrë e madhe, që i përket mbarë bashkësisë së krishterë. E ju e prekni me dorë sa detyrë e rëndësishme është bërë sot në aspekte të ndryshme e edhe sa e vështirë. Por pikërisht për këtë arsye, edhe më e rëndësishme e më urgjente. Mund të dallojmë dy vija themelore të kulturës së sotme të shekullarizuar, të varura dukshëm ndërmjet tyre, që shtyjnë në drejtim të kundërt me kumtimin e krishterë e nuk mund të mos ndikojnë mbi njerëzit, që zgjedhin rrugën e jetës. Njëra është ajo e agnosticizmit, e cila buron nga reduktimi i inteligjencës njerëzore në arsye të thjeshtë, llogaritëse e funksionale, që priret ta shuajë ndjenjën fetare, të shkruar në thellësi të natyrës sonë. Tjetra, ajo e procesit të relativizimit dhe çrrënjosjes, që i gërryen lidhjet më të shenjta e ndjenjat më të denja të njeriut, me synim që t’i bëjë njerëzit të brishtë, e lidhjet tona reciproke, të pasigurta e të paqëndrueshme.Pikërisht në këtë situatë, ne të gjithë, e posaçërisht të rinjtë tanë, kemi nevojë ta jetojmë fenë me gëzim, ta shijojmë paqen e thellë, që lind nga takimi me Zotin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama