HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-13 18:53:17
A+ A- Printo artikullin



Shuhet imzot Pjetro Liu në Kinë. Dëshmitar i fesë, pavarësisht nga burgu e puna e detyruar



Kisha në Kinë është në zi për vdekjen e imzot Pjetër Liu Guandong, ipeshkëv nderi i Prefekturës Apostolike të Yixian, në provincën Hebei të Kinës kontinentale. Ndërroi jetë më 28 tetor, në moshën 94-vjeçare. Prelati ishte lindur më 19 qershor 1919 po në atë zonë. Në vitin 1935 hyri në seminar e më 29 qershor 1945 shugurohet për meshtar.
Burgoset për herë të parë në vitin 1955, për shkak se ishte kundër krijimit të Kishës së pavarur kineze. Në vitin 1958 arrestohet sërish pasi nuk ishte dakord me Shoqatën Patriotike të Katolikëve Kinezë. Pas 23 vjetësh burgimi, lirohet në vitin 1981. Sapo del nga burgu, pavarësisht se iu kërkua të mos merrej me Kishën, ia kushton të gjitha forcat ungjillëzimit dhe rilindjes së Kishës Katolike në Kinë. Më 25 korrik 1982 shugurohet ipeshkëv në fshehtësi e në vitin 1986 zë vendin e imzot Françesk Saveri Zhou Shanfu në krye të Prefekturës Apostolike të Yixian. Nga viti 1989 deri në vitin 1992 i nënshtrohet riedukimit përmes punës, në stilin e njohur komunist. Në korrik 1993, i sëmurë nga zemra dhe i paralizuar, u mbajt në arrest shtëpiak, duke u kuruar me dashurinë e besimtarëve, të murgeshave e priftërinjve, që në vitin 1997 e fshehin. E kaloi pjesën tjetër të jetës në shtrat, pa mundur të lëvizë. Konsiderohet edhe sot, pas vdekjes, njeri i Zotit, njeri i fesë, që nuk pranoi asnjë kompromis me regjimin komunist, besnik ndaj Papës dhe Selisë së Shenjtë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama