HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-11-17 17:04:38
A+ A- Printo artikullin



Papa në Engjëllin e Tënzot: larg nga “mesitë e rremë”, të lutemi për të krishterët, që vuajnë nga persekutimet fetare



Të mos lejojmë të na gënjejnë “shpëtimtarët e rremë”, të mos paralizohemi nga frika e ta jetojmë kohën e pritjes, si kohë dëshmie e durimi, duke menduar për sa e sa të krishterë, vëllezër e motra, që vijojnë të persekutohen për shkak të fesë. Është ftesa e Papës Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa i nxiti besimtarët të reflektojnë për të ardhmen, duke e përballuar me guxim e shpresë. Menjëherë pas lutjes mariane, Ati i Shenjtë kujtoi “Ditën e viktimave të udhës” e, më pas, një nismë të këndshme për mbrojtjen e shëndetit të shpirtit.

Papa e mori shtytjen nga fragmenti ungjillor i së dielës, në të cilin Jezusi, duke iu drejtuar jeruzalemasve, që flisnin për tempullin e për bukurinë e tij, i fton ta përqendrojnë vëmendjen mbi çështjet themelore, jo mbi ato të dorës së dytë. Fjalë me vlerë tejet aktuale, vërejti Papa Françesku. Na drejtohen edhe ne, që jetojmë në shekullin XXI. Me fjalët e Krishtit, Papa i ftoi besimtarët: “Hapini mirë sytë e mos lejoni t’ju gënjejnë. Sepse të shumtë do të jenë ata, që do të vijnë në emrin e Zotit!”:
“Edhe sot ka mesi të rremë, që përpiqen t’ia zënë vendin Jezusit: leader të kësaj bote, besimtarë hipokritë, e edhe shtriganë, njerëz, që duan të bëjnë për vete mendjet e zemrat, posaçërisht të të rinjve. Jezusi na tërheq vëmendjen: ‘Mos shkoni pas tyre!’. E Zoti na ndihmon edhe të mos kemi frikë: përballë luftërave, revolucioneve, por edhe përballë gjëmave të natyrës, epidemive. Jezusi na çliron nga fatalizmi e nga vegimet e rreme mbi fundin e botës”.
Duke na u drejtuar si të krishterë e si Kishë, Jezusi, shpjegoi Papa, na paralajmëron se dishepujt e tij do të vihen në prova të dhimbshme, do të mundohen, do të salvohen për shkak të besimit në Të. Po Zoti na siguron edhe se besnikët janë e do të jenë gjithnjë në dorë të Tij e se kundërshtimet, që përballojmë për shkak të fesë sonë e të besnikërisë sonë ndaj Ungjillit, s’janë tjetër, veçse raste për ta dëshmuar Lajmin e mirë të Zotit tonë. Nuk duhet, prandaj, të na largojnë nga Zoti, por të na nxisin ta lëshojmë gjithnjë më shumë veten në dorë të Atit të gjithëpushtetshëm, me besim të patundur në forcën e Shpirtit Shenjt e të hirit të Tij:
Mendojmë për shumë vëllezër e motra të krishtera, që persekutohen për shkak të fesë së tyre. Janë shumë. Ndoshta edhe më shumë se në shekujt e parë. Jezusi është me ta. Edhe ne jemi me ta, me lutjen tonë e me dashurinë tonë. E admirojmë guximin e tyre e dëshminë e tyre. Janë vëllezërit e motrat tona që, në të katër anët e botës, vuajnë vetëm e vetëm sepse janë besnikë të Jezu Krishtit. I përshëndesim nga zemra, me dashuri”.
Nga Zoti vjen premtimi, që është garanci e fitores: duke mos hequr dorë, na thotë, do ta shpëtoni jetën tuaj. Këto fjalë na kujtojnë shpresën e durimin, na kujtojnë se duhet të dimë t’i presim frytet e sigurta të shëlbimit, duke besuar, shtoi Ati i Shenjtë, në kuptimin më të thellë të jetës e të historisë:
“Provat e vështirësitë janë pjesë e një plani më të madh; Zoti, zotërues i historisë, e çon gjithçka drejt përsosjes. Pavarësisht nga çrregullimet e mënxyrat që trondisin botën, plani i mirësisë e i mëshirës së Zotit do të përmbushet plotësisht”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti, ndërmjet të tjerëve, bashkësinë e eritreasve në Romë, që kremtonte festën e Shën Mikelit dhe kujtoi Ditën e viktimave të rrugës”.
“Siguroj lutjen time e inkurajoj të vijohet impenjimi i parandalimit, sepse maturia dhe respektimi i rregullave, janë hapi e parë për të mbrojtur veten dhe të tjerët”.
Më pas, ftesa për t’i konkretizuar frytet e Vitit të Fesë, që po shkon drejt përfundimit, me një ‘ilaç shpirtëror’, të quajtuar ‘Misericordina”– “Përdëllesa”: një kutizë ‘ilaçesh’, që iu shpërnda shtegtarëve:
Është një Rruzare, me të cilën mund të thuhet edhe Rruzarja e Mëshirës Hyjnore, ndihmë për shpirtin tonë e për të përhapur kudo dashurinë, faljen e vëllazërimin. Mos harroni ta merrni, sepse ju bën mirë. I bën mirë zemrës, shpirtit, gjithë jetës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama